Të nxitur nga dhjetëra teori konspirative në internet për zgjedhjet e nëntorit, javën e kaluar mbështetësit më të zjarrtë të Presidentit Donald Trump iu përgjigjën thirrjeve në internet për t’iu bashkuar “luftës” në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara në emër të presidentit. Në postimet e shpërndara mijëra herë mes tyre përdoruesit e mediave sociale të ekstremit të djathtë e kishin thënë hapur prej javësh se në Kapitol do të shpërthente kaosi kur Kongresi të mblidhej për të çertifikuar rezultatet e zgjedhjeve.
Roli i mediave sociale në ngjarjet e dhunshme të së mërkurës është vështirë të llogaritet me saktësi, por ka qenë i rëndësishëm dhe i drejtpërdrejtë, thonë ekspertët e mediave sociale.
“Ajo që ndodhi në Kapitol ishte rezultat i indiferencës shumëvjeçare nga kompanitë e mediave sociale ndaj urrejtjes së shfrenuar që gëlonte në platformat e tyre, ndaj personave që manipulonin njerëzit duke përdorur gënjeshtra të tilla si zgjedhjet u vodhën, gënjeshtra që shpërndaheshuin te dhjetëra e qindra miliona njerëz,” thotë Imran Ahmed, i Qendrës për Luftën kundër Urrejtjes Dixhitale.
Ngjarjet e së mërkurës u kanë hapur sytë shumë njerëzve për të kuptuar se sa të rrezikshme janë teoritë e konspiracionit, veçanërisht kur lihen të pakontrolluara, thotë Jeff Orlowski, regjisor i filmit “Dilema Sociale” në Netflix, ku tregohet se si algoritmet e kompanive të medias dixhitale polarizojnë njerëzit dhe se si etja për fitim mund të shndërrohet në një kërcënim jetik për demokracinë amerikane.
“Njerëzit pyesin: Shihni fijet që lidhin ata që përhapin teoritë konspirative QAnon. Si ka mundësi të ngrihen këto teori konspirative në një nivel të tillë besimi?”, tha zoti Orlowski.
Sipas tij, ky është një lloj besimi që ka tiparet e një kulti fetar, me ide që janë të shkëputura nga realiteti.
Ndikimi i teorive QAnon u pa qartë kur turma hyri në sallat e Kongresit. Në fotografitë e asaj dite duken policë që përpiqen të mos lejojnë një person i cili mban një bluzë me emblemën “Q” të hyjë në sallën e Senatit. Një ndër promovuesit kryesor të teorive QAnon u fotografua po ashtu në dhomat e Senatit, me brirë demash në kokë dhe me bojë në fytyrë.
Presidenti i inkurajoi ndjekësit e tij në Twitter dhe Facebook të merrnin pjesë në tubimin e së mërkurës, disa herë duke përdorur imazhe luftarake për t’i nxitur ata të vinin në Uashington. Disa minuta para se ata të sulmonin Kapitolin, zoti Trump bëri thirrjen e tij të pashpresë për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve me anë të një fjalimi që përshkohej nga teori konspirative.
“Kavaleria po vjen, z. President,” thuhej në një nga komentet e rishpërndara nga presidenti më 1 janar, ku jepeshin detaje rreth tubimit.
Si kompania Facebook ashtu edhe Twitter i kanë ndaluar llogaritë e presidentit në platformat e tyre pas dhunës që ndodhi. Facebook tha në një deklaratë se po hiqte përmbajtjen që lavdëron sulmin në Kapitol, thirrjet për të sjellë armë në protestat kudo në vend si dhe video apo fotografi të marra nga protestuesit në Kapitol të mërkurën. Kjo nuk mjafton por është një fillim, tha zoti Orlowski.
“Kjo është një pikë në oqean në krahasim me zgjidhjet që duhet të gjejnë këto kompani dhe mënyrën se si duhet t’i ndryshojnë sistemet e tyre,” tha ai.
Ai është optimist se ata që punojnë në këto kompani do të kuptojnë nevojën dhe domosdoshmërinë morale për të ndryshuar shumë gjëra, për të mos e lejuar gjendjen e tanishme të vazhdojë.
Imran Ahmed thotë se hapësirat që ofron media sociale nuk mund të lejohen të abuzohen:
“Asnjë hotel, për shembull, nuk do të lejonte në mjediset e tij një konferencë me njerëz që komplotojnë të marrin armët dhe të sulmojnë Kapitolin, nuk mund të lejosh nazistët të mblidhen në hotelin tuaj,”
Po ashtu, thotë ai, nuk mund t’i lejosh ata të mblidhen në platformën tuaj./VOA