Nga Ndriçim Kulla
“Si thua, a do të hapen negociatat me Bashkimin Europian?”, më pyeti berberi tek i cili shkova të qethem dhe shtoi: “Do Zoti dhe hapen se ka rënë shumë puna, nuk kanë para njerëzit”. Të njëjtën pyetje me pak a shumë të njëjtin konstatim ma kanë bërë këto ditë edhe gazetashitësi, kasapi në lagje, shoferi i taksisë me të cilin m’u desh të udhëtoja gjatë ditës, hidrauliku të cilin e thirra për një punë në shtëpi, kamerieri që më serviri kafen në lokalin ku e pi zakonisht, dhe për habinë time madje edhe llustraxhiu tek i cili lustrova këpucët.
“Do të hapen, apo nuk do të hapen?”. Kjo është tema e ditës. Edhe pa u përmendur se çfarë duhet të hapet, sigurisht që të gjithë e dinë se është fjala për vendimin që do të marrë Bashkimi Europian në fund të muajit për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Shumica as që e dinë përse bëhet fjalë, por sidoqoftë presin diçka të madhe. Berberi, gazetashitësi, kasapi, shoferi i taksisë, hidrauliku, kamerieri, lustraxhiu, të gjithë pyesin kështu sepse kanë dëgjuar qeverinë e cila prej muajsh ka zhvilluar një propagandë të madhe për hapjen e negociatave, aq sa te njerëzit është krijuar përshtypja se me hapjen e negociatave do të përfitojmë të mira materiale që nuk i kemi parë deri tani. Publiciteti që i ka bërë qeveria kësaj ngjarjeje është si në atë përrallën “Hapu Sezam!”. Kryeministri qëndron para portës së thesareve dhe kur ai thotë fjalët magjike, ia prish opozita me fjalë të këqija e porta nuk hapet.
Nëse nuk hapet “sezami” (negociatat), atëherë faji do të jetë i opozitës, është nënkuptimi i të gjithë kësaj zhurme. Sikur vallë ata në BE, qoftë në zyrat e Brukselit, qoftë në qeveritë e vendeve skeptike, siç quhen tani, nuk kanë vetë mundësi informimi por do të gënjehen nga opozita shqiptare. Me këtë mënyrë të foluri qeveria vetëm sa i jep opozitës, në sytë e shqiptarëve, një ndikim të tillë në Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve të BE-së, të cilin realisht opozita nuk e ka.
Në fakt, të tillë pritshmëri për një vendim të BE-së që ka lidhje me Shqipërinë duhet të kishte kur të vinte dita që vendi të pranohej anëtar i BE-së. Sepse atëherë arritja do të ishte diçka konkrete. Ndërsa tani vështirë se bëhet fjalë për një gjë të prekshme, edhe nëse vendimi është pro. Sigurisht që hapja e negociatave është një arritje me rëndësi në procesin e integrimit të vendit në BE, por jo në kuptimin e atyre që mendojnë se do të kenë përfitime konkrete të prekshme. Shumica e tyre do të zhgënjeheshin shumë nëse do të mësonin në mënyrë të detajuar se çfarë është hapja e negociatave dhe se realisht konsistonin në çeljen e 35 kapitujve me çështje nga më të ndryshmet, që nga ekonomia, mjedisi, siguria, drejtësia etj., për të cilat Shqipëria do të merret në provim nga BE dhe secila prej këtyre 35 dosjeve nuk do të mbyllet deri kur BE të mos ketë krijuar bindjen se ne kemi arritur nivelin e kërkuar në fushën përkatëse.
Nëse do të isha për një minutë në vend të Kryeministrit Rama, në situatën kur ka një iluzion kaq të madh te publiku për hapjen e negociatave, ndoshta do të trembesha më shumë nga një vendim pozitiv i BE-së se nga një vendim negativ. Këtë e them se që nga fundqershori i këtij viti, kur pritet të hapen negociatat deri në qershorin e ardhshëm ka një vit të plotë, gjatë të cilit do të ezaurohet pritshmëria e shqiptarëve për përfitimin nga hapja e negociatave. Apo edhe fakti që nga fundqershori i këtij viti deri në qershorin e vitit 2021, kur mbahen zgjedhjet parlamentare të radhës, janë plot tre vjet, një kohë më se e mjaftueshme kjo që të gjithë ata që prisnin me durim diçka të llojit “sezam” nga hapja e negociatave, pra shumica e shqiptarëve që kanë dëgjuar ato që thotë qeveria, të zhgënjehen plotësisht.
Meqenëse qeveria ka bërë edhe po bën një lojë propagandistike ndaj opozitës kohët e fundit, duke e fajësuar këtë sikur po lobon kundër hapjes së negociatave, atëherë dhe opozita ka të drejtë që t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë, por ama vetëm pas hapjes së negociatave, kur lufta politike e palëve do të ketë pasoja vetëm në terrenin e brendshëm, pra në rritjen ose uljen e numrit të mbështetësve të secilës palë. Nëse merret vendimi për hapjen e negociatave, opozita, në ditët në vazhdim, nuk mund të mos luajë me këtë “as” që i ka ofruar qeveria, duke iu thënë atyre (opozita) se qeveria është e paaftë të sigurojë përfitimet ekonomike nga hapja e negociatave. Sigurisht që qeveria do të bërtasë se kjo është gënjeshtër, se nuk ka të tilla, por sa vlen ama! Sepse qeveria do të ketë rënë në kurthin që ngriti vetë.
Kështu, nëse hapen negociatat, për opozitën do të hapet një “Sezam” politik në periudhën pas negociatave, në kuptimin që zhgënjimi i njerëzve është aset për çdo opozitë në botë. Qeveria pritet që ta keqpërdorë shumë politikisht hapjen e negociatave nëse e arrin, duke e fryrë tej mase këtë arritje. Në këto kushte opozita ka të drejtë që t’i kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë, duke luajtur me pritshmëritë e tepruara që iu nxitën shqiptarëve nga qeveria para marrjes së vendimit të BE-së.
Negociatat me BE-në, në mos tani në qershor, do të hapen në fund të vitit të ardhshëm, kështu që kjo histori me “Sesam” vetëm sa do të shtyhet pak në kohë. Dhe “S’kemi parë gjë akoma!”. (MAPO, 12.06.2018)