Presidenti i SHBA Donald Trump refuzoi të pohonte gjatë një interviste se flamuri i Konfederatës është një simbol fyes.
Në intervistën dhënë të dielën për programin “Fox News Sunday”, presidenti amerikan u shpreh se ky flamur është burim krenarie për njerëzit që e duan Jugun.
Presidenti u pyet gjatë programit nëse flamuri i Konfederatës, i konsideruar si një simbol i skllavërisë dhe i shtypjes nga shumica e amerikanëve, është fyes.
“Kjo gjë varet se për cilin flet dhe për çfarë kohe flet,” u përgjigj ai.
“Kur njerëzit i mbanin me krenari flamujt e Konfederatës, ata nuk e bënin këtë për racizëm. Ata e duan flamurin e tyre, ai përfaqëson Jugun. Ata e duan Jugun… Për mua, është liri për shumë gjëra, por është liri e fjalës,” tha presidenti.
Në të kaluarën, Presidenti Trump ka folur me simpati të dukshme për flamurin dhe simbolet e Konfederatës së Luftës Civile Amerikane të viteve 1861-65.
Në vitin 2017, ai u shpreh kritik ndaj heqjes së monumenteve të Konfederatës, duke fajësuar “të dyja palët” në Sharlotsvil të Virxhinias, pas protestave kundër heqjes së një statuje të gjeneralit të Konfederatës Robert E. Lee.
Në fillim të këtij muaji, ai kritikoi ndalimin nga NASCAR-i të flamurit të Konfederatës në garat e automobilizmit.
Presidenti Trump ka deklaruar se do t’i verë veton një ligji të përvitshëm për shpenzimet e mbrojtjes, për shkak se aty përfshihet një ndryshim që përcakton heqjen brenda një viti të emrave të gjeneralëve të Konferedatës nga bazat ushtarake të vendit. Ndryshe nga Presidenti Trump, disa nga republikanët e Kongresit kanë rënë dakord që bazave t’u hiqen këta emra.
“Ne fituam Luftërat Botërore me ushtarë që dolën nga këto baza ushtarake. Jo, nuk do t’i ndryshoj emrat,” tha Presidenti në intervistë.