“Si e ke vajzën? A është mirë?”, shkruhej në email-in dërguar Nazenin Ansarit, nga dikush që ajo dyshon se është një agjent iranian. Mesazhi ishte drithërues.
Nuk kishte ndonjë rëndësi që zonja Ansari ndodhej në Mbretërinë e Bashkuar, ku si kryeredaktore e faqeve iraniane në internet Kayhan London dhe Kayhan Life, ajo kishte lirinë të njoftonte në media për zhvillimet në Teheran në mënyra që nuk ishin të mundshme brenda atdheut të saj.
Edhe ndërsa ndodhet 4,300 kilometra larg, njerëz të afërt me qeverinë iraniane ende përpiqen ta frikësojnë.
Mesazhet që kërcënojnë se do t’u bëhet ndonjë e keqe njerëzve të afërt, janë vetëm një nga taktikat që Irani dhe regjimet autoritare përdorin për të përndjekur gazetarët që raportojnë nga larg.
Burgosja nga Irani më herët këtë vit e vëllait të spikeres së kanalit të Zërit të Amerikës në gjuhën persiane, Masih Alinejad, nxorri më në pah rreziqet ndaj familjeve të gazetarëve.
Pas rastit të zonjës Alinejad, Zëri i Amerikës foli me mbi dymbëdhjetë gazetarë që jetojnë në diasporë për rreziqet që raportimi i tyre mund të sjellë për miqtë dhe të afërmit që kanë lënë në atdhe. Gazetarë nga Venezuela, Egjipti, Turqia, Kina dhe vende të tjera i treguan Zërit të Amerikës se si i shpëtuan persekutimit, ndërkaq që autoritetet e kthyen vëmendjen e tyre tek miqtë, familjet dhe kolegët.
Ndonjëherë, agjentët e sigurisë marrin në pyetje të afërmit, ose u kërkojnë të kontaktojnë gazetarin për t’i thënë që të ndalë mbulimin mediatik. Ose i kërcënojnë me pasoja financiare: shkarkime nga puna, humbje kontratash, ngrirje asetesh. Në raste më flagrante, prindërit dhe vëllezërit e motrat janë burgosur për periudha të gjata dhe pa u dhënë një arsye.
Gazetarët shtrëngohen të marrin vendime shumë personale nëse duhet ta vazhdojnë apo jo punën e tyre. Pasojat janë të rënda, si për gazetarët, ashtu edhe për audiencat të cilave u shërbejnë.
Kenneth Roth, drejtor ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch (HRW), thotë se kërcënimi i anëtarëve të familjes ka qenë një mjet efikas me të cilin qeveritë kanë heshtur gazetarët.
“Disa familje e kanë diskutuar këtë paraprakisht dhe kanë vendosur që thjesht ta marrin atë rrezik përsipër. Në këtë rast, gazetari ose kritiku jashtë vendit do të vazhdojë (punën), duke ditur që familja e tij ose e saj është e gatshme të pranojë çmimin që mund t’u vendoset”, tha ai.
Por në raste të tjera, tha zoti Roth, siguria e anëtarëve të familjes do t’i heshtë gazetarët.
“Megjithëse gazetarët mund të kenë bërë zgjedhje të caktuara personale për t’u angazhuar në kritika ndaj një qeverie shtypëse, kjo nuk do të thotë që e gjithë familja dëshiron të marrë përsipër atë rrezik”, tha zoti Roth për Zërin e Amerikës.
Robert Mahoney, zëvendës drejtor ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), një organizatë jofitimprurëse për lirinë e shtypit, tha se frika nuk i lejon disa gazetarë të njoftojnë për përndjekjet.
“Mund të jetë e vështirë të marrësh detaje nga vende si Eritrea ose Kina ku familjet, veçanërisht ato të gazetarëve të burgosur, mund t’i tremben qoftë edhe të folurit, nga frika se mos ua bëjnë edhe më të keqe jetën të afërmve të tyre”, i tha ai Zërit të Amerikës.
Ndërsa as Amnesty International dhe as CPJ nuk mbajnë statistika për gazetarët që ikin në mërgim, ata thonë se kërcënimet e familjarëve duket të jenë një trend në rritje në shumë vende autoritare.
Një sondazh i stafit nga shërbimi i BBC-së në gjuhën persiane, me seli në Mbretërinë e Bashkuar, tregon shkallën e ngacmimit për gazetarët në vetëm njërin rrjet.
Nga 102 gazetarë të stafit që iu përgjigjën sondazhit të marsit, 69 thanë se një ose më shumë të afërm në Iran ishin marrë në pyetje, ngacmuar ose kërcënuar nga autoritetet iraniane. Dhe gati gjysma thanë se kishin humbur një prind, por se ishin shumë të frikësuar për të udhëtuar në Iran për varrimin.
Korrespondentja speciale e shërbimit të BBC-së në gjuhën persiane, Kasra Naji, e cila ndau rezultatet e sondazhit me shërbimin persian të Zërit të Amerikës, tha se 152 gazetarë aktualë dhe ish-gazetarë të atij rrjeti janë ende nën hetim penal dhe ngrirje asetesh të urdhëruar nga qeveria në vitin 2017.
Përfaqësuesi i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për komente. Vendi i ka refuzuar ankesat në lidhje me masat e tij shtypëse, duke i thënë një komiteti të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në tetor 2018, se Teherani e sheh veten si një viktimë e “luftës mediatike” të financuar nga “qeveritë kundërshtare”.
Irani, Kina dhe Egjipti janë të gjitha vende në të cilat autoritetet – duke mos patur mundësinë për të persekutuar një gazetar direkt – burgosin të afërmit, ndonjëherë për periudha të gjata dhe pa justifikuar akuzat.
Philippe Nassif, drejtor për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Amnesty International, thotë se është shkelje e ligjit ndërkombëtar të arrestosh cilindo pa arsye.
“Anëtarët e familjes nuk janë më përjashtim dhe, në fakt, shpesh vendosen në shënjestër kur disidentët janë jashtë vendit dhe jashtë kontrollit të shërbimeve të sigurisë”, i tha ai Zërit të Amerikës.
Kur vëllai i drejtueses së emisionit në gjuhën perse të Zërit të Amerikës, zonjës Alinejad, u dënua me tetë vjet burg për akuza të sigurisë kombëtare, ajo akuzoi Iranin për marrjen peng të vëllait të saj për të heshtur kritikat e saj ndaj Teheranit. Zonja Alinejad drejton nga Nju Jorku emisionin Tablet për shërbimin në gjuhën persiane të Zërit të Amerikës.