Së shpejti në këtë listë edhe vaksina kineze “Sinovac”
Organizata Botërore e Shëndetësisë liston vaksinën e firmës amerikane Moderna, në listën e rekomandimeve për përdorim urgjent. Vendimi i ekspertëve të OBSH-së është një rekomandim bindës që u mundëson shteteve të botës të përshpejtojnë proceduar për lejimin e injektimit në masë të dozave të kësaj vaksine për imunizimin e popullatës kundër koronavirusit.
Vendosja në listën e vaksinave të rekomanduara përbën po ashtu parakusht që Moderna të furnizojë edhe nismën COVAX për doza të mjaftueshme për vendet e varfra.
Vaksina e Modernës ka ndër nivelet më të larta të efikasitetit në 94% dhe përdor të njëjtën metodologji inovative me atë të firmave Pfizer, duke krijuar imunitet anti-COVID përmes lajmëtarit të ARN-së. Kjo vaksinë është e pesta që merr lejen urgjente të OBSH-së, pas Pfizer, dy varianteve të AstraZeneca dhe Johnson and Johnson.
Në shqyrtim për përfshirjen në listën e rekomandimeve të OBSH-së janë edhe vaksinat kineze Sinofarm e Sinovac që po përdoret për imunizimin masiv edhe në Shqipëri. Studimet kanë treguar efikasitet të lartë të këtyre dy vaksinave për shmangien e rasteve të rënda dhe vdekjeve në rast infektimi me COVID-19.