Sipas dioptrisë së Beogradit, nëse Prishtina zyrtare nuk i përmbush kushtet e Serbisë sa i përket statusit të serbëve, atëherë Kosova shpallet shtet jofunksional. Me fjalë të tjera, Beogradi është ai që po i caktoka performansat se si duhet të duket shteti i Kosovës, ndërkohë që të drejtat elementare civile të shqiptarëve në Medvegjë janë reduktuar në një shkallë absurde

Nga Mehmet PRISHTINA

Një ditë para takimit në Bruksel, në çantën e kryeministrit Kurtindodhen shumë dokumente, të cilat do të prezantohen në ballafaqimin e tij të parë me presidentin e Serbisë, AleksandarVuçiq. Shpresojmë që çanta e tij të jetë sa më e rëndë, sepse me këtë dëshmojmë seriozitetin tonë si shtet kundrejt të tjerëve, e sidomos kundër atyre që i bënë padrejtësi shekullore Kosovës.

Takimi i Brukselit pritet të mbahet në një atmosferë pak a shumë të tensionuar për shkak të deklaratave në distancë që i kanë dhënë palët. Ky tensionim vjen për faktin se Prishtina dhe Beogradi do të ulen në të njëjtën tryezë bisedimesh, por atje do të shkojnë me qëndrime diametralisht të kundërt.
Kryeministri i Kosovës e ka përsëritur disa herë kohëve të fundit se në Bruksel nuk do të ketë vazhdim të dialogut, por një fillim të ri. Kjo, sipas tij, i bie që shumëçka që ka rrjedhur në atë dialog, ka shkuar keq. Prandaj kryeministri Kurti ka kërkuar fillimisht dialog mbi dialogun, ose një metodologji parimesh mbi të cilat do të vendoset dialogu.  Këtë qëndrim të Kurtit, në mënyrë eksplicite sot ( e hënë) para gazetarëve e sqaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjuca, i cili tha se dialogu Kosovë-Serbi i realizuar deri më tash ka qenë në formën e gabuar.

“14 shkurti i përkthyer në relacion me dialogu, i bie që nuk mund të ketë dialog të njëjtë siç ka pasur në Bruksel më herët, për shkak se ky opsion që ka fituar zgjedhjet ka fituar me shpjegimin dhe konceptim që dialogu i deritashëm ka qenë i formës së gabuar, ka qenë dialog që ka trajtuar temat e brendshme të Kosovës…Jam shumë i bindur që kryeministri Kurti në ditën e nesërme do ta përfaqësoj dinjitetshëm atë që ka ndodhur me 14 shkurt. E më 14 shkurt qytetarët i kanë thënë stop shumë gjërave, e ajo është edhe çështjet që janë trajtuar në dialogun me Serbinë”, ka thënë Konjufca.

Ai ka shtuar se kryeministri Kurti do ta prezantoj opsionin e një dialogu në të cilin Kosova e kërkon atë që është substanciale në raport me Serbinë, e ajo është që Republika e Kosovës të jetë shtet i njohur dhe i pranuar nga Serbia.

Aleksandar Vuçiq duhet ta pranoj një realitet që prej vitit 1999 është realiteti që Kosova është e lirë, prej 2008 është realiteti që Kosova është shtet i pavarur dhe prej 14 shkurtit është realiteti tjetër që Kosova qeveriset nga një forcë politike e cila nuk bënë kompromise duke i hapur temat e brendshme të Republikës së Kosovës”, u shpreh Konjufca.

Në anën tjetër, Kosova në tryezën e  dialogut të deritanishëm nuk e ka vendosur si kusht edhe çështjen e shqiptarëve në Krahinën e komunave  shqiptare në Serbi, prandaj shpresojmë që kësaj radhe në çantën e kryeministrit Kurti të ndodhet edhe kjo çështje.
Madje me një apel publik, këtë çështje e ka ngritur edhe veprimtari dhe biznesmeni nga Medevegja, Muharrem Salihu, i cili ka kërkuar nga kyeministri Kurti që ta vendosë edhe Medvegjën në tryezën dypalëshe dhe në ato rajonale, sepse, siç e thotë ai, ky është reciprociteti real. Kjo edhe për faktin se gjatë këtyre viteve të negociatave të Brukselit, përfaqësuesit e Kosovës, siç thotë z. Salihu,  nuk kanë bërë asgjë në avancimin e statusit të shqiptarëve të Serbisë.

Përfaqësuesit shqiptarë nga krahina shqiptare e Serbisë me të drejtë kërkojnë një vend meritor në tryezën e dialogut, për arsye se nëse kjo çështje nuk trajtohet seriozisht në këto bisedime, atëherë fati i këtyre shqiptarëve do të jetë i njëjtë me ata të viteve 70, 80 të shek. 19 në Sanxhakun e Nishit, të cilët u dëbuan me dhunë nga Serbia.

Pas mbarimit të luftës në Kosovë (1999), forcat ushtarake-policore u tërhoqën dhe disfatën e tyre e kompensuan me terrorin që ushtruan mbi shqiptarët e Medevegjës, duke i vra dhe përzënë ata nga vatrat e tyre shekullore. Një pjesë e tyre arritën të ikin dhe të gjejnë strehim në disa vendbanime në Kosovë, mirëpo mbi statusin e tyre askush nuk u mor. Nuk u mor sidomos OSBE dhe disa funksionarë shqiptarët të asaj kohe, në mesin e të cilëve edhe Shaip Kamberi, të cilët nuk e panë të arsyeshme t’i regjistrojnë si refugjatë të ikur nga shtëpitë e tyre, sepse nëse do t bëhej kjo ata sërish do të kishin të drejtë të kthehen në vatrat e tyre. Tani ata e kanë shumë vështirë të kthehen, sepse nuk e gëzojnë ndërkombëtarisht statusin e refugjatit  dhe kjo i konvenon së tepërmi Serbisë, sepse ata i trajton si apatrid.

Prandaj, na duket shumë e arsyeshme që në tryezën dialogut në Bruksel të trajtohet edhe statusi i shqiptarëve të Serbisë së jugut, duke e vendosur madje edhe një reciprocitet me serbët e Kosovës. Këta të fundit madje  padrejtësisht janë integruar si pika kryesore e dialogut, duke e paraqitur Kosovën si projekt të papërfunduar në sytë e bashkësisë ndërkombëtare. Sepse, sipas dioptrisë së Beogradit, nëse Prishtina zyrtare nuk i përmbush kushtet e Serbisë sa i përket statusit të serbëve, atëherë Kosova shpallet shtet jofunksional. Me fjalë të tjera, Beogradi është ai që po i caktoka performansat se si duhet të duket shteti i Kosovës (!)

Të shohim a do të pranohet ky narrativ i Beogradit në Bruksel dhe të presim si do të trajtohet qëndrimi i kryeministrit Kurti, i cili ka kërkuar që Kosova në dialog të mos jetë objekt, por palë bisedimesh.

Delegacioni i Kosovës që merr pjesë në dialogun me Serbinë duhet të ketë edhe këshilltarë të specializuar që e njohin mirë çështjen e shqiptarëve të Serbisë së jugut, si në aspektin historik e gjeografik, ashtu edhe në aspektin aktual e diskriminues. Kjo edhe për faktin se Serbia po kryen në mënyrë sistematike një diskriminim të heshtur, por tepër të vrazhdë ndaj popullatës së këtij krahu etnik, duke ua pasivizuar adresat, duke i detyruar t’i kryejnë obligimet doganore disa kilometra larg dhe duke reduktuar në maksimum shërbimet civile e administrative,  vetëm e vetëm që ata të detyrohen të shpërngulen nga trojet e tyre.

Nëse kryeministri Kurti arrin që në pakon e bisedimeve të përfshijë edhe problemet shqiptarëve të Serbisë së jugut, ky do të ishte një detyrim moral e patriotik i tij, por edhe një alarm për Evropën e cila që moti i ka të zgjidhura këto çështje të karakterit civil.  

Prishtinë, 14 qershor, 2021