Takimet informuese të Këshillit të Sigurimitpër Kosovën mblidhen në bazë të rezolutës 1244 të vitit 1999. Sipas saj, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, duhet të informojë rregullisht anëtarët e Këshillit të Sigurimit për aktivitetet e misionit të OKB në Kosovë. Para zhvillimit të takimit, anëtarët e Këshillit të Sigurimit marrin raportin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe në bazë të tij dhe të politikës së vendit që mbulojnë përgatisin deklaratat. Raporti aktual përfshin periudhën shtator 2020- mars 2021. Presidencën e radhës në Këshillin e Sigurimit në muajin prill e mban Vietnami.
Takimi zakonisht fillon me fjalën e shefit të UNMIK-ut, që aktualisht është Zahir Tanin. Pastaj fjalën e merr përfaqësuesi i Serbisë, ministri i Jashtëm apo ambasadori pranë OKB. Pas tij flet ministri i Jashtëm i Kosovës ose ambasadori i Kosovës në SHBA, vend që e ka njohur Kosovën si shtet. OKB nuk e ka njohur ende Kosovën si shtet, megjithë mbështetjen që i jep. Që ta bëjë këtë duhet që gjithë vendet me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të japin „Po-në”. Nga pesë shtetet me të drejtë vetoje, tre e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara kurse dy nuk e mbështesin. Kështu ka qenë në vitin 1999, kështu është edhe sot, më 2021. Sipas OKB, misioni i UNMIK-ut sot është të promovojë sigurinë, stabilitetin dhe respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Protesta e përfaqësuesit rus
Takimin e Këshillit të Sigurimit për Kosovënmë 13 prill 2021 e drejtoi ambasadori i Vietnamit pranë OKB, Dang Dinh Quy. Takimi ishte video- konferencë e hapur për publikun midis 19 pjesëmarrësve, 13 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit dhe 6 të ftuarve, ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, shefit të UNMIK-ut Zahir Taninit, ministrit të Jashtëm të Serbisë, Nikola Selakovic,
Sapo ambasadori i Vietnamit filloi të merrte votat për procedurën e mbajtjes së takimit, përfaqësuesi i Rusisë, shprehu indinjatën që ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla shfaqej në video me flamurin e Kosovës, “shtet që nuk është njohur nga bota”. Ai i kërkoi ministres të largojë flamurin e Kosovës, si kusht për të marrë pjesë në takim.
Ambasadori i Vietnamit kujtoi se pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në takim bëhet sipas rregullit 39, të procedurës së mbajtjes së takimit. Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, kujtoi se takimi është informues, nuk është takim ku merren vendime kështu që nuk ka pse ministrja Gërvalla të ndryshojë sfondin e prezantimit. Kujtojmë se në takimin e kaluar të Këshillit të Sigurimit, i njëjti incident u shkaktua nga Serbia.
UNMIK: Ndihmë për Kosovën në luftë kundër pandemisë
Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, kërkoi ndihmë për Kosovën në luftën kundër pandemisë së COVID-19, e cila ka pasur dy momente dramatike infektimi të madh një në nëntor dhe një që ka filluar në mars dhe që po vazhdon deri tani. “Numri i infektimeve ka arritur tani pikën kulminante,” tha Tanin duke shpjeguar se virusi ka infektuar në Kosovë mbi 100 mijë vetë dhe ka shkaktuar vdekjen e 2 mijë të tjerëve, një nga nivelet më të larta për frymë. Ai tregoi se 24 mijë doza vaksine që kanë mbërritur në Kosovë në fund të marsit, kanë shënuar fillimin e programit të vaksinimit dhe kërkoi ndihmë për vaksinimin, duke pasur parasysh nivelin e madh të infektimeve dhe shpërndarjen e virusit.
SHBA e BE: Kosova e Serbia të veprojnë si europianë
Ambasadori i SHBA pranë OKB, Richard Mills, vlerësoi mbajtjen e zgjedhjeve të lira në Kosovë si dhe përpjekjet e bëra në promovimin e të drejtave të grave. Ai premtoi bashkëpunim me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, për rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë qeveritare, luftimin e korrupsionit, përmirësimin e ekonomisë dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ambasadori amerikan shprehu mbështetjen për dialogun e kryesuar nga BE. „Tani që është formuar qeveria e Kosovës, ne presim që në një të ardhme të afërt, përfaqësuesi i BE të mbledhë palët,” tha Mills i cili theksoi se palët kanë bërë përparime, „gjë që ka kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve si në Kosovë edhe në Serbi”. Duke iu kthyer takimit shqiptaro- serb në Shtëpinë e Bardhë në shtatorin e 2020, ai tha se „ka shumë për të bërë dhe koha nuk pret”.
SHBA i bëjnë thirrje palëve të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme dhe t’i qasen dialogut me pragmatizëm dhe produktivitet, me synimin e arritjes së marrëveshjes së normalizimit. Ashtu si ambasadorët e mëparshëm edhe ambasadori Mills tha, se UNMIK e ka përmbushur detyrën që ka pasur dhe duhet mbyllur. Ai i bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të vendosin për mbylljen e UNMIK-ut, për të përmirësuar më shumë rolin e OKB në ndihmë të Kosovës. Ambasadori amerikan përshëndeti përmirësimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Izraelit, si kontribut në vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në Lindje të Afërt.
Ambasadori i Francës pranë OKB, Nicolas de Riviere ftoi Serbinë dhe Kosovën që të veprojnë si europianë në arritjen e kompromiseve. „Kosova ka tani institucione të qendrueshme, që do t’i krijojnë mundësinë të kapërcejë sfidat, sidomos në bërjen e reformave,” tha ambasadori francez, i cili shprehu mbështetjen e Francës dhe BE në ndihmë të Kosovës. Sfidat janë përveç luftës kundër pandemisë, zhvillimi ekonomik dhe social, forcimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Franca është e bindur se për Kosovën dhe Serbinë nuk ka rrugë tjetër veç arritjes së marrëveshjes finale, dhe për këtë mbështet përpjekjet që bën Miroslav Lajçak, i dërguari special i BE.