Çdo diplomat dhe gazetar i huaj që e ka ndjekur këtë fjalim, në notesin e tyre sigurisht kanë shënuar përshtypjet e tyre, duke nënvizuar me laps të kuq nevojën urgjente për të ndryshuar dioptrinë e qasjes ndaj kësaj pjese të Serbisë, ku regjimi serb me vite po ushtron një politikë sistematike të spastrimit etnik.
Nga Mehmet PRISHTINA
Fjalimi i fundit i deputetit shqiptar nga Tërnoci në Parlamentin e Serbisë në Beograd, zgjoi nga letargjia një pjesë të madhe të shoqërisë së fjetur, por edhe prishi stereotipin bardh e zi mbi imazhin e shqiptarëve në Serbinë e Jugut. Çdo diplomat dhe gazetar i huaj që e ka ndjekur këtë fjalim, në notesin e tyre sigurisht kanë shënuar përshtypjet e tyre, duke nënvizuar me laps të kuq nevojën urgjente për të ndryshuar dioptrinë e qasjes ndaj kësaj pjese të Serbisë, ku regjimi serb me vite po ushtron një politikë sistematike të spastrimit etnik.
Informacionet që vinë nga Presheva, bie fjala, thonë se kjo qytezë ka mbetur pa shtyllat kryesore të administratës shtetërore, sepse të njëjtat janë transferuar në Vrajë. Lehonat shqiptare nga kjo trevë janë të detyruara të lindin në spitalet e Vrajës dhe Nishit, kurse shumë shqiptarëve autokton nga Medvegja po ua grabisin adresat e tyre të vendbanimit, për arsye se projektuesit e politikës diskriminuese në Beograd kanë si synim lodhjen deri në palcë të kësaj popullate, e cila, sipas tyre, shpëtimin e vetëm mund ta gjejë duke u shpërngulur, ose në Kosovë, ose në Perëndim.
Shaip Kamberi me të drejtë vlerësoi se nga Serbia nuk mund të pritet që të zgjidhë çështjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, përderisa, ndër të tjera, vrasja e gazetarit (pronarit dhe kryeredaktorit të së përditshmes “Dnevni Telegraf”), Slavko Curuvija, nuk është zgjidhur.
Deklarata e tij i referohej çështjes së vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi – Yllit, Agronit dhe Mehmetit, të cilët u arrestuan më 1999 në hyrje të Serbisë për, siç pretendonin autoritetet e atëhershme serbe, kalim të paligjshëm të kufirin. Pas lirimit nga burgu, pas kryerjes së dënimit, ishin vrarë.
Trupat e tyre u zbuluan në korrik të vitit 2001 në një varr masiv në Petrovo Selo, në Serbinë lindore. Kërkesa për të ndriçuar këtë çështje erdhi në Serbi në disa raste nga instancat më të larta botërore, përfshirë Uashingtonin.
Deputeti Kamberi në foltoren e Parlamentit serb hapi edhe një temë mjaft të ndjeshme. Ai i bëri thirrje kryeministres, Bërnabiq që së bashku me të ta vizitojë Batajnicën, Peruçacin, Petrovo Selon dhe Rudnica, ku dyshohet se shqiptarët nga Kosova, të vrarë gjatë luftës në fund të viteve 1990, ishin varrosur në varreza masive, si dhe duke theksuar se këto ishin kryer nga “strukturat e organizuara të shtetit”, të cilin ajo tani e përfaqëson.
“Këto krime lufte ishin urdhëruar dhe kryer nga zyrtarë serbë. Nuk ka prosperitet pa pajtim, nuk ka pajtim pa u ballafaquar me të kaluarën”, ka thënë Kamberi.
Fjalimi i deputetit Kamberi ka prodhuar një entuziazëm të madh në opinionin publik, ndërkohë që jo pak zëra opozitarë në Beograd, siç është Sonja Biserko, Natasha Kandiq etj. e kanë vlerësuar me nota pozitive, duke inkurajuar atë dhe të ngjashmit që edhe në të ardhmen të mbajnë qëndrime të tilla oportune kundrejt regjimit.
Themeluesja dhe ish-drejtoresha e Qendrës për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandic, shkroi në llogarinë e saj në Twitter se për të gjitha ato që Kamberi i ka thënë në Kuvendin e Serbisë, “ne kemi nevojë sikurse për ajër”. Ndërkohë që Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Graçanica dhe kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, e quajti Kamberin udhëheqës të ri të opozitës.
“Të paktën ai në mes të Beogradit dhe para Kuvendit të Vuçiqit guxon t’ia thotë në sy regjimit. Për dallim nga Lista Serbe e cila rri në Prishtinë, hesht dhe miraton, ndërkaq që Mitrovica e zgjedh pa rezistencë”, ka shkruar Trajkoviq.
Përfaqësuesit e politikës zyrtare në Beograd, në krye me Presidentin Vuçiq, e kanë konsideruar fjalimin e deputetit Kamberi si një favor që, sipas tyre, shteti serb ua bën jobashkëmendimtarëve . Vuçiq është shprehur i lumtur që shqiptarët në Serbi mund të flisnin kaq hapur për këto probleme, para një audience milionëshe.
“A guxojnë disa të tjerë që këtë ta thonë në Prishtinë, Tiranë apo diku tjetër? Ata ankohen se nuk morën një post ministror. Ne ua ofruam një zëvendës, por duket se kishim një vlerësim të mirë për të mos i dhënë postin ministror dikujt që flet kështu për vendin e tij”, tha Vuçic.
Por, Vuçiqi e harron një detaj jo pak të rëndësishëm. Serbët në Kosovë nuk kanë nevojë të flasin në Parlamentin e Kosovës në Prishtinë, për arsye se në vend të tyre flet vet Vuçiqi, kurse Lista Serbe është zgjatim i shtetit të Serbisë në Kosovë. Dallimi në mes të pozitës së shqiptarëve në Serbinë e Jugut dhe serbëve në Kosovë është si nata me ditën dhe këtu qëndron absurditeti i një pjese të negociatave Kosovë-Serbi ku padrejtësisht Kosova po trajtohet si të ishte problem i brendshëm i Serbisë, ndërkohë që për statusin shqiptarëve në Serbi të jugut askush nuk mërzitet. Këta të fundit deri më tani nuk janë përfshi në asnjë prej pikave të këtyre negociatave, dhe aq më keq kur në emër të tyre shpesh bëhet propagandë patriotike pa mbulesë në Prishtinë dhe Tiranë.
Serbia e jugut përfundimisht duhet të përfshihet në hartat e kujdesit institucional, jo vetëm në Beograd, por edhe në Prishtinë dhe në Tiranë. Kjo krahinë e banuar me shqiptarë nuk guxon të zbrazet siç kishte ndodhur në fund të shekullit 19-të me Sanxhakun e Nishit, por këtë proces mund ta frenoj vetëm një koordinim i mirë në mes të vet përfaqësuesve legjitim të kësaj krahine dhe qendrave të vendosjes, si në Bruksel e Washington, por edhe në Tiranë e Prishtinë.
Prishtinë, 30 tetor, 2020