Në romanin “Kohë përtej dhimbjeve” të Mehdi Krasniqit, ndërkomunikimet letërsi – luftë strukturohen dhe tematizohen në disa plane: e shtrin korpusin tematik, ideor e motivor në disa kohë, të cilat maten me Kohën e Luftës. Ç’është e vërteta, duke qenë edhe vetë luftëtar që e njeh atë përvojë, nga njëra anë, si dhe krijues me talent që e ka formuar profilin e tij letrar në poezi, në prozë e në literaturën dokumentare, ku tematika e luftës është formante letrare e veprës së tij, nga ana tjetër; romani më i ri e shqipton këtë përvojë të dyfishtë.
1. Struktura e punkteve narrative
Janë shtegtime arti nëpër tri kohë, që na e paraqesin shtegtimin tonë ekzistencial, nacional e çlirimtar, me gjithë përplasjet dhe kundërthëniet që na kanë përcjellë në realitetet e deritashme tragjike. Ky rrugëtim shënjon dy botë krejtësisht të kundërta me njëra tjetrën, sikundër janë kultet e pushtuesit kundruall Kultit të Lirisë shqiptare, janë idealistët shqiptarë të rezistencës kundruall pushtuesve e veglave qorre të pushtuesit, që projektojnë dhunë, shfarosje etnike e tragjedi të shumta njerëzore e kolektive, është realiteti i përditshëm që ngërthen tragjikën e personazheve.
Është fati tragjik i një familjeje shqiptare, e Ekremit, të shpërngulur në botën e jashtme, i cili më parë ka qenë i burgosur politik, dhe në familjen e tij dëshiron ta ruajë me çdo kusht profilin e prindit autoritar, ku dëgjohet vetëm fjala e tij. Ai ka gruan e tij fisnike, ka dy fëmijë Blertën dhe Ardin, tashmë të rritur. Blertën e përdhunon një i huaj, Henri, i cili e keqpërdorë dashurinë e tij me një akt dhune, që i shkakton tragjedi asaj. Ardi dashuron një vajzë boshnjake në mërgim, të quajtur Anda. Edhe kjo dashuri përfundon tragjikisht, për shkak se Ardi, pa e lajmëruar prindin e të tjerët, meqë ishte kohë lufte në Kosovë, ia mësyn Shqipërisë e prej andej depërton në zonat e luftës, ku bie trimërisht në luftë me forcat serbe. Nga trishtimi i madh se çka ka ndodhur, nëna e sëmurë e këtyre fëmijëve vdes, edhe si pasojë e veprimeve autokratike të bashkëshortit që dënon dashurinë e fëmijëve të tij. Në fund, për shkak të travajave të panumërta jetësore, vdes edhe Blerta, por ajo e fal Henri-n, sepse ai vazhdimisht paraqitet si i penduar. Në skenat e fundit, e shohim të burgosur Ekremin, për shkak të veprimeve të tij të dhunshme në familje.
Kjo është lënda letrare, me pak fjalë, por romani dallohet me një rrëfim të mirëfilltë letrar, të zhdërvjelltë. Punktet narrative, me një unitet tematik-motivor, të strukturuar me tension dramatik ngjarjesh, shfaqen herë në Gjermani, herë në luftën e Kosovës. Skenat këmbehen si në një shirit filmi, me dinamikën e ngjarjeve që të mban pezull. Sado që të duket se rrëfimi ka një patinë sentimentale, megjithatë dhimbja si kuintesencë tematike e jetësore, është e motivuar nga rrjedha e përjetimeve, e përplasjeve të karaktereve, si dhe e tensioneve të kohës, siç janë ato sociale, e sidomos ato nacionale. Kësisoj, hasim gërshetimin e procedimeve narrative, siç janë përshkrimi e ngjarja e mirëfilltë reale, herë në trajtën e dialogut të drejtpërdrejtë, herë trajtën narrative të letrës, herë të ambienteve të shtëpisë, takimeve, herë të ditarit, spitalit e sidomos të luftës, por jo pak edhe të trajtës psiko-narrative që i japin thellësi poetikës së tillë. Aty ndeshen e gërshetohen Kulti i Lirisë me atë të pushtuesit, Kulti i Dashurisë me atë të dhunës, përdhunimit, arrogancës e autokratizmit familjar.
2. Personazhet e dhimbjes
Pothuajse shumica e protagonistëve të këtij romani, janë personazhe të dhimbjes, siç janë vëlla e motër Ardi e Blerta, nëna e tyre (që të tre përfundojnë tragjikisht), po edhe dy personazhet tjerë të dashurisë, nga kombe të huaja, si Anda e Henri. Këta personazhe përjetojnë pak çaste të lumtura në jetë e më shumë dhimbje, sado që arrijnë të shkëputin për të treguar edhe çaste lumturie. Qetësia e paqja e tyre kanë humbur. Sikur këta protagonistë sikur nuk gjejnë zgjidhje të fatit të tyre, për shkak të dhimbjes që kanë pasur kapitujt tragjikë të jetës së tyre, një si fatalitet i pashmangshëm. Ata nuk arrijnë t’i mjaftojnë njëritjetrit, nuk arrijnë të realizohen në jetë; as nëna t’i shohë të lumturuar fëmijët e vet: as të rinjtë të realizohen në dëshirat e ëndrrat e tyre jetësore, për shkak se gjithnjë gjendet një forcë që e pret në mes ose dashurinë ose gëzimin e lirisë së fituar. Kjo dhimbje gjakos jetën e tyre deri në vdekje! Këto dhimbje, më në fund, edhe transformohen në mësimin e madh të jetës, por gjithçka është vonë, pasi gjithçka përfundon në favor të fatkeqësisë.
Këta personazhe përjetojnë dhe flasin për dashurinë ndaj familjes, ndaj prindërve, ndaj atdheut e në mes të të rinjve, por kjo dashuri është dërrmuese, që godet rëndë, sa herë që ose përpiqen ta fshehin këtë dhimbje, ose nuk arrijnë ta kapërcejnë. Të duket sikur gjithçka dhemb. Liria dhemb, dashuria dhemb, kurse bota emocionale është tejet e tensionuar, e përshkuar me shqetësime të pafund. Dhimbja i zgjon më në fund të tjerët, por mësimi është me pasoja.
Ky është realiteti i vuajtjes, i dhembshurisë dhe i shqetësimeve. Personazhet, sa janë gjallë, arrijnë të qëndrojnë në këmbë, por qëndrojnë për aq sa është një tjetër forcë që i thyen përfundimisht apo që ta përfundojnë finalen e tyre tragjike. Nuk është fjala për plagët e trupit, por për ato të shpirtit, të cilat, me peshën e tyre të rëndë, shkaktojnë tragjedi. Gjithçka mbyllet me këtë perde të hekurt: nuk i luhet shans kohës që t’i shërojë këto plagë e dhimbje. Edgar Allan Poe do të thoshte: “Absolutisht nuk kam asnjë kënaqësi në stimuluesit, në të cilët nganjëherë me kaq çmenduri ndiej kënaqësi. jeta, fama dhe arsyeja nuk qenë në ndjekje të kësaj kënaqësie. Ishte një përpjekje e dëshpëruar për t’i ikur torturës së kujtimeve, ndjenjës së vetmisë së padurueshme, tmerrit dhe dënimit dhe të rënies çuditërisht të afërta. “Nuk është e habitshme përse fataliteti është kaq paralajmërues në jetën e tyre, dhe kaq pranë, që i përcjell në çdo hap. Mbase, mund ta lexojmë dhe si një mesazh të fortë, se dhimbjet na pëshpëritin secilit prej nesh gjatë tërë jetës, por ato na flasin në ndërgjegjen tonë, të secilit prej nesh. Ndryshe, s’ka se si të dhurohet ky katarsis aristotelian i tragjikes, pikërisht pse këta personazhe e gjakojnë aq shumë lirinë dhe dashurinë. Prandaj ata rrezatojnë me shembullin e tyre jetësor.
3. Poetika dhe trajtat e rrëfimit
Në romanin e Mehdi Krasniqit trajtohet rrëfimi mbi fatin e sëmundjet, mbi dashuritë dhe kujtimet, mbi njerëzit që na mungojnë e që na shkëputen nga përqafimi, mbi luftën liridashëse dhe mbi tragjedinë e një familjeje që pothuajse shuhet. Mund të thuhet se kjo parabolë narrative shtrihet edhe nga një skaj tjetër: kjo familje, duke ikur nga dhuna serbe, shpërngulet për ta kërkuar qetësinë e ekzistencën e saj jashtë; sado që në mërgim kushtet janë pakrahasimisht më të mira, ky kërkim i qetësisë dhe lumturisë ka anën tjetër të medaljes: dashuritë shuhen, të rinjtë ose vdesin në luftë ose nga sëmundjet, prindërit ose vdesin po ashtu nga barrët e rënda të jetës me probleme për shkak të problemeve asociale, ose përfundojnë në arrest!
Vërtetë jeta ka logjikën e saj: në një vend ku ka shumë kombe, dashuria e mirëfilltë nuk pyet për to; por kur ajo ose dhunohet, ose ndalohet, ose keqpërdoret, përfundon në tragjedi. Femrat e këtij romani të duket sikur iu ngjajnë atyre të letrave botërore, femrës fatale, ku dashuria është një kob!
Porse për secilin ka një ngushëllim: luftëtari i rënë, Ardi, do të kujtohet me devocion nga miqtë e familja, nderohet nga një komb që fitoi lirinë, do të ngrihet një muze me relikte lufte e të jetës së tij, sado që prindi i martuar rishtas, e keqpërdor dhe shkakton neveri me sjelljet e tij; Blerta, para çastit të vdekjes, i shkruan letrën e faljes Henri-t, e që mund të konsiderohet si një katarsis shpirtëror, për t’u ndarë nga kjo jetë me etikën e fortë të pastërtisë së shpirtit; Ekremi, i thyer nga të gjitha anët, përfundon, sipas logjikës së ngjarjeve, në arrest, në ato momente kur i vdesin gruaja e të dy fëmijët…
Në romane ndiejmë pjekurinë krijuese, e cila na bind për një përvojë të së bukurës, një përvojë e fituar nga arti poetik. Ka, prandaj, dhe pasazhe të bukura lirike që i japin veprës një nënshtresë të tjetër të lirizmit, si kategori estetike. Autori nuk pikësynon ta shndërrojë romanin e tij në procedim të ndërliqshëm narrativ, as në përqasje eksperimentesh letrare-narrative. Për këtë arsye, këtë prozë e lexojmë si një prodhim realist letrar, po edhe me procedim modern, meqë ka disa shtresime rrëfimore: që nga përshkrimi e deri te dialogu me tensione dramatike: që nga letrat që karakterizojnë personazhet, ambientet, gjendjet emocionale, qëllimet e personazheve, veprimet e qëndrimet e tyre, e deri te trajta e ditarit të Ardit (përshkrimet e betejave të luftës), si dhe një përqasje e praktikës tekstuale, lirike apo dhe e diskursit psiko-komentues të ngjarjeve.
Në këtë kontekst, autori riafirmon parimin e rikonstruktimit të elementeve integruese produktive të prozës tradicionale me ato të modeleve risimtare. Procedeun e tillë romanor Umberto Eko do ta quante “vepër e hapur”. Teksti i tillë merr edhe karakter të përdegëzuar, disperziv dhe shumëformësh. Po shtojmë se praktika e tillë narartive zhdrivillohet për ta krijuar frymën e autenticitetit jetësor, nga njëra anë; i tillë, çfarë është edhe procedimori i nyjave kompozicionale të sensibilitetit jetësor të këtyre personazheve.
Me gjithë peshën e fatit, të pësimeve e të përjetimeve që bart kjo luftë apo jeta në mërgim; është po ky fat ekzistencial dhe nacional që e mbjell farën e dashurisë e të lirisë, faqe që dhurojnë një përjetim të ndjeshëm, përjetim të fortë edhe emocional edhe nacional; një lartësim i vlerave më sublime të lirisë dhe dashurisë. Kjo do të thotë se edhe dashuria edhe liria i ka jo vetëm heronjtë e vet, po edhe tragjikën e vet. Janë pjesë që dhurojnë përjetime të bukura përjetimet e Ardit në luftë, deri te rënia e tij heroike, rënie që e ka madhështinë e vet. E tragjikja gjithmonë vihet aty ku ka një tension të fortë ngjarjesh sublime, të madhërishme. Kësisoj, e madhërishmja si kategori estetike, i jep tonin e saj poetikës romanore.
Maj 2020