Komisioni Europian po inkurajon vendet në BE që të zgjasin kufizimet për udhëtimet jo-thelbësore dhe të mbajnë kufijtë e jashtëm të mbyllur deri më 15 qershor.

“Ndërsa disa shtete të asociuara të BE-së dhe Shengenit po ndërmarrin hapa paraprak në drejtim të lehtësimit të masave për luftimin e përhapjes së pandemisë, situata mbetet e brishtë si në Europë ashtu edhe në mbarë botën. Kjo kërkon masa të vazhdueshme në kufijtë e jashtëm për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së virusit përmes udhëtimit në BE. Heqja e kufizimeve të udhëtimit duhet të bëhet me faza, “tha Komisioni Europian në një deklaratë të premten.

“Ftesa” nuk është e detyrueshme dhe hapja e kufijve të jashtëm të vendeve është një vendim në nivel kombëtar.

BE vendosi të mbyllë kufijtë e saj të jashtëm në 17 mars, përveç udhëtimeve jetësore. Kufizimet zbatohen për “zonën e BE”, gjithsej 30 vende, përfshirë Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.

“Megjithë përparimin në shumë vende europiane, situata në të gjithë botën është shumë e brishtë. Është e domosdoshme që çdo veprim i ndërmarrë të jetë gradual, me masa të ndryshme në faza të ndryshme”, tha Margaritis Schinas, nënkryetar i KE./CNN