SHKRIM I SHKURTËR QË I PËRSHTATET EDHE KËSAJ DITËLINDJEJE TIME TË THINJUR DHE TË KËRRUSUR:

Qysh në vegjëli, por edhe gjithnjë, tërë jetën jam përpjekur që njerëzve t’ua bëjë jetën të lumtur, me aq mundësi e fuqi që kisha dhe që kam edhe tani. Kjo ishte dhe ka mbetur thesari, kënaqësia, ushqimi im shpirtëror dhe pasuria ime më e madhe, të cilat gjëra, më duket se i kam përjetësi, mu si shtatoren e atij njeriut i cili nuk ekziston, por që botën e sodit nga një lartësi që askush nuk e sheh, askush e dikton…
Të gjitha këto “zjarrmi” të mendjes dhe shpirtit, me ndijimin më të thellë i kam shpërndarë si mesazh e si zë (së paku jam përpjekur të bëj kështu) kudo, mu si polenin e luleve! Andaj, një gjë e tillë më ka bërë edhe më të qëndrueshëm, edhe më idhnak, më të ngarkuar me dhembjen për tërë atë peshën, që njeriu asnjëherë nuk di as nuk ka forcë ta shpreh deri në fund, edhe nëse këtë prore tenton ta bëjë.
Megjithatë, unë, prapë etjen e kam shokun i cili nuk më lë rehat, nuk më lë të qetë ta bëj ashtu si duhet, bile as një sy gjumë…!
Pra, edhe kjo ditëlindje imja e thinjur dhe e kërrusur, që përputhet edhe me ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe me shënimin e 140-vjetorit të kësaj date historike, le t’i bashkëngjitet këtij rrugëtimit tim të deritashëm!

Sejdi BERISHA

Pejë, e dielë, 10 qershor 2018