Murtaja, Gripi Spanjoll, dhe sëmundje të tjera epidemike e kanë transformuar rrënjësisht mënyrën se si jetojnë njerëzit

A do ta ndryshojë botën Covid-19?

Po, nëse ajo është e ngjashme me pandemitë e dikurshme. Epidemitë dhe sëmundjet virale, kanë diktuar rregullisht rrjedhën e civilizimit njerëzor, duke vrarë miliona njerëz, dhe duke shkatërruar ekonominë. Por kur secila prej pandemive zhduket, ajo lë pas ndryshime të thella kulturore, politike dhe shoqërore që kanë zgjatur shumë kohë më pas.

Epidemitë më të mëdha në historinë njerëzore, që përfshijnë Epideminë Atheniane, Murtajën dhe Gripin Spanjoll, e kanë shndërruan kujdesin shëndetësor, ekonominë, fenë, mënyrën e socializimit dhe mënyrën e punës. “Pas një pandemie, gjërat nuk janë asnjëherë të njëjta si më parë”- thotë dr.Liam Foks, ish-sekretar i mbrojtjes i Britanisë së Madhe, që i ka studiuar në detaje këto epidemic, në kuadër të një libri që po shkruan. “Dhe shpërthimi epidemik aktual, nuk do të jetë një përjashtim”- shton ai.

Kur ndodhi pandemia e parë?

Pandemia më e hershme e dokumentuar, ka ndodhur gjatë Luftës Peloponeziane në vitin 430 Para Krishtit. Sot besohet se ajo ishte një formë e etheve tifoide. Epidemia goditi në fillim Libinë, Etiopinë dhe Egjiptin përpara se të mbërthente qytetin e Athinës, që në atë kohë ishte e rrethuar nga ushtria e rivales së saj, Spartës.

Tukididi kronikoi në detaje gjendjen e mjerueshme të Athinës në atë kohë, duke përshkruar plagët e të sëmurëve, lëkurën e tyre të kuqe, grykët dhe gjuhët e përgjakura, dhe skenat apokaliptike brenda mureve të qytetit, ku “njerëzit në agoni binin mbi njëri-tjetrin nëpër rrugë”.

Epidemia do të luante një rol përcaktues në humbjen e Athinës përballë Spartës, dhe ndjenja e dëshpërimit, çoi në një rritje të degradimit moral në mesin e popullatës.

Gjatë shumë pandemive, njerëzit gjejnë strehë tek seksi dhe pirja masive e alkoolit, si dhe në rritjen e ndjenjës fetare. Kështu Murtaja Justiniane e vitit 541 Pas Krishtit, nxiti ngritjen e shpejtë të Krishterimit në të gjithë pellgun e Mesdheut.

Po çfarë e shkaktoi Murtajën Justiniane?

Yersinia pestis, një bakter i përhapur nga pleshtat tek minjtë, i njëjti fajtor që fshihet pas njërës prej pandemive më të këqija në historinë e njerëzimit:Vdekjës së Zezë. Pasi mbërriti në Siçili përmes nga një anije tregtare në vitin 1347, Vdekja e Zezë u përhap në mbarë Evropën dhe vrau rreth 200 milionë njerëz, ose deri në 60 për qind të popullsisë së botës në atë kohë.

Njerëzit pësuan një vdekje të tmerrshme, të sfilitur nga dhimbje të tmerrshme, të vjella dhe nga plagë të shumta të mbushura me qelb dhe me gjak në sqetullat dhe ijët e tyre. Gjithsesi kur kjo sëmundje preku Evropën, ajo i detyroi autoritetet të krijojnë masa shëndetësore që zbatohen ende sot.

Venecia e shekullit XIV, urdhëroi periudha të izolimit të të sëmurëve, të quajtur “Quaranta Giorni” “ose siç u njoh globalisht “karantinë ” – për të përshkruar 40 ditët e izolimit të imponuara ndaj pasagjerëve në anijet që bëheshin gati të ankorohehin në port. Inspektimet mjekësore u bënë një praktike e zakonshme, ndërsa në gjithë Evropën u ndërtuan spitale për të kuruar të sëmurët.

Çfarë ndikimi tjetër pati ajo pandemi?

Trashëgimia më e madhe socioekonomike e Vdekjes së Zezë, ishte roli i saj në dhënien fund të feudalizmit. Feudalizmi, ishte një sistem mesjetar që fuqizoi shumë fisnikët e pasur, të cilët lejuan përdorimin e tokës së tyre nga fshatarët, në këmbim të punës së këtyre të fundit:pra me qira, paga, dhe kushte të tjera të përcaktuara nga zotërit e tokës.

Pasi shfarosi një pjsë të madhe të njerëzve që punonin në këto toka, Vdekja e Zezë shkaktoi një mungesë të madhe të krahut të punës. Kjo u dha fshatarëve mundësinë që të negocionin kushtet e reja të punës, çka i dha fund skllavërisë, dhe i hapi rrugën kapitalizmit modern.

Po epidemitë e tjera?

Në vitin 1802, një shpërthim epidemik i etheve të verdha në koloninë Franceze të Shën Domingut (Haiti i sotëm), shkaktoi një zinxhir ngjarjesh që çuan në një shtrirje të madhe të saj në Shtetet e Bashkuara. Epidemia, e shkaktuar nga një virus që transferohej tek njerëzit nga mushkonjat, vrau rreth 50.000 ushtarë franceze që përpiqeshin të kontrollonin Haitin, duke e detyruar Francën që të tërhiqej prej andej.

Humbja e kësaj kolonie të rëndësishme të Karaibeve, ishte aq shumë e dëmshme në aspektin ekonomik për Francën, sa që Napoleon Bonaparti i shiti 2.1 milionë km2 territor francez në Amerikën e Veriut, që shtrihej nga Nju Orleansi në Kanada, presidentit amerikan Tomas Xheferson për vetëm 15 milionë dollarë. Ajo mund të ketë qenë epidemia me më shumë pasoja në historinë e Amerikës, derisa shpërtheu Gripi Spanjoll në vitin 1918.

Çfarë ishte Gripi Spanjoll?

Ishte një shtam virulent i virusit të gripit H1N1, që mund ta ketë pasur origjinën e vërtetë në një fermë shpendësh në Kansas të SHBA-së. Dhe një nga viktimat e saj të para, ishte pikërisht një ushtar amerikan në një bazë ushtarake në Kansas. Në dallim nga epidemitë me origjinë bakteriale të së kaluarës, Gripi Spanjoll ishte një virus, që u bë më vdekjeprurës kur u bashkua me materiale gjenetike nga një virus që infektonte zogjtë.

Duke u përhapur si zjarr i madh në mesin e ushtarëve në llogoret e Francës dhe Belgjikës, dhe më pas në mbarë globin, pandemia ndikoi në rrjedhën e Luftës së Parë Botërore dhe kontriboi me siguri për shpërthimin e të dytës, thotë historiania Laura Spinej, autore e një libër mbi Gripin Spanjoll.

Virusi vrau afërsisht 50 milionë njerëz në të gjithë botën, përfshirë 675.000 amerikanë. Në mesin e viktimave, ishin një numër delegatësh amerikanë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919. Shumë nga ata ishin kundër detyrimit të Gjermanisë, për t’i paguar fitimtarëve shuma të mëdha parash në formën e dëmshpërblimeve.

Në mungesë të amerikanëve, delegatët e tjerë i miratuan masat ndëshkuese, dhe poshtërimi që i shkaktuan gjermanëve, ishte një nga faktorët kryesorë në ngjitjen në pushtet të Adolf Hitlerit. Ashtu si Vdekja e Zezë, edhe Gripi Spanjoll, e revolucionarizoi sistemin e shëndetit publik, duke nxitur lindjen e disiplinave të reja mjekësore të epidemiologjisë dhe virologjisë.

Ai nxiti ndërkohë disa shtete të Evropës Perëndimore, që të vënë në zbatim sisteme universale të kujdesit shëndetësor, të cilat janë në fuqi edhe sot. “Gripi Spanjoll, ndryshoi shumë popullatat njerëzore”- thotë Spinej. / The Week – Bota.al