Thënia se flokët janë gjysma e bukurisë është aq e famshme sa është kthyer në një fakt të mirëfilltë.

Kujdesi për flokët zë një pjesë të rëndësishme të ditës dhe të shpenzimeve për shumicën e njerëzve.

Për çdo person që kërkon një pamje sa më interesante, eksperimentimi me flokët mund të jetë çelësi.

Ndërsa për të tjerë mbajtja e tyre sa më natyralë dhe të shkëlqyeshëm është një sfidë e përditshme.

Gjithsesi pavarësisht kërkesave specifike, dëshira për t’i patur flokët sa më të shëndetshëm i mbledh të gjithë në një grup.

Flokët e këputur, të djegur dhe me maja dyshe nuk i dëshiron askush dhe pse janë shumë prezente gjatë jetës.

Për të shpëtuar nga ky problem, duhet të ktheni sytë nga metodat sa më natyrale dhe delikate për flokët tuaj.

Në këtë artikull të AgroWeb.org ju tregojmë katër mënyra të lehta e të shpejta të cilat ju ndihmojnë të keni sërish flokë të shëndetshëm.

Ndiqni më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes së tyre në shtëpitë tuaja.

Trajtimi me kos dhe vaj ulliri

Nëse keni flokë të thatë, të djegur nga boja apo tharësja kjo maskë do të ndihmojë në hidratimin e shpejtë të tyre.

Mjafton të hidhni në një enë rreth 60 ml kos, 1 lugë gjelle vaj ulliri dhe t’i përzieni mirë.

Aplikojeni më pas tek zona problematike e flokëve tuaj, tek pjesa e majave dhe lëreni në kokë për 10-15 minuta.

Kur koha të ketë mbaruar, lani kokën me ujë dhe shampo si zakonisht duke hequr me kujdes të gjithë maskën.

Përsëriteni këtë trajtim 1-2 herë në java para se të bëni dush, për të përfituar flokë të hidratuar pa maja dyshe.

Trajtimi me vezë dhe mjaltë

Mjalti dhe veza përmbajnë proteina dhe amino acide të cilat parandalojnë këputjen e flokëve.

Për të shpëtuar nga majat dyshe, përzieni një të verdhë veze dhe një lugë çaji mjaltë.

Vendoseni maskën tek majat e flokëve dhe lëreni të thahet për dy orë.

Më pas mund ta lani kokën si zakonisht me ujë dhe shampo.

Trajtimi me vaj kokosi

Vaji i kokosit është një ndër trajtimet më të mira për flokët, pasi funksionon si një hidratues i mrekullueshëm.

Hidhni në një enë të vogël 60 ml vaj kokosi dhe ngroheni për 10 sekonda në mikrovalë ose shkrijeni atë në duar pak nga pak.

Mjafton ta fërkoni tek duart dhe masa e ngurtë, e bardhë e vajit të kokosit do të kthehet në vaj.

Lyeni me kujdes maja e flokëve tuaj dhe lëreni përgjatë gjithë natës më pas mund t’i lani flokët.

Këtë mënyrë mund t’a përdorni edhe pasi keni bërë dush, duke i lyer pak majat e flokëve me vaj kokosi, në mënyrë që të veprojë si një krem zbutës.

Gjithnjë bëni kujdes me sasinë që vendosni, pasi flokët mund të përfundojnë duke u yndyrosur tej mase.

Trajtimi me erëza dhe uthull molle

Uthulla e mollës ndihmon në zbutjen dhe shkëlqimin e flokëve, ndaj është një trajtim i përsosur edhe për majat dyshe.

Në një tenxhere të vogël hidhni 250 ml ujë, disa gjethe nenexhik, sherebelë dhe rozmarinë dhe vëreni në zjarr mesatar.

Lërini të ziejnë për 10 minuta dhe më pas kur uji të jetë ftohur, kullojeni me kujdes.

Në fund shtoni edhe dy lugë gjelle uthull molle dhe lyeni majat e flokëve apo pjesën problematike për ju.

Këtë trajtim vendoseni në flokë kur të jeni brenda në dush, pasi t’i keni larë flokët me shampo dhe mbajeni në kokë për 1 minutë.

Pasi t’i keni lyer mirë, shpëlajini flokët me ujë të bollshëm dhe maska është e përfunduar.