Turmat e studentëve që vërshojnë në plazhet e qytetit Miami Beach në Florida, për pushimet e pranverës, janë bërë aq të pakontrollueshme saqë autoritetet vendosën një ndalim-qarkullimi të shtunën që shpresojnë se do t’i mbajë ata larg mbrëmjeve festive.
Vizitorët do të duhet të largohen nga rrugët dhe restorantet do të mbyllin dyert e tyre në orën 8 të darkës, në zonat kryesore turistike në pjesë që njihet si “South Beach”, epiqendra e skenave të mbrëmjeve festive në qytet, njoftuan autoritetet.
Përveç kësaj, të tre urat që lidhin ishullin me pjesën kryesore të Miamit do të jenë të mbyllura për trafikun pas orës 22:00.
Vetëm banorët, punëtorët dhe klientët e hoteleve do të kenë qasje.”Kjo ka të bëjë me sigurinë publike,” tha Raul Aguila, drejtuesi në detyrë i qytetit.
Ky veprim pasoi disa javë festimesh të shfrenuara në plazhin e qytetit Miami, vend i njohur për turma të pakontrollueshme për pushimet e pranverës.
Por këtë vit vëllimi është dukshëm më i lartë se në vitet e mëparshme, tha kryebashkiaku i qytetit Dan Gelber.
“Mendoj se kjo është pjesërisht për shkak të faktit se ka shumë pak vende të hapura në Shtetet e Bashkuara, ose kanë sezon shumë të ftohtë,” tha ai.
Gjatë disa ditëve të fundit janë shfaqur video virale që tregojnë zënka në restorante duke shkaktuar përveç dëmeve serioze edhe nxitjen e klientëve për t’u larguar pa paguar fatura të shtrenjta, sipas raportimeve të medias lokale.
Shefi i policisë së qytetit Miami Beach, Richard Clements tha se është i shqetësuar se situata do të bëhet e pakontrollueshme.
Të enjten në mbrëmje “patëm një problem ku qindra njerëz vrapuan në një njëjtën kohë. Tavolinat dhe karriget u hodhën dhe u përdorën si mjete për dhunë,” tha ai.
Zoti Clements shtoi se policia kishte shpresuar që kjo do të ishte një ngjarje e vetme, por “natën e kaluar kishim tre situata të tilla dhe një zonjë e re u lëndua si rezultat i përpjekjes për t’u larguar nga një turmë”, tha ai.