Disa ditë më parë, Drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësja e saj kryesore, Sandra Sugawara, dhanë dorëheqjen duke thënë se, Michael Pack, shefi ekzekutiv i sapo miratuar i Agjensisë Amerikane për Median Globale (USAGM), që mbikqyr ndër të tjera edhe Zërin e Amerikës, gëzon të drejtën t’i zëvendësojë ato me ekipin e zgjedhur prej tij.
Sot, ditën e martë, Z. Michael Pack bëri pikërisht këtë, duke njoftuar zyrtarisht emërat e zyrtarëve të lartë që do të zevëndësojnë shefat e mëparshëm të 5 enteve të transmetimeve civile ndërkombëtare amerikane, përfshirë edhe atë të Zërit të Amerikës. Me kënaqësinë më të madhe mësova se njëri prej këtyre zevëndësimeve, ishte miku im i ngushtë dhe kolegu i ditëve të mira dhe të vështira për pothuaj 50-vitet e kaluara Dr. Elez Biberaj i cili u emërua në krye të Zërit të Amerikës, si Drejtor i Përgjithshëm në detyrë i VOA-s.
Në njoftimin e emërimeve, Shefi Ekzekutiv I emëruar nga Presidenti Trump dhe i sapo miratuar nga Senati i SHBA-ave, i Agjensisë Amerikane për Median Globale (USAGM), Z. Pack, u shpreh se, “Përvoja e këtyre burrave dhe grave të talentuar, njohuria e tyre e veprimtarisë dhe misionit të tyre ndaj këtyre enteve si dhe angazhimi i tyre ndaj standardeve të gazetarisë, do na e bëjë të mundur hapjen e një kapitull të ri në agjencinë tonë. Dr. Biberaj, Z. Shapiro, Z, Ponnudurai dhe Zonjat Sullivan dhe Sindelar do të luajnë role kritike në postet e tyre duke bërë të mundur që entet tona të shënojnë një performancë më të lartë, me qëllim që tu shërbejmë më mirë audiencave tona. I falënderoj nga zemra për gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në këtë ndërmarrje tonën dhe jam shumë i kënaqur të punojë hap për hap me ta dhe me të gjithë ju”, thuhet në njoftimin që Z. Michael Pack i drejtoi stafit të Zërit të Amerikës dhe enteve të tjera të transmetimeve civile ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Në një koment në pritje të emërimeve të reja, portali amerikan i lajmeve, VOX u shpreh për emërimin e Dr. Biberaj duke thënë se, Z. Biberaj gëzon një reputacion shumë të mirë si një njeri serioz dhe profesionist i disiplinuar. Ai është dhënë me gjithë shpirt ndaj përhapjes së lirë të lajmeve dhe informacionit në vendet dhe kontinentet ku kjo liri u mohohet njerëzve, thuhet në komentin e portalit amerikan të lajmeve VOX.
Disa të dhëna, shkurtimisht, mbi karierën e Dr. Elez Biberaj. Elez Biberajn, bota shqiptare e ka njohur për pothuaj një gjysëm shekulli — jo vetëm nepërmjet komenteve prej eksperti mbi gjëndjen në Shqipëri, në Kosovë dhe në Ballkan, gjatë viteve si dhe për intervistat e shumëta në valët e Zërit të Amerikës — por edhe nepërmjet shkrimeve të shumta si autor librash dhe dyzina artikujsh në anglisht, të botuara në gazetat amerikane dhe në shqip në median shqiptare si dhe në diasporë.
Deri sot, Dr Elez Biberaj ka drejtuar Divizionin e Euro-Azisë të Zërit të Amerikës që nga viti 2006. Ai ishte përgjegjës për programimin multimedial të Zërit të Amerikës drejtuar Rusisë, Ukrainës, Armenisë, Gjeorgjisë dhe vendeve të Ballkanit, përfshir Shqipërinë. Z. Biberaj filloi punën tek Zëri i Amerikës në vitin1980 si një transmetues ndërkombëtar në Shërbimin Shqip të kësaj radioje. Nga viti 1982 deri në vitin 1986, ai punoi në Divizionin e Shtypit të ish Agjencisë së Informacionit të Sh.B.A-së si shkrimtar/redaktor i specializuar në çështjet sovjetike dhe të Evropës Lindore. Dr. Biberaj u kthye në Zërin e Amerikës si shef i Shërbimit Shqip në vitin 1986 dhe për 18 vite me radhë ka shërbyer si Shef i Seksionit shqip VOA-s, duke e shëndërruar shërbimin shqip në një prej enteve më të suksesshme të të të gjitha transmetimeve të Zërit të Amerikës. Për një kohë të gjatë, ai shërbeu në një kapacitet të dyfishtë si shef i Shërbimit Shqip dhe drejtor i shkrimtarëve dhe studiuesve të Divizionit Evropian të Zërit të Amerikës. Dr. Biberaj u emërua Redaktor/ Menaxhues i Divizionit të Euro-Azisë në 2004, u bë shef në detyrë si Drejtor i Divizionit Euro-aziatik në vitin tjetër dhe u emërua përfundimisht Drejtor i Divizionit me 2006. Ai ka doktoraturën (PHD) në Shkencat Politike nga Universiteti Columbia në Nju Jork dhe është autor i katër librave, përfshirë, “Shqipëria në Tranzicion: Rruga e Vështirë Drejt Demokracisë, 1990-2010”.
Dr. Biberaj njihet si ekspert në fushën e transmetimeve radio-televizive ndërkombëtare, gazetar i shquar dhe autor librash dhe artikujsh të shumtë akademikë, ndër të tjera edhe si njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit, Shqipërisë, Kosovës dhe Rusisë. Dr. Biberaj ka vizituar shpesh shtetet dhe zonat ku fliten gjuhët në të cilat transmeton Zëri i Amerikës programet e veta, veçanërisht në Evropë, Rusi e gjetkë. Si njëri prej vëzhguesve dhe analistëve më të respektuar të botës për zhvillimet e periudhës komuniste dhe paskomuniste në Shqipëri dhe në Kosovë.”, siç e ka cilësuar atë miku ynë i përbashkët Profesor Nikola Pano, dhe si eskpert i njohur gjatë karjerës së tij në Washington, Dr. Biberaj është ftuar dhe ftohet shpesh për të folur nga pikëpamja e një eksperti — për situatat në zonën e Euro-Azisë, në Ballkanin Perëndimor dhe mbi Rusinë – qoftë nga ente të ndryshme të qeverisë federale amerikane, qoftë nga organizata mediatike, jo-qeveritare dhe akademike.
Elez Biberaj, Ph.D.
Me emërimin e tij në postin e Drejtorit të Përgjithshëm në detyrë të Zërit të Amerikës, Dr. Biberaj ka arritur–të pakën deri tashti – kulmin e karierës së tij të shkëlqyer, një sukses ky për të cilin ai vet dhe familja e tij duhet të jenë krenarë, por edhe të gjithë ata që e njohin — për së afërmi e për së largu – përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave modestë – si një shok i ngushtë, mik i familjes dhe bashkpuntorë i pa ndarë në rrugëtimin e përbashkët e të gjatë prej gjysëm shekulli në përpjekjet për liri e demokraci, jo vetëm në trojet tona shqiptare, por edhe anë e mbanë botës.
Tashti Zotit Biberaj i është besuar një përgjegjësi e madhe nga ana e qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Unë jam pensionuar 15 vjetë më parë nga Zëri i Amerikës (pikërisht nga posti që mbajti deri tani Elezi), por duke e njohur – mbrenda dhe jashtë VOA-s — shumë mirë Elez Biberajn, për aftësitë, përgatitjen, përvojën dhe përkushtimin e tij ndaj VOA-s, për të cilën foli edhe Michael Pack –respektin e tij për dëgjuesi, shikuesit, lexuesit si dhe ndaj misionit të Zërit të Amerikës. Mision ky i përcaktuar me ligj nga Kongresi amerikan, për të raportuar të vërtetën anë e mbanë botës, në kohë të mira dhe në kohë të vështira – lajme të mira ose të këqia — do tu themi të vërtetën — ishte dhe është motoja e VOA-s, ç’prej fillimit, të cilën Z. Biberaj e ka zbatuar me përpikëmëri të një profesionisti të rrallë në gazetarinë shqiptare dhe amerikane. Unë jam i bindur se autoritetet amerikane, nuk mund të kishin gjetur njeri më të përshtatëshëm, më të përsosur, më të aftë dhe më të zotin për këtë detyrë që i kanë besuar, sidomos në këtë kohë dhe nën këto rrethana në këtë vend dhe në botë.
Për lexuesin që ndoshta nuk e njeh mirë Zërin e Amerikës dhe për çfarë do të jetë përgjegjës Elez Biberaj që në ditën e parë në krye të detyrës të këtij enti me famë botërore dhe me rëndësi strategjike nga pikëpamja e politikës amerikane, ja vlen të sjellë, shkurtimisht, disa të dhëna për Zërin e Amerikës, këtë organizatë mediatike amerikane, reputacioni i të cilës njihet edhe botërisht.
Zëri i Amerikës (VOA) është transmetuesi më i madh ndërkombëtar amerikan, që ofron lajme dhe informacione në më shumë se 45 gjuhë, për një audiencë të përjavshme javore prej qindra miliona dëgjues dhe shikues. Zëri i Amerikës përgatit materiale për platforma dixhitale, televizive dhe radio. Programet e VOA-s mund të lexohen/dëgjohen dhe të shikohen përmes telefonit celular dhe mediave sociale. Materialet në gjuhë të ndryshme gjithashtu shpërndahen me satelit, kabllo, FM dhe valë të mesme (MW), valë të shkurtëra në disa raste, ndërkohë që programet e VOA-s shpërndahen edhe në një rrjet prej më shumë se 2.500 stacionesh, bazuar në marrëveshje bashkëpunimi në shumë vende të botës. Që nga krijimi në vitin 1942, Zëri i Amerikës është angazhuar të ofrojë një përmbledhje të lajmeve të sakta, objektive dhe gjithëpërfshirse, duke bërë të pamundurën për të raportuar të vërtetën anë e mbanë botës. Si gjatë Luftës së Dytë Botërore, Luftës së Ftohtë, luftës kundër terrorizmit global, lugftërave ballkanike ashtu edhe sot në përpjekjet për liri, demokraci dhe të drejta të njeriut anë e mbanë globi, në punën e saj të përditshme, Zëri i Amerikës pasqyron dhe njëkohësisht është edhe shembull i parimeve të një shtypi të lirë e demokratik.
Dr. Elez Biberaj në detyrën e re si Drejtor i Përgjithëshëm në detyrë i Zërit të Amerikës i raporton, Z. Michael Pack — i emëruari i Presidentit Trump dhe i posa miratuar nga Senati i Shteteve të Bashkuara – shef i ri ekzekutiv i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM) që përfshin Zërin e Amerikës dhe disa rrjete të tjera mediatike ndërkombëtare të financuara po ashtu nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara.
Për ne shqiptarët në Amerikë ekziston shprehja se të jesh shqiptar i mirë duhet të jesh edhe amerikan i mirë. Familja Biberaj pasqyron më së miri këtë thënje. Dr Elez Biberaj rrjedh nga në familje anti-komuniste nga Tropoja. E ardhur në Amerikë para 52 vjetëve, familja Biberaj në përgjithësi është një tregim suksesi, si familje në terësi, ndërkohë që si antarë individual të kësaj familje të ngushtë e tradicionale shqiptaro-amerikane, secili prej 4 vëllëzërve e 4 motrave, është një tregim suksesi në vetvete, në fusha të ndryshme të veprimtarisë së tyre, si biznesmenë, avokate e prokurore, politikë dhe pasuri të patundur (real estate) ndërkohë që brezi më i ri i familjes Biberaj dallohet gjithashtu edhe ai në fushat e jetës së përditëshme ku jetojnë e punojnë në komunitetin shqiptare-amerikan dhe më gjërë në shoqërinë amerikane. Në çdo fushë veprimi, Dr. Elez Biberaj dhe familja e tij dallohen për dashurinë për Shqipërinë, e sidomos për Kosovën dhe për shqiptarët kudo, por ata dallohen gjithashtu edhe për dashurinë ndaj vendit që i ka marrë nën strehim – Shtetet e Bashkuara të Amerikës – aty ku të gjithë ne gjetëm demokracinë dhe lirinë që kërkonim, realizimin e vërtetë të “ëndrrës amerikane” dhe mundësitë për të shkuar përpara, në fushë veprimet e preferuara tonat si shqiptare dhe shqiptaro-amerikanë.
Për veprimtarinë e tij pranë Zërit të Amerikës, gjatë dekadave Dr. Elez Biberaj është dekoruar dhe shpërblyer nga Zëri i Amerikës si dhe nga Tirana dhe Prishtina zyrtare për punën e tij në mbështetje të demokratizimit të Shqipërisë, të çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës, si dhe për punën e tij në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kombit shqiptar. Elez Biberaj i ka pranuar gjithmonë me përvujtëni shpërblimet dhe dekoratat e ndryshme gjatë viteve duke falënderuar gjithmonë bashkpuntorët e tij për suksesin që të gjithë së bashku kanë arritur gjatë viteve dhe mbi të gjitha është treguar mirënjohës ndaj Zërit të Amerikës që i ka ofruar mundësinë të arrijë nivelet më të larta të VOA-s, si “Një bir i denjë i Shqipërisë”, siç e pat cilësuar me një rast Z. Biberaj ish-Drejtori i Përgjithëshëm i VOA’s, Z. David Ensor. Elezi vazhdon me vrull të pandalshëm veprimtarinë e vet duke korrur suksese dhe miratime në qarqet më të larta dhe më të dalluara të profesionit të tij të botës amerikane dhe asaj shqiptare, po se po.
Këtij biri, vërtetë të denjë të shqiptarisë, tani i është besuar posti kryesor dhe i merituar si Drejtor i Përgjithëshëm në detyrë i Zërit të Amerikës. Për ketë është krenare familja e tij, jemi krenarë të gjithë ne që e njohim dhe që kemi punuar me ‘të gjatë viteve, ndërkohë që i urojmë sukses në detyrën e re, për sado kohë që ta ushtrojë! Shokut dhe mikut tim të ngusht prej 5-dekadash, i cili nderon familjen dhe shokët e tij, emrin shqiptar dhe komunitetin tonë shqiptaro-amerikan, i shfaqi — bashkë me përgëzimet e mia më të thella për detyrën e re – edhe admirimin tem.
(Ne foto: Autori me Dr. Elez Biberaj në zyrën e Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, në vitet e 1990-ave)