Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë filluar diskutimet për një marrëveshje tregtare pas Brexitit. Diskutimet po zhvillohen nga ana e kryeministrit britanik, Boris Johnson dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ata po zhvillojnë një darkë pune në Bruksel.

Zyrtarët britanikë thonë se përparimi në një nivel politik mund të lejojë që negociatat e bllokuara midis kryenegociatorit të BE-së, Michel Barnier, dhe homologut të tij britanik, David Frost, të rinisin gjatë ditëve të ardhshme.

Por, një burim i qeverisë britanike tha se arritja e një marrëveshje mund të mos ishte e mundur para 31 dhjetorit, kur Britania përfundon daljen e saj nga blloku, dhe nuk do të jetë më e detyruar të ndjekë rregullat e tregtisë së BE.

Përpara udhëtimit të tij në Bruksel, Johnson i tha parlamentit se asnjë kryeministër britanik nuk mund të pranojë kërkesat për të cilat BE-ja “po insiston aktualisht”, duke shtuar se vendi do të përparojë edhe nëse nuk nënshkruan një marrëveshje tregtare me bllokun.

Mosmarrëveshjet kanë vazhduar pavarësisht negociatave që kanë zgjatur tetë muaj midis Barnier dhe Frost. Shumë biznese janë në makth, pasi dështimi i një marrëveshjeje do të linte pa rregulluar rreth 1 trilion dollarë në tregtinë vjetore.

Nëse nuk pajtohen, të dyja palët do të bëjnë biznes sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, që i bie se do të aplikojnë tarifa në importet e njëra-tjetrës.

Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​