*Pikëpamjet e shprehura në koment nuk pasqyrojnë domosdo pikëpamjet e REL-it
Gjermania është shtet i domosdoshëm i Bashkimit Evropian. Nuk është çudi që shpresat ishin të mëdha që BE-ja do të lëvizte përpara në shumë çështje kur në krye të presidencës së saj ishte lokomotiva më e fuqishme për gjashtë muaj, duke nisur nga korriku i këtij viti. Rezultati? Ndoshta më shumë se ‘OK’ nëse pyesni gjermanët. Ata për shembull, do të vënë në pah marrëveshjen e buxhetit prej 1.8 trilion eurosh që u arrit pas shumë mospajtimesh për çështje tregtare me Hungarinë dhe Poloninë dhe se blloku u pajtua për synime ambicioze rreth klimës për vitin 2030.
Por, nëse pyesni Ballkanin Perëndimor, atëherë përgjigja do të jetë se ky ka qenë një gjysmëvit katastrofik. Nuk u hapën kapituj të zgjerimit dhe ato u mbyllën me Malin e Zi dhe Serbinë për shkak të mungesës së progresit, gjë që nuk ka ndodhur kurrë në asnjë presidencë të BE-së në vitet e fundit. Por, më e rëndësishmja, nisja e shumëpritur e bisedimeve për anëtarësim në BE e Maqedonisë së Veriut, nuk ndodhi.
Dhe përderisa Gjermania akuzohet nga disa diplomatë se nuk i ka kushtuar shumë rëndësi rajonit dhe po ashtu e ka kuptuar shumë vonë se duhet të bëjë përpjekje të duhura për të zgjidhur disa çështje që po vazhdojnë në këtë rajon, ka disa akterë që duhet ta ndajnë këtë faj së bashku me Gjermaninë. Bullgaria mund të jetë fajtorja kryesore, por edhe vetë Maqedonia e Veriut, komisionari evropian hungarez, por edhe Republika Çeke dhe Sllovakia.
Le të fillojmë me mundësinë e hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut. Kjo pritej të ndodhte në dhjetor, pas një dekade të shpresave të rreme për Shkupin zyrtar. Fillimisht, kishte bllokada disa vjeçare për shkak të çështjes së emrit me fqinjin jugor, Greqinë, që detyroi shtetin që ta ndryshojë emrin dhe Kushtetutën. Më pas, Franca e bllokoi këtë proces për 18 muaj, kryesisht për shkak të çështjeve të brendshme.
Por, në fillim të vitit 2020, të gjithë dukej se ishin pajtuar për nisjen e bisedimeve me Shkupin. Por, në fillim të vjeshtës, Bullgaria ngriti shqetësime, të cilat, kah fundi i vitit u shndërruan në bllokadë të përgjithshme. Marrëveshja për Fqinjësi e arritur më 2017 ndërmjet Sofjes dhe Shkupit nuk është zbatuar dhe Bullgaria kërkoi që Maqedonia e Veriut të pranojë se gjuha dhe identiteti i saj kanë rrënjë bullgare. Po ashtu, Sofja zyrtare kërkoi që Shkupi të heqë dorë nga pretendimet se në Bullgari ka minoritet maqedonas.
Por, roli i komisionarit hungarez për Zgjerim, Oliver Varhelyi nuk duhet të minimizohet. Sipas disa burimeve, ai ka zhvilluar ndërmjetësime paralele dhe i ka premtuar më shumë Bullgarisë sesa gjermanëve. Por, përpjekjet e tij dështuan keq në Berlin dhe të gjitha përpjekjet e bëra deri atëherë, dështuan. Edhe njëherë, shpresat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE morën një goditje të madhe.
Megjithatë, kishte shpresë që Këshilli të paktën do të pajtohej për konkluzat zyrtare të zgjerimit. Kjo ndodh në fund të çdo viti dhe aty shprehet qëndrimi unanim i 27 vendeve anëtare lidhur me pritjet dhe shpresat e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Edhe pse ky nuk është një dokument legal, ai megjithatë riafirmoi se blloku është i përkushtuar për procesin e zgjerimit.
Por, as te konkluzat nuk shkoi ashtu siç pritej. Bullgaria këmbënguli që fjalia “çdo pretendim i bazuar në keqinterpretim të historisë duhet të japë një fund efektiv”, duhej të vendosej në paragrafët posaçërisht kur flitej për Maqedoninë e Veriut në tekstin e deklaratave të përgjithshme.
Të tjerët ishin kundër kësaj, veçanërisht Republika Çeke. Kur ambasadorët e BE-së u takuan më 16 dhjetor, që të gjithë u pajtuan në kompromisin e gjuhës që duhej përdorur në hyrje të deklaratës dhe jo për seksionin që fliste për Maqedoninë e Veriut. Ata u pajtuan të thoshin se “Këshilli rikujton Marrëveshjen e Prespës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe thekson rëndësinë e zbatimit të tyre të vazhdueshëm. Këto dy hapa të mëdhenj duhet të jenë të japin efekt ndaj çdo pretendimi të bazuar në keqinterpretim të historisë”.
Të paktën shumëkush shpresonte se do të arrihej një marrëveshje, posaçërisht pasi 27 vendet konfirmuan se ministrat e Mjedisit të BE-së ditën tjetër do ta fshinin tekstin dhe do ta hartonin një të ri. Por, kjo nuk ndodhi kurrë. Disa orë më parë, Sllovakia dhe Republika Çeke bllokuan një gjë të tillë. Praga tha se teksti do të përfshinte komplikime që do të ndodhnin më vonë në procesin e zgjerimit dhe theksoi se kjo çështje do të duhej të trajtohej nga Evropa dhe ministrat e Jashtëm në një Këshill për çështje të përgjithshme dhe jo diku tjetër. Kjo nënkuptonte që këtë vit nuk do të kishte miratim.
Ky ndryshim i papritur bëri që Brukseli të spekulonte se Maqedonia e Veriut e pa kompromisin e fundit dhe iu drejtua aleatëve, duke theksuar se ministri i saj i Jashtëm, Bujar Osmani u bind nga Republika Çeke vetëm dy ditë më parë.
Gjermania tani mund të publikojë të ashtuquajtura “konkluzione të presidencës” nëse nuk arrihet konsensus para Krishtlindjes. Pavarësisht shkathtësive të saja ekonomike dhe prirjes për të zgjidhur probleme me diplomaci në shumë fusha, kjo gjë do të ishte një përfundim i turpshëm i presidencës së saj. Por, humbësit e vërtetë janë ata në vendet e Ballkanit Perëndimor, që edhe një herë krijuan më shumë pengesa për veten e tyre në rrugën drejt familjes evropiane, që ata aspirojnë që një ditë të bëhen pjesë.