KUVENDI I KOSOVËS, PARA VOTIMIT TË DEMARKACIONIT, DUHET T’I VENDOSIN DISA KUSHTE MALIT TË ZI

Nga Ramiz LUSHAJ

Dita e marsit 2018, kur Kuvendi i Republikës së Kosovës, shtetit ma të ri të botës, do të shkojnë drejt Ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi lidhur me Demarkacionin, më duket se përban një “Ditë të zezë”, pasi i humbim mbi 80 km2 tokë etnike shqiptare, për pafuqinë dhe fajësinë shtetërore e politike të Kosovës euro-atlantike si dhe të Shqipërisë Londineze.

Gjithato herë, tash pesë vite, kam shkrue për këtë çështje, që po mbyllet politikisht e juridikisht, por që do të mbesin një plagë e hapur për shqiptarët në Ballkan e në Botë. Sidoqoftë, dihet, nuk kemi asnjë fuqi magjike, nuk kemi as firmë e vulë, për ta ndalë këtë votim në Kuvendin e Kosovës, po kemi me folë e me shkrue deri në ma të fundmen ditë të jetës ndaj padrejtësive të tilla që na i ndëshkojnë truallin e të parëve tanë dhe brezat e sotëm e të nesërm. Pra, nuk na ka shterrë fuqia e zërit dhe e shpirtit me folë për Demarkacionin edhe pas të “Ditës së Zezë” të miratimit të mundshëm të tij, po sot due me i bá një Apel Kuvendit të Kosovës, deputeteve e deputetëve të tij, që të mos e kalojnë këtë çështje bash lehtë, kaq nënshtrueshëm, etj., por t’i vendosin medoemos disa kushte shtetit të Malit të Zi, në të mirë të Shqiptarëve që jetojnë nën Malin e Zi, për të mirën e Kombit Shqiptar.

Sigurisht, nuk e kam ndërmend me gjetë fjalë të bukura, as me bá komente të tepërta, etj., po due me i listnue në vargavijë disa çështje që mund të shqyrtohen në Kuvendin e Kosovës ma përpara ose bash në “Ditën e Zezë” të miratimit të Demarkacionit, të cilat mund të jenë disa nga kushtet që Kosova mund t’i vendosin Malit të Zi:

1.- Rruga Ndërkombëtare Panshqiptare Plavë-Deçan.

2.-Pika kufitare e doganore Plavë-Tropojë (Vranicë-Çerem) sipas Marrëveshjes zyrtare të kryeministrave Berisha-Gjukanoviq e akteve të tjera të mavonshme.

3.- Ligji për Të Mirat Detare.

4.- Problemet e Kripores së Ulqinit.

5.- Hapjen de-facto të pikës kufitare Cemi i Trieshit-Grabom, që e lidh Kosovën e shqiptarët e Plavë-Gucisë, etj. me kryeqytetin e Malit të Zi.

6.-Zgjidhjen e problematikave lidhur me përdorimin e Simboleve Kombëtare Shqiptare në Malin e Zi si Flamuri Kombëtar Shqiptar, Gjuha Shqipe, etj.

7.-Çështje të arsimit shqip në shkollat e Malit të Zi si librat shqip, keqinterpretimet historike për çështje kombëtare shqiptare, etj.

8.-Zgjidhja përfundimtare e disa problematikave ende të hapura të komunës urbane të Tuzit në Podgoricë.

9.-Problematikat e krijuara nga Kisha Malazeze e Kisha Serbe në territoret etnike shqiptare.

10.-Zgjidhja e problematikave nga Parku Kombëtar i Paqes, që cënojnë të drejtat e shqiptarëve etnikë në Plavë, në Guci, etj.

11.- Caktimi i një nënkryetari shqiptar në komunën e Gucisë me mbi 40 për qind shqiptarë etnikë.

12.-Heqja e Deponisë helmuese në Martinaj të Gucisë, e cila po e përkeqëson gjendjen në krejt krahinën dhe do të ndikojnë në shpërngulje të shqiptarëve etnikë nga trojet e veta.

13.-Mos ndërtimi i mini-hidrocentraleve në krahinën e Plavë-Gucisë, si në Hot, etj.

14.-Kthimi i bjeshkëve të Martinajve (komuna Guci) që ua ka marrë para dy dekadave komuna e Andrejavicës në Malin e Zi.

Këto e çështje të tjera kanë dalë si problematika dhe po mbeten të hapura prej vitesh, çka po ndikojnë në jetën e ardhmërinë e shqiptarëve trojenik nën Malin e Zi, po krijojnë probleme të zhvillimit ekonomik e kulturor në trevat etnike shqiptare në Ulqin e Tuz, në Tivar e Plavë, në Rrozhajë e Guci, etj., duke sjellë shpërngulje të tyre në dhéra të tjera, braktisje të kullave, tokave, pronave, vendit të tyre të shenjtë. Shqiptarët nën Malin e Zi janë në tokën e vet, në shtëpinë e vet, ndaj duhet të ndjehen të tillë, duhet t’i ndihmojnë të ndjehen të tillë, si Kosova, edhe Shqipëria.

Kuvendi i Kosovës në ditën e votimit të Demarkacionit nuk duhet të dorëzohet pa kushte, pasi duhet të ndjehen sado pak shqiptarë të vërtetë deputetet e deputetët e tij, të pakten e tekefundja, duke caktue disa nga këto kushte të lartcekura ndaj Malit të Zi. Ka ardhë koha politikanë të Kosovës që në Çështjen e Demarkacionit të tregoheni sa ma pak tradhtarë e sa ma shumë shqiptarë.

Kuvendi i Kosovës nuk është mirë të dalin nga salla e seancës plenare për Demarkacionin pa një Rezolutë Parlamentare apo shumçka tjetër që i përcakton disa kushte për Shtetin e Malit të Zi, pasi këto do të jenë në të mirë të shqiptarëve etnikë në trojet e shtëpitë e tyre në Malin e Zi, do të jenë në interes të zhvillimit ekonomik e kulturor të treshtetshit ballkanik: Kosovë-Mali i Zi-Shqipëri; do t’i shërbejnë sigurisë, paqes e ardhmërisë së përbashkët në Ballkan.

Dardani, 17 mars 2018