Bota do të përjetojë rritje të temperaturave në pesë vjetët e ardhshëm, duke tejkaluar kështu shumë më herët një prag të rëndësishëm, sipas agjencisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për motin.

Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) ka thënë se parashikimet tregojnë një mundësi prej 20% që temperaturat në botë gjatë viteve 2020-2024 të rriten për 1.5 gradë celsius më shumë sesa mesatarja e mëhershme, raporton AP.

Kufiri për 1.5 gradë celsius është niveli i ngrohjes globale për të cilin shtetet u zotuan të mos lejojnë të tejkalohet në Marrëveshjen e Parisit në vitin 2015. Kalimi i këtij kufiri do të thotë se përpjekjet ndërkombëtare për të ndalur ngrohjen globale nuk po funksionojnë.

Shkencëtarët thonë se temperaturat mesatare tashmë janë 1 grade celsius më të larta sesa në fillim të shekullit XX për shkak të lirimit të karbonit në ajër, transmeton KOHA.

WMO ka cekur po ashtu se modelet e përdorura për këtë parashikim nuk e kanë paraparë edhe ndikimin e pandemisë së koronavirusit në zvogëlimin e lëshimeve të dyoksidit të karbonit, por ekspertët thonë se zvogëlimi i lëshimeve për shkak të pandemisë është jetëshkurtër dhe në fakt mund t’i dëmtojë përpjekjet për ndalimin e përdorimit të qymyrit dhe naftës.

Zyrtarët e WMO-së kanë thënë se temperaturat e larta që po i shohim në Arktik janë efekt i lëshimeve të ndotësve në atmosferë që janë bërë para disa dekadave, andaj përpjekjet për të ndalur ndikimet e ardhshme klimatike duhen nisur menjëherë.