Vendet e Ballkanit do të bien në recesion gjatë vitit 2020, për shkak të krizës së koronavirusit.

Shqipëria, sipas parashikimeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), do të pësojë tkurrjen më të madhe, ndërsa rritja e saj ekonomike do të zbresë në -9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sipas raportit të publikuar të mërkurën, “ekonomia shqiptare do të preket ndjeshëm nga epidemia, si pasojë e varësisë së saj të lartë nga turizmi dhe fasoneria”.

“Një reduktim i pritshëm i dërgesave nga emigrantët do të ndikojë gjithashtu në rënie”, vlerëson raporti, sipas të cilit, “rimëkëmbja do të varet nga lehtësimi gradual i masave në vend për ndalimin e përhapjes së virusit dhe kthimi në normalitet në gjysmën e dytë të vitit”.

Sipas parashikimeve të BERZH-it, ekonomia shqiptare mund të ketë një rimëkëmbje të shpejtë, duke u rritur me 12 për qind në vitin e ardhshëm.

Sa i përket Kosovës, e cila vitin e kaluar rregjistroi rritjen më të lartë në rajon, BERZH-i parashikon se “efektet e masave që synojnë kontrollimin e pandemisë dhe një rënie e mundshme e dërgesave në para do të rezultojnë me një rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 5.0% në vitin 2020, për t’iu rikthyer një rritjeje pozitive prej 7.5 për qind më 2021”.