Pas disa muajsh bisedime partitë e qendrës së djathtë Fianna Fail dhe Fine Gael si dhe të Gjelbrit kanë rënë dakord për një program. Posti i kryemistrit të ri do t’u kalojë me rotacion dy partnerëve kryesorë.
Drejtuesi i partisë Fianna Fail, Micheal Martin, pritet të drejtojë gjysmën e parë të periudhës legjislative deri në vitin 2022 dhe më pas detyrën e kryeministrit ta marrë përsipër Varadkar. Aleanca e re duhet të ratifikohet nga bazat e partive përkatëse. Të Gjelbrit kanë nevojë për një shumicë prej dy të tretave, gjë që mund çojë në rrëzimin e projekt-kompromisit.
Jo koalicion me Sinn Fein
Kryeministri Leo Varadkar është aktualisht kryeministër në detyrë. Në zgjedhjet parlamentare në fillim të shkurtit, partia e Varadkarit Fine Gаel, që ishte në pushtet, u rendit në vendin e tretë me vetëm 35 nga 160 vendet në dhomën e ulët. Rivalja e saj Fianna Fail, pavarësisht se pësoi humbje, u bë fraksioni më i madh në parlament me 38 vende. Por gjithashtu nuk ishte në gjendje të siguronte shumicën e kërkuar të qeverisë. Krahu i majtë Sinn Fein ishte në gjendje të rritet fuqishëm dhe arriti të fitonte 37 vende në parlament. Tani Sinn Fein është partia kryesore e opozitës.
Fine Gael dhe Fianna Fail, të cilat që nga pavarësia e Irlandës kishin qeverisur pothuajse gjithmonë ose të vetme ose në koalicion me njëra-tjetrën e kishin përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi me Sinn Fein.
Sinn Fein, e cila dikur konsiderohej krahu politik i organizatës së armatosur ilegale IRA, përpiqet për një Irlandë të bashkuar – me Irlandën Veriore, e cila është pjesë e Britanisë së Madhe.