TRUALLI I RI I BANIMIT, GENET E LIDHJET FAMILJARE, FËMIJËRIA E RINIA, SHOQËRIA, SHKOLLIMI…

Homazhnderim të kujtimit e veprës heroike të Azem Ali Meshit -“Dëshmor i Atdheut”, i nderuar me “Dekorata eArtë e Shqiponjës”, “Qytetar Nderi” i Kamzës, një rrugë në Tiranë mban emrin e tij, etj.- 

Pasi m’u kërkua për të dhënë kujtime e konsideratat e mia për Azem Ali Meshin nuk hezitova ta bëj një gjë të tillë, pasi pashë e ndjeva se përpara e përballë meje në lirshmërinë time të të shprehurit nuk më del asnjë pengesë morale që të më frenojnë, kushtëzojnë apo imponojnë qëndrimin tim për t’u shtirur ndaj askujt e në asnjë rradhë e fakt të shkrimit. Përkundrazi, e ndiej si një detyrim timin moral për të shprehur natyrshëm e mirësisht ato që di, ndjej e vlerësoj nga ana ime për Azem Ali Meshin e rrethin e tij familjar nga rrjedh genetikisht e lartësisht prej atij trualli të Meshëve të Kosturrit të Hasit të Shqipërisë, ku u rrit e edukua deri në flijimin si martir i kombit të vet.

Për rastin në fjalë po shprehem, jo për të vijuar në trillet e një tradite të njerëzishme që shpesh herë vijon vetvetishëm ndër malësorë dhe jo vetëm ndër ta, për të folur vetëm mirë e për mirë për të ndjerët, kur ata i “lajnë gjynahet” me të mbyllur sytë e tyre përgjithmonë, pasi kjo traditë sado e mirë të jetë nuk do ndikonte në mua për të qenë formal, së paku për të folur për mirë kur nuk është e vërtetë një gjë e tillë, po të mos isha në pajtim me ndërgjegjën time, por në këtë rast nuk hezitova të flas ato që di e ndjej e shprehem pasi të gjitha janë të vërteta.

Unë kam pasë rast që të mësoja për familjen e Ali Ukshin Meshit, babait të Azem Meshit, që në fëmijërinë time, sepse ai i ka pasë të dy motrat e tij, që i bie të jenë dy hallat e Azemit, në fshatin tim të lindjes e të rritjes, në Çorraj-Viliq të krahinës së Bytyçit të Tropojës.

 Ato kanë qenë Gjyl Ukshin (Meshi) Gjedia, e martuar për Jakup Sali Gjedinë e Çorrajve, kushëri i joni, komshi të afërt me prindërit e mi emigroi  në Jugosllavi dhe Razë Ukshin (Meshi) Geci, e martuar për Ali At’hem Gecin e Viliqit, me të cilët prindërit e mi dhe, më pas, edhe ne fëmijët, kemi pasë lidhje dhe mbarvajtje familjare të mira.

Kjo nuk do të mjaftonte për të qenë aq shumë tema bisedash në familjen time, po të mos kishin qenë mbarëvajtja në mes nesh dhe fakti që  Jakup Sali Gjedia të mos kishte qenë kushëri i yni, i cili nuk e kishte përballuar persekutimin klasor e nënshtrimin e tij karshi regjimit komunist, ndaj ai familjarisht, që në vitin 1952, kishte emigruar në Jugosllavi, si emigrant politik.

            Mes tjerash, pas emigrimit të tyre në Jugosllavi, subjekt bisedash, së paku nga nana ime Ajshe Hysenja, ishte edhe Gjyl Ukshinja, gruaja e Jakup Sali Gjediajt, dhe halla e Azemit, të cilën nuk e hiqte nga goja për mirë, si një grue burrneshë e pahnike e një sërë vetish të mira që ajo kishte pasë, por edhe shoqe e saj, sepse ishin ndër të parat nuse në atë brez, të cilat rinonin Vëllazërinë e Gjediajve me prezencë dhe me pasardhës.

Po ashtu, edhe Razë Ukshinja ishte grue e Ali At’hem Gecit të Viliqit, me të cilin familja jonë kishte mbarëvajtje, sepse ai binte si nip i nanës time në Hoxhaj të Gashit dhe çdo herë e si Ali At’hemi, ashtu edhe vëllai i tij, Halil At’hëmi me bijtë e tij, e thirrnin atë teze. Edhe vet unë e kam pasë rastin ta njihja që fëmijë, e cila shquhej si femër stoike malësore, e cila nuk jepej asnjëherë para vështirësive, por ishte dhe mikëpritëse e bujare në çfarëdo rasti e gjendje ekonomike që mund të kishin si familje.

Dua të thheksoj se nuk bante vaki që të na binte rruga nga shpia e Ali At’hemit dhe si burri i shpisë, Alia, ashtu edhe gruja e tij, Razë Ukshinja, përveçse na lutnin bujarisht për bukë e ujë, pasiqë rrugët ishin të lodhshme e në verë zhuritëse, e të mos shkoqnin në baçen e tyre të pasur, rrush, dardha apo molla jo vetëm me lagë gojën, por me marrë edhe me veti.

Por më mbrapa ndodhi që edhe familja e Ali Ukshin Meshit ishte zhvendosur nga Kosturri i Hasit, sepse tokat e banesat e truallit të tyre ua kishte përmbytur Liqeni Artificial i Hidrocentralit të Fierzës, të cilët u vendosën në Qytezën me baraka të drunjta e disa pallate në Kam-Qendër të Krahinës së Bytyçit, nga ku puna e jeta më bani që të njihem më nga afër me këtë familje prej shumë vetash dhe një pjesë të mirë të njerëzve të saj që direkt apo indirekt na lidhte edhe puna sëbashku në ato kohëra.

Di të them se qëndrimi në Kam-Tropojë i familjes së Ali Ukshinit (Meshi) ka vijuar për një kohë të gjatë, duke jetuar në një barakë druri, sikurse ishin të sistemuara të gjitha familjet e “Qytezës së minatorëve”, si dhe duke punuar burrë e grue në minierë e sektorë ndihmës të saj për të mbajtë një familje të madhe prej shumë vetash.

Binte në sy fakti se për Ali Ukshin Meshin dhe Xhemile Sokol Hysenajn (Meshi) nuk ishte e kollajtë për të mbajtur, rritur dhe edukuar 9 fëmijë, të cilët ndonëse në një qendër punëtore të konsiderueshme për ato anë, në të cilën ishin mbledhur nga të gjitha anët, si një përbërje “heterogjene” njohjesh e lidhjesh në mes veti, sikurse ishin nga Hasi, Malësija e Gjakovës, Kukësi e Dukagjini, por që u unifikuan vëllazërisht, mundën dhe arritën që përmes sakrificash t’i kenë fëmijtë e tyre jo vetëm pa vese, por edhe shembull për mirë.

Ishte puna e përkushtuar e Ali Ukshinit dhe e bashkëshortes së tij, respekti që ata gëzonin në kolektivat punuese dhe në Organizatën Frontit Demokratik të Qytezës Punëtore, që karshi tyne të “zbutej” sado-kudo lufta e klasave, e cila i kishte vënë ata në epiqendër të saj, për faktin se Ali Ukshini (Meshi) kishte vuajtur dënim me burg politik, e, po ashtu, edhe dhëndrri i tij, Jakup Sali Gjedia ishte i arratisur në Jugosllavi dhe si e tillë quhej “Familje e deklasuar”, pra armike e Partisë Komuniste të Shqipërisë (PPSH) dhe e “Pushtetit Popullor”.

Pra, njëri nga ata 9 fëmijë të asaj familjeje, ishte edhe Azem Ali Meshi, i cili u dallue jo vetëm ndër fëmijët e tjerë të asaj familje, por edhe ndër fëmijët e moshës së tij në “Qytezën Minatore të Kam-Tropojës”, si dhe ndër shokët e shkollës tetëvjeçare, por edhe asaj të mesme, të cilën me shumë mund e sakrifica arriti që ta mbaronte duke qenë i pari i asaj Familje që po përparonte në arsimim dhe si e tillë ishte edhe një shpresë e veçuar për vëllezërit e motrat e tjera duke iu hapur atyne shtigje më të mira për perspektivën, për të ardhmen e tyre.

 Edhe shokët e tij të klasës, por edhe ata të Shkollës së Mesme “Murat Paci” në Pac të Tropojës, ku ai u arsimue për katër vite, jo vetëm se e kujtojnë Azem Ali Meshin me mallë, por edhe shprehen për Azemin me konsiderata të larta si shok shkolle, si nxënës dhe si njeri.

Ndër ata shokët e klasës së Azem Ali Meshit, pata rastin e mundësinë që të bisedoja edhe me Arben Isa Gjedia, i cili jo vetëm se ka mësuar katër vite të shkollës së mesme me Azemin, por edhe e bënin së bashku një pjesë të mirë të rrugës së gjatë për në shkollë dhe në kthim prej saj.

               Arben Isa Gjedia, vllau im, flet me konsideratë të lartë se si Azem Ali Meshi, edhe pse udhëtonte disa orë rrugë së bashku me Petrit Muzli Jahelezin e Kamit të Epër (Kam-fshat) dhe me disa vajza të Kamit të Poshtëm (Kam-qytezë), dallohej për mbarvajtje me shokët dhe shoqet, sikur të ishin vëllezër dhe motra së bashku, por edhe në mësime ishte mirë dhe kishte arritur rezultate të lavdërueshme.

Arbeni i kujton me konsideratë, me respekt, por edhe me shumë mallë disa episode nga jeta e tyre rinore me Azem Meshin e Petrit Jahelezin, të cilët jo vetëm se ishin shokë shkolle dhe klase, por edhe jashtë shkolle një pjesë të mirë të rrugës nga Paci, ku e kishin shkollën e deri në Çorraj, tek shtëpia e tij, e bënin së bashku, dhe ishin më të lidhur me njëri-tjetrin. Jo vetëm kaq, por sikurse tregon Arbeni, kur arrinin te shpia e tij në Çorraj, pushonin aty me hatër dhe me “zort”pas asaj rruge të gjatë në shi, borë e vapë, për ndonjë kashore bukë, ujë apo me e lagë gojën me ndonjë pemë kur përvëlonte vapa. Ai tregon se: “kur ishte koha e mirë, si vëndqëndrim thuajse të përhershëm, kemi pasë hijen e manit të zi, në livadh poshtë shtëpisë sonë, ku sapo arrinim aty nga shkolla, uleshim, pushonim, flladiteshim dhe duke biseduar njomeshim me ndonjë pemë apo si t’i vinte kur ishim disi të këputur unit edhe hanim ndonjë copë bukë me çfarë të qëllonte për ta njomur”.

Arbenit i kujtoheshin si sot ato çaste, që binin në sy për të veçantat që kishin, se që në mjes herët, sapo kishte zbardhur dita, fektonin në Qafën e Kamit e ajo qafë mbushej me nxënës që vinin nga Kami për në Shkollën e Mesme “Murat Paci” në Pac, duke i dhënë asaj rruge që herët një gjallëri rinore.

 Arbeni kujton se në klasë me të, veç të tjerëve, vinin së bashku nga Kami: Azem Ali Meshi, Afërdita Prengzi, Elida Pepniku, Farije Mulgeci, Fatime Thaçi, Nazmije Prengzi, Petrit Jahelezi, Pranvera Jahelezi, Sanije Saraçini, Xhbane Janelezi, Vera Miftar Koka. Po ashtu nga Kami vinin për të na dhënë mësim edhe profesor Hamdi Jahelezi, i cili i shoqëronte nxënësit në ditët e vështira, me mot të keq e me dëborë; Xhafer Hoxha – i cili na jepte lëndën e pregaditjes fizike, si dhe në disa vite edhe Gani Jahelezi – i cili na e ka dhënë lëndën e fizikës.

Ishin vite të paharrueshme, kur kishte gjallëri në klasë, në shkollë, në aktivitetet sportive dhe kulturoro-artistike, por edhe gjatë rrugës vajtje-ardhje nga shkolla ku të gjithë ishim si vëllezër dhe motra me njëri-tjetrin dhe silleshim me edukatë.

              Asaj mbarvajtjeje në mes shokëve dhe shoqeve të klasës i kontribuonte më së shumti edhe Azem Ali Meshi, i cili ishte i shkueshëm dhe i afrueshëm me çdonjërin prej nesh.

            Arbeni thotë se, çdonjërit prej shokëve dhe shoqeve të klasës dhe jo vetëm ne, na ra si bombë e papritur lajmi kur mësuam humbjen e parakohshme të shokut tonë të mirë, Azem Ali Meshi, i cili ishte në kulmin e rinisë së tij.

            Atë lajm të trishtë e pritëm jo vetëm me keqardhje, por me dhimbje të thellë saqë nuk e besonim atë që kishte ndodhur dhe se nuk do të kishim mundësinë që të takoheshim përsëri me shokun tonë të mirë, i cili u nda nga familja, njerëzit e tij të afërm por edhe nga shokët para kohe”- i përfundon kujtimet e paharrueshme e  konsideratat e tij të mira Arben Isa Gjedia.

Pra, Azemi, nga ana e tij, në gjallje të tij, nuk e pati të lehtë rrugën e jetës, arritjet e tij.

              Atij i rá që me luftë dhe përpjekje të sfidonte pengesat dhe vështirsitë e shumta që i përballoi fort e mirë, si gjendjen e tij ekonomike, persekucionin e tij klasor, por veçse vullneti dhe dashuria për arsimin dhe etja për dijen e bënë atë që të udhëtonte kilometra e orë të tëra mes malesh dhe qafa malesh, në shi, borë e suferinë për të vijuar shkollën e mesme, prej nga Kami në Pac të krahinës së Bytyçit dhe në kthim për në Kam. Dhe, ai, ja doli me sukses.

            Edhe gjatë fëmijërisë së tij ishte i shquar për shkathtësi e urtësi, i apasionuar pas lodrave dhe për to kishte fantazi në sajimin e tyre, po ashtu edhe pas notit, peshkimit, leximeve jashtëshkollore, etj.

Azem Ali Meshi e kishte dëshirë të madhe të merrej me kuajt, pas të cilëve ishte i apasionuar dhe për këtë binte në sy, jo vetëm për përkujdesjen ndaj tyre, por edhe në kalërim me kuaj, ku në garat që organizonin shokët në livadhe dhe rrugë të makinës, ai dilte i pari në to.

Ai, Azemi, si fëmijë i rritur me halle të shumta, si shumica e malësorëve të asaj periudhe, por dhe si familje e persekutuar politikisht, hallet i ka pasë ma të mëdha sesa të tjerët, jo vetëm se nuk ra në prehrin e së keqes për të marrë vese jo të mira, por u dallue për sjelljen e tij shembullore, në familje, në lagje, si dhe në shkollë e kudo.

Një rast për t’u veçuar është edhe ajo sa binte në sy për mirësjelljen e tij të spikatur edhe për vet faktin se në të gjitha ato raste kur Azemi dhe nxënës të tjerë nuk gjenin makina për të udhëtuar me to, kryesisht skodat Çeke të transportit në të cilat hipnin mbi ngarkesën e kromit, rruga u binte të udhëtonin në këmbë nëpër Çorraj dhe mespërmes lagjes Gjediaj. Pra, jo vetëm në të ftoftë dhe në shi, por edhe pranverës, verës e vjeshtës, rrugë kalimi jo vetëm i tij, por edhe i shumë nxënësve të tjerë, që kalonin nga Kami, për në shkollë, binte mes përmes baçeve tona me pemë dhe perime që ndodheshin në lagjen e Gjediaje, dhe përkundër dëshirës së stomakut, i cili ishte i boshatisur pas shumë orësh mësim dhe udhëtimi të gjatë, Azemi dhe ai brez i edukuar të rinjshë, nuk e preknin vetë asnjë kokërr kumbull, rrushi apo mollë, edhe pse drumtarëve që merrnin atë rrugë nuk ua ndalonte kush ndonjë herë për ta lagur gojën me ndonjë pemë.

Edhe pse ai kishte lindur në fshatin Kosturr të Hasit, jo se traditat tona kanë ndonjë diferencë në mes tyre, por meqë ishte rritur dhe edukuar në krahinën e Bytyçit, po ashtu ishte nip Bytyçi, e pikërisht i Sokol Ram Hysenajt të Çorraje, një shtëpi me tradita dhe e përmendur për mirë, si dhe shokët e fëmijërisë i kishte të shumtë aty, ai e konsideronte veten me krenari si bytyças të devotshëm.

Si shumë të tjerë, me krijimin e kushteve në demokraci pas shembjes së sistemit monist, si dhe krijimit të lehtësirave për të migruar dhe lëvizur brenda vendit, ai u vendos me banim dhe punë në Tiranë, por nuk e shkëputi asnjëherë lidhjen me vend-origjinën, vendin ku u rritë dhe u maturua, si dhe me shokët që pati dhe krahinën e Bytyçit, në të cilën gjente shumë mallë për gjurmët e jetës së tij dhe të familjes së tij, si dhe kujtimet e bukura të fëmijërisë.

Gjatë karrierës së tij me uniformën e policisë jo vetëm se e fitoi admirimin e shokëve dhe eprorëve, duke qenë korrekt, i edukuar si dhe fanatik në zbatimin e ligjit për ruajtjen e rendit e të qetësisë, por edhe të komunitetit kudo ku ai ka shërbyer.

     Ato parime dhe norma morale dhe profesionale, me të cilat ishte mbruajtur që në vegjëli, banë që ai jo vetëm të mos neglizhonte në ballafaqim me shkelësit e ligjit, por edhe pse jashtë orarit të shërbimit e të mos hezitonte për t’u përballur me keqbërësit duke rënë pré e plumbave të tyre që i morën jetën, e sot, Azem Ali Meshi, është i shpallur “Dëshmor i Atdheut”.

Jo vetëm për rastin e kobshëm, që i mori jetën heroit në lulen e rinisë, i cili është një akt i dënueshëm në çdo rast që ka ndodhur dhe mundet të ndodhë, por kush e pati rastin dhe e njohu nga afër Azem Ali Meshin, ndodhi që sapo e mësuan për vrasjen e tij kriminale, e pritën atë lajm me keqardhje të thellë për humbjen e jetës së tij duke mos hezituar t’i jepnin atij me nderime lamtumirën për në banesën e tij të fundit.

Por jo vetëm aq, sepse kujtimi për Azem Ali Meshin mbeti i përjetshëm, pasi ai ka lënë gjurmë të patjetërsueshme si një djalë i spikatur, familjar dhe ushtarak shembullor.

Gjesti dhe vepra e tij heroike duke rënë në krye të detyrës në përballje dhëmb-për-dhëmb me krimin dhe të gjithë penguesit për vendosjen e Rendit Demokratik në Shqipëri, janë sot e kësaj dite burim frymëzimi për të gjithë ata, të cilët duan t’i shërbejnë vendit dhe konsolidimit të Demokracisë.

 

          Agron Isa GJEDIA

             Kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren

 

Tiranë, maj 2019