“Puna. Një histori se si e shpenzojmë kohën tonë” është libri i ri i James Suzman, i cili hedh poshtë shumë besime, kulturore më shumë se gjenetike
Punojmë për të jetuar, jetojmë për të punuar. Puna përcakton “pozicionin tonë në shoqëri, përcakton se ku e me kë do të kalojmë pjesën më të madhe të ditës, është ndërmjetësi i vetëvlerësimit tonë dhe një mjet për të përcjellë vlerat në të cilat besojmë”. Dhe mbetet “bindja gjenetike që jemi bërë për të punuar” dhe se ata që nuk punojnë janë persona të cilëve nuk mund t’u besojmë, se nuk do të shkojnë në Parajsë.
Për këtë ka faj edhe vala e gjatë e teorisë së Max Weber e cila njohu në etikën protestante frymën e kapitalizmit. Por a ka qenë gjithnjë kështu? Për antropologun afrikanojufor, James Suzman, në librin “Puna. Një histori se si e shpenzojmë kohën tonë”, absolutisht jo.
Dhe nëse ekonomistët e modernitetit kishin parashikuar një të ardhme të çliruar nga pasojat anësore të mbingarkesës, nga punët e pakualifikuara, përsëritëse dhe me pagë të ulët nga revolucioni i parë dhe i dytë industrial, ja ku jemi në kohën aktuale më shumë të robëruar nga algoritmet. Duket se ka ndryshuar shumë pak në lidhje me cilësinë e sasinë e kohës. Krahasuar me gjysmë shekulli më parë, për shembull, punojmë më shumë, fitojmë më pak dhe nëse një ditë robotët do të na zëvendësojnë përfundimisht, do të jemi edhe më keq.
Përparimi linear duket se ka ngecur, automatizimi nuk është më çelësi kryesor i utopive të ardhshme, duke hedhur poshtë premisat dhe premtimet e bëra nga babai i shkencës ekonomike Adam Smith dhe mbi të gjitha nga John Maynard Keynes, ekonomisti më me ndikim i shekullit XX.
Ky i fundit parashikoi në 1930 që në fillim të shekullit XXI, zhvillimi i kapitalit, rritja e produktivitetit dhe progreset teknologjike do të na çonin në një tokë të premtuar, ku secili prej nesh do të plotësonte lehtësisht nevojat themelore, duke punuar jo më shumë se 15 orë në javë.
Suzman ka një mendim të kundërt: “Ne jemi punëtorë të tjetërsuar. Ne duhet të punojmë për të mbijetuar, por ndërkohë që na thonë se duhet të duam atë që bëjmë dhe se vendi i punës është si një familje, është gjithnjë e më e vështirë të gjesh një punë që ka vërtet kuptim dhe paguhet në mënyrë të denjë”.
Autori gjurmon historinë e punës së njerëzve, nga origjina e saj deri në ditët e sotme: midis antropologjisë dhe zoologjisë, fizikës dhe biologjisë evolucionare, ekonomisë dhe arkeologjisë. Miti i virtytshëm, ende bashkëkohor për ne: zanafilla e tij mund të nisë 12 mijë vjet më parë, me lindjen e bujqësisë, dhe më pas me lindjen e qyteteve dhe shfaqjen e makinerive
Në anën tjetër, antropologu James Suzman ka studiuar fisin Ju’hoansi në Afrikën e Jugut për dekada. Deri në vitet 1960, këta gjahtarë-mbledhës punonin vetëm 15 orë në javë, siç kishte parashikuar Keynes me saktësi. Ata gjuanin, mblidheshin, organizoheshin për të ngrënë dhe çlodheshin me dinjitet në mjedise të mbyllura. Në pjesën tjetër të ditës dhe javës, çlodheshin, pa u shqetësuar ose pa ndjenjë zhgënjimi për “produktivitetin e dobët”.
Ata gjenin dhe kishin gjithnjë gjithçka që u duhej, pa ndonjë problem në furnizimin me ushqim ose dëshirën për posedim dhe të tepërt. Për ne perëndimorët, që i kolonizuan dhe u përpoqëm t’i shndërronim në paradigmën tonë, mosinteresimi i këtyre njerëzve tingëllonte i pakonceptueshëm, tregues i një mospërfillje primitive; për ta, nga ana tjetër, ata të çuditshmit ishim ne, me ekonominë tonë të tregut dhe pasojat zhgënjyese. si dhe një gare të çmendur drejt rritjes së pafund. Fakti është që për 95% të historisë sonë, qasja jonë ndaj punës ishte identike me atë të Ju’hoansi.
Ne punojmë mjaftueshëm për të përmbushur nevojat tona të menjëhershme. Ne nuk kemi ruajtur asgjë. Ne nuk kemi dëshiruar për ditë të shkurtra ose krijimin e një të ardhure universale, siç kërkohet tani nga shumë për të zbutur ashpërsinë e liberalizmit dhe krizën ekonomike si pasojë e pandemisë. Një herë, thotë James Suzman, një pjesëtar i fisit Ju’hoansi e mësoi atë si të gjuante në shkretëtirën e Kalahari. Dhe ai i tha: “Kur kalon ditën në gjueti dhe kthehesh në shtëpi për të shijuar atë që ke kapur, zemra është e lumtur, këmbët të rënda dhe barku plot”.
Burimi: Vanity Fair