Shumë njerëz mendojnë se fituesi i garës presidenciale në SHBA përcaktohet ndërsa media njofton përfundimin e procesit zgjedhor dhe kur kandidati që ka humbur zgjedhjet mban një fjalim, ku pranon rezultatin. Por e vërteta është se shpallja zyrtare e fituesit të garës presidenciale është një proces disa mujor që nuk përfundon deri në janar. Ky proces në thelb përfshin amerikanët, të cilët votojnë për zgjedhur anëtarët e Kolegjit Elektoral, këta të fundit votojnë për të zgjedhur Presidentin dhe më pas Kongresi shpall shpall fituesin e zgjedhjeve.
“Ditën e zgjedhjeve votohet për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, në dhjetor ata mblidhen dhe votojnë për presidentin e më pas në janar Kongresi çertifikon procesin”, thotë Amy Dacey, drejtoreshë ekzekutive e Institutit Sine për Politikë e Politika në Universitetin Amerikan.
Përveç Kolegjit Zgjedhor, çertifikimi i fituesit të zgjedhjeve presidenciale përfshin Senatin, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Arkivat Kombëtare.
Ky proces katër-mujor është rezultat i një kompromisi mes atyre që njihen si etërit e kushtetutës amerikane, të cilët nuk ishin të bindur se votuesve mund t’u besohej të zgjidhnin një udhëheqës të denjë.
“Kjo u krijua sepse nuk kishte aq besim tek qytetarët për ta marrë atë vendim“, thotë zonja Dacey.
“Ata nuk besonin se populli amerikan duhet ta zgjidhte drejtpërdrejt presidentin dhe nënpresidentin, por ata gjithashtu nuk donin që Kongresi të ishte institucioni i vetëm që të kishte në dorë procesin e përzgjedhjes“, shton ajo.
COVID-19 mund ta ndërlikojë procesin e numërimin
Ekspertët e zgjedhjeve parashikojnë se numërimi i fletëve të votimit do të zgjasë më shumë këtë vit për shkak të pandemisë dhe numrit të shtuar të amerikanë që do të votojnë nëpërmjet postës.
“Këto janë procedura ligjore që duhet të ndiqen“, thotë Lia Merivaki, asistent profesore për Politikën Amerikane në Universitetin Shtetëror të Misisipit.
“Nxitja që rezultati të shpallet ditën e zgjedhjeve do të krijojë më shumë konfuzion dhe mosbesim dhe ndoshta… shumë do të fillojnë të padisin shtetet sepse ata presin që rezultati të shpallen natën e zgjedhjeve. Kjo do ta bëjë punën e zyrtarëve të zgjedhjeve dhe atyre shtetërorë më të vështirë ndërsa ata përpiqen të sigurojnë një proces transparent e të drejtë“, shton ajo.
Pasi të 50 shtetet, plus kryeqyteti i vendit, përfundojnë procesin e numërimit të votave të hedhura fizikisht në qendrën e votimit, ato të ardhura me postë si dhe votat e diskutueshme, guvernatorët e shteteve hartojnë listën e anëtarëve të Kolegjit Elektoral. Kopja e kësaj liste, e njohur si Çertifikata e Vërtetimit, i dorëzohen kreut të Arkivave Kombëtare.
Më pas anëtarët e Kolegjit Elektoral mblidhen në kryeqytetet e shtetit të tyre, për të votuar zyrtarisht për presidentin dhe nënpresidentin. Kjo duhet të ndodhë të hënën e parë, pas të mërkurës së dytë të muajit dhjetor. Këtë vit kjo datë i takon të jetë më 14 dhjetor.
Anëtarët e Kolegjit Elektoral në secilin prej shteteve plotësojnë ato që njihen si Çertifikatat e Votimit dhe ia dërgojnë ato Senatit, Arkivës Kombëtare dhe zyrtarëve shtetërorë. Sapo ky proces përfundon, Kolegji Zgjedhor nuk kryen më asnjë funksion tjetër deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Hapi i fundit në proces do të ndodhë më 6 janar të vitit 2021, kur Kongresi do të mblidhet për të numëruar votat elektorale dhe për të çertifikuar zyrtarisht fituesin. Procesi zakonisht është ceremonial, por mund të ketë edhe kundërshtime. Në vitin 1969 dhe 2005 pati kundërshtime për disa vota të Kolegjit Zgjedhor, por Dhoma e përfaqësuesve dhe Senati i hodhën poshtë ato dhe votat në fjalë u numëruan. Ende nuk dihet nëse do të ketë apo jo kundërshtime pas zgjedhjeve të vitit 2020, por Presidenti Donald Trump ka bërë vazhdimisht pohime të pabazuara për manipulime të gjera lidhur me votimin përmes postës.
“Ky është një territor i panjohur dhe shpresoj të mos mbërrijmë deri aty sepse do të ishte një përpjekje për të ndryshuar vite të tëra normash e procedurash demokratike“, thotë zonja Merivaki.
“Mendoj se do të ishte diçka tejet ekstreme nëse Senati do të ndërmerrte ndonjë veprim që anulonte vullnetin e njerëzve. Do të ishte diçka shumë problematike për statusin e demokracisë në Shtetet e Bashkuara … Nuk do të kishim më të bënim me demokraci“, shton ajo.
Zonja Dacey mendon se ndërlikimet mund të lindnin nëse fituesi i votës popullore nuk do të ishte gjithashtu edhe fitues i Kolegjit Elektoral.
Në 2016 Presidenti Trump fitoi Kolegjin Zgjedhor, por ai humbi votën e popullore përballë demokrates Hillary Clinton.
E njëjta gjë ndodhi në vitin 2000, kur republikani George W. Bush fitoi Kolegjin Zgjedhor, por humbi me një diferencë të ngushtë votën popullore ndaj demokratit Al Gore.
“Mendoj se pyetja më kryesore është: A ndihen amerikanët kur hedhin votët e tyre në ditën e zgjedhjeve, se ajo do të jetë një faktor vendimtar se kush do t’i përfaqësojë ata? Në çdo palë zgjedhje të tjera është, sepse është vota popullore që përcakton”, thotë zonja Dacey. “Mendoj se kjo mund ta ulë besimin e njerëzve tek procesi dhe angazhimin e tyre. Unë dua që gjithnjë e më shumë njerëz të votojnë. Dhe nëse ata mendojnë se vota e tyre popullore, vota e tyre në ditën e zgjedhjeve nuk e merr atë vendim, mendoj se thjesht do të shkaktojë një sfidë për pjesëmarrjen dhe besimin e njerëzve tek sistemi“, shton ajo.