Bashkimi Evropian ra dakord të hënën që të vendosë sanksione kundër Bjellorusisë, përfshirë ndalimin e përdorimit të hapësirës ajrore dhe aeroporteve të bllokut 27 vendesh nga linjat ajrore bjelloruse, si reagim ndaj devijimit të detyruar të një avioni pasagjerësh për të arrestuar një gazetar të opozitës.
Udhëheqësit e BE-së e kanë denoncuar “rrëmbimin” e avionit Ryanair që po fluturonte nga Greqia në Lituani të dielën dhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të gazetarit Raman Pratasevich, një kundërshtar kryesor i Presidentit autoritar të Bjellorusisë Alexander Lukashenko.
Një videoklip i shkurtër i gazetarit Pratasevich, që kishte drejtuar një aplikacion popullor mesazhesh që luajti një rol qendror në ndihmën në organizimin e protestave masive kundër Lukashenkos, u shfaq në televizionin shtetëror Bjellorus të hënën në mbrëmje, një ditë pasi ai nxorr nga avioni i kompanisë Ryanair.
Pratasevich tha se ai ishte me shëndet të kënaqshëm dhe tha se trajtimi i tij në paraburgim ishte “maksimalisht korrekt dhe në bazë të ligjit”. Ai shtoi se po u jepte dëshmi hetuesve rreth organizimit të trazirave masive.
Në një reagim të shpejtë në Bruksel, udhëheqësit e BE-së u kërkuan gjithashtu të gjithë agjencive ajrore me bazë në BE të shmangin fluturimin mbi Bjellorusi, ranë dakord të vendosnin sanksione ndaj zyrtarëve të lidhur me devijimin e fluturimit të dielën dhe i kërkuan Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil të fillojë një hetim për ngjarjen që ata e shohin si një veprim të pashembullt dhe që disa thanë se ishte terrorizëm shtetëror ose pirateri.
Agjencitë Lufthansa e Gjermanisë dhe KLM e Hollandës i kanë ndaluar fluturimet mbi Bjellorusi.
Teksti u miratua me shpejtësi nga udhëheqësit të cilët ishin të vendosur të përgjigjeshin me një “reagim të fortë” ndaj incidentit për shkak të “rrezikimit serioz të sigurisë së aviacionit dhe pasagjerëve në bord nga autoritetet Bjelloruse”, sipas një zyrtari të BE me drejtpërdrejt njohuri për diskutimet i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për bisedimet private.
Ryanair tha se kontrollorët bjellorusë të fluturimit i thanë ekuipazhit se kishte një kërcënim bombe kundër aeroplanit ndërsa po kalonte nëpër hapësirën ajrore të Bjellorusisë të dielën dhe e urdhëroi atë të ulej.
Ushtria bjelloruse dërgoi një avion luftarak MiG-29 në një përpjekje të dukshme për të detyruar ekuipazhin e avionit që të respektojë urdhërat nga komanda bjelloruse e fluturimeve.
Autoritetet e Bjellorusisë arrestuan më pas aktivistin, gazetarin dhe kritikun e Lukashenkos. 26 vjeçari Pratasevich dhe e dashure e tij ruse u morën nga avioni menjëherë pasi ai u ul, dhe autoritetet nuk kanë thënë se ku po mbahen. Fluturimi Ryanair FR4978, i cili u nis nga Athina u lejua të vazhdonte udhëtimin për në Vilnius, Lituani.
Presidenti amerikan Joe Biden u informua për incidentin dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan e ngriti çështjen në një telefonatë me sekretarin e Këshillit Rus të Sigurisë, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki. Ajo shtoi se administrata dënoi atë që ajo e quajti “akt tronditës” të devijimit të një fluturimi për të ndaluar një gazetar.