Numri i të infektuarve nga koronavirusi në të gjithë botën ka arritur në më shumë se 21 milionë vetë që prej fillimit të pandemisë. Sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins, SHBA ka më shumë se 5.3 milionë të infektuar duke u renditur në vendin e parë për nga numri i infeksioneve dhe vdekjeve si pasojë e virusit.
Të premten senatori republikan Mitt Romney tha se është e drejtë të thuhet se SHBA nuk është shquar për mënyrën se si e ka trajtuar krizën e shkaktuar nga koronavirusi. Gjatë një interviste për institutin konservator “Sutherland”, zoti Romney shtoi se totali i “vdekjeve në SHBA përbën 25 për qind të vdekjeve në botë për shkak të COVID-19”. Ndërkohë një defekt në sistemin e raportimit të të dhënave lidhur me COVID-19 në Kaliforni, ka bërë sipas zyrtarëve të këtij shteti, që të mos llogariten rreth 300 mijë raste infeksionesh. Sipas një baze të dhënash të gazetës “New York Times” Kalifornia është shteti i parë amerikan që arrin në më shumë se 600 mijë të infektuar me COVID-19 dhe rreth 11 mijë vdekje si pasojë e tij.
Të premten Kanadaja njoftoi se kufiri që e ndan atë me SHBA-në do të vazhdojë të qëndrojë i mbyllur për udhëtime jothelbësore edhe për një muaj tjetër. Shumë kanadezë janë të shqetësuar për rihapjen e kufirit pasi vendi ia ka dalë me sukses të rrafshojë trajektoren e pandemisë.