Çdo ditë që kalon çiftet shqiptare po sjellin në jete më pak fëmijë, duke mos zëvendësuar as veten. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave flasin për përkeqësim të treguesve të popullsisë në vendin tonë.

Rënia e lindjeve nga njëra anë dhe rritja e numrit të vdekjeve nga ana tjetër po e çojnë drejt zeros shtesën natyrore të popullsisë. INSTAT raporton se, në tremujorin e dytë të vitit 2021 numri i lindjeve pësoi rënie me 10.6 % në raport me të njëjtën periudhe të një viti më parë.

Në 6 mujorin ë parë në të gjithë vendin lindën gjithsej 11, 999 foshnja me rënie 2 % në raport me 6 mujorin ë parë 2020. Ndërsa rënia ishte më e madhe në tremujorin e dytë të vitit 2021 ku linden 5,993 bebe nga 6,006 në të njëjtën periudhë të 2020.

Në tremujorin e dytë 2021 dy qarqe të vendit kanë shënuar rritje të numrit të lindjeve, ndërsa në dhjetë të tjerat numri i lindjeve është ulur, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Në tremujorin e dytë 2021 numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 1.999 lindje, ndërsa ai më i vogël në qarkun e Gjirokastrës, me 92 lindje.

Shtesa natyrore e popullsisë në tremujorin e dytë 2021, pësoi rënie, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020: nga 1.320 në 216 lindje me shume se vdekjet në 2021.

Në tremujorin e dytë të këtij viti vlera më e lartë e shtesës natyrore regjistrohet në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 590 numrin e vdekjeve, ndërsa ai më i vogël regjistrohet në qarkun e Korçës, ku vdekjet tejkalojnë me 205 numrin e lindjeve.