Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u bënë thirrje udhëheqësve të tjerë të Bashkimit Evropian që të vendosin rregulla më të ashpra për udhëtarët nga vendet jashtë BE-së – të tilla si Britania – për të luftuar variantin Delta të koronavirusit.
Merkel, duke mbërritur në Bruksel për një samit të BE-së, tha se do të lobojë për një qasje më të koordinuar, veçanërisht ndaj turistëve nga rajonet ku janë të përhapura variantet e koronavirusit.
“Ne padyshim që jemi të shqetësuar për variantin Delta”, u tha Merkel gazetarëve.
Macron kërkoi nga vendet e BE-së që të jenë jashtëzakonisht vigjilente në lidhje me variantin, i cili është zbuluar për herë të parë në Indi.
Ky variant duket se është shumë më infektues dhe se prek njerëz që nuk janë plotësisht të vaksinuar.
Macron tha se BE-ja duhet të marrë vendime të koordinuara për hapjen e kufijve për njerëzit nga vendet e tjera.
Paralajmërimet u bënë derisa kryeministri britanik, Boris Johnson, la të kuptohet se Mbretëria e Bashkuar është afër lejimit të udhëtimeve të pakufizuara jashtë vendit për njerëzit e vaksinuar plotësisht.
Qeveritë e BE-së kanë rënë dakord për një “listë të bardhë” të 13 vendeve, për banorët e të cilave duhet të hiqen kufizimet e udhëtimit.
Në këtë listë bëjnë pjesë Australia dhe Shtetet e Bashkuara, por mungon Britania, ndaj së cilës aplikohen politika të ndryshme.
Franca dhe Gjermania kërkojnë që vizitorët nga Britania të futen në karantinë, ndërsa Portugalia dhe Spanja, të cilat varen nga turistët britanikë, nuk e kërkojnë një gjë të tillë.
Në rajonin e Lisbonës, mbi gjysma e rasteve të reja me koronavirus janë të variantit Delta.