Me rastin e 75 Vjetorit të përfundimit të Luftës së II-të Botërore

Ekskluzivisht për ARGUMENTUM nga MAL BERISHA, Ish-Ambasador në Mbretërinë e Bashkuar*

***

Në Ditën e Fitorës mbi Fashizmin në Westminster Abbey (Victory DAY) – 2015 – LONDËR

Sot është shtatëdhjetë vjetori i fitores mbi fashizmin. Në Abacinë e Westminsterit arrijnë njëri pas tjetrit veteranë, pjestarë forcash të armatosura, antarë familjesh pjesmarrëse në Luftën e Dytë Botërore, intelektualë, pjestarë të administratës së lartë të shtetit, antarë të kabinetit qeveritar, deputetë të qeverisë dhe opozitës dhe thuajse të gjithë ambasadorët dhe kryekomisionerët e akredituar në Oborrin e Shën Xhejmsit.

Banda muzikore e Uellsit ekzekuton muzikë të kompozuar nga Davidi i Gurit të Bardhë, balladë nga Filip Spark dhe Elegji nga George Thalben – Ball. Nën tingujt e kësaj muzike në Abaci shfaqet ndërkaq Madhëria e Saj, Mbretëresha Elizabeth e II – të me Dukën e Edinburgut, Princin e Uellsit dhe Dukeshën e Kornuellit. Është një moment solemn nga ato kur e tërë makina protokollare shtetërore e këtij vendi është në funksion të plotë. Me dhjetra stuartë, zonja mondane me kapele, ushatarakë me grada, të rinj që shërbejnë në kishë, pjestar të Protokollit të Shtetit, kanë vënë tëra energjitë në shërbim të kësaj dite solemne.

Abacia dhe Parlamenti

Po përse pikërisht në këtë Abaci do të festohet 70- vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore?!

Arsyeja është e thjeshtë: Ajo gjendet pranë Parlamentit Britanik. Në të prehen eshtrat e thuajse tërë mbretërve anglezë. Aty u mbajt edhe Mesha e Fitores mbi Fashizmin. Aty organizohen Lutjet e Falenderimeve për të mirat që iu ka dhënë zoti britanikëve, bashkë me të huajt. Dita e lutjeve në botën anglo – saksone është një ndër ditët më të shënuara. Ajo festohet në Amerikën e Veriut si një festë që i ka rrënjët në traditën angleze që nga koha e Reformës së Protestantëve. Ajo është në fakt edhe si një festë e të lashtave edhe pse ato merren shumë kohë përpara datës së shënuar që është e enjtja e katërt e Nëntorit të çdo viti. Kjo ditë është bërë e rëndësishme gjatë Reformimit nën mbretërimin e Henrit të VIII – të, si reagim ndaj shumë festave fetare të kalendarit katolik. Përpara vitit 1536 kishte 95 festa fetare në kishë plus 52 të djela në të cilat njerëzit duhej të shkonin dhe të merrnin pjesë, madje edhe të paguanin shtrenjtë për to. Kështu lindi një lëvizje për thjeshtimin e tyre deri në dy ose tre siç janë Krishtlindjet, Pashkët dhe Dita e Falenderimeve. Kjo ditë mori këtë emër pas fitores ndaj Armadës Spanjolle në vitin 1588 dhe u pasua prej vendimit të Mbretëreshës Anne në vitin 1705. Një kremtim i përvitshëm i Ditës së Falenderimeve filloi në vitin 1606 fill pas dështimit të Komplotit të Barutit në vitin 1605.

9 maj 1945 – 2015.

 Atë ditë, Kryeminstri Uinston Çurçill, pasi njoftoi publikisht dhe zyrtarisht, nëpërmjet të një transmetimi të drejtëpërdrejtë radiofonik kapitullimin pa kushte të Gjermanisë, vajti në Dhomën e Komunave për t’iu drejtuar antarëve të parlamentit. Që aty ai ndoqi një meshë për t’u falur për arritjen e kësaj fitorje dhe për t’u lutur për shpirtërat e tërë atyre që dhanë jetën. Festimet në Londër dhe në tërë Britaninë e Madhe shpërthyen menjëhërë si një vullkan. Populli u lëshua në rrugë. U zbrazën me mijëra fishekzjarre. Njerëzit të mbytur në lotë gëzimi e dhimbje, këndonin pa ndëprerë këngën:

“Unë nga gëzimi do ndizem i tëri gjer n’agim”.

(Ja një pjesë e refrenit):

“Kur kombet të humbasin ndjesinë e luftës, mjerim!

Dhe bota prapë të kthehet në të mbarin drejtim,

Oh çfarë ditë feste do të jetë ajo atëherë,

Kur trimat të sjellin të paqës’ pranverë!

Dhe vjen koha që dritat të llamburisin pa pushim

Dhe unë nga gëzimi do ndizem i tëri gjer n’agim.”

Në radhën e parë vetëm tre karrige para meje është ulur Mbretëresha Elizabeth e II – të. Sot ajo ka veshur një rrobë tërësisht të zezë përfshi edhe kapelen. E qetë, e bardhë, e përunjur, ajo ndjek me kujdes meshën. Ngrihet dhe ulet sa herë që pastorët e kërkojnë këtë për të tërë meshtarët.

Ajo sivjet mbush vitin e 63 –të që kur ka ardhur në fron dhe e ndjek këtë meshë që kur ishte një vajzë e re dhe e bukur.

Kjo ditë për Mbretëreshën Elizabeth II.

70 vjet më parë ajo ishte Princesha Elizabeth. Nga gezimi i madh i fitores Ajo kishte dalë nga Pallati Mbretëror, pa u vënë re se kush ishte, bashkë me princeshën tjetër Margaret duke u përfshirë në turmat që gëzonin. Ato ishin të shoqëruara nga roje që nuk binin në sy. Në rrjedhë të ditës Çurçilli kishte mbajtur dy fjalime: Të parin në White Hall nga ballkoni i Ministrisë së Shëndetësisë ai e filloi me fjalët :

“Kjo është fitorja Juaj!”

Ndërsa turma ju përgjigj atij:

“Jo! Është fitorja Jote!”

Më pas në fjalimin e dytë ai e tërhoqi turmën në këndimin e hymnit: Toka e Shpresës dhe Lavdisë e muzikuar nga legjenda e muzikës angleze, Sir Edward William Elgar,

Tokë e Shpresës dhe Lavdisë, o Nënë e Lirisë,

Si ta shpërblejmë ne që na linde, Ti,

Si t’i zgjerojmë kufijtë e tu të pafundësisë,

Si të mbrojmë atë që Zoti të dhuroi me aq dashuri

Dhe fuqinë tënde ta kthejmë në mrekulli!

 

Që prej asaj kohe në këtë Abaci, fitorja mbi fashizmin përkujtohet çdo dhjetë vjet me një meshë të tillë. Mbretëresha Elizabeth e përkujton atë për të shtatën here si Mbretëreshë.

Një paralele midis “fitimtarëve”

Në këtë ceremoni përkujtimore super të organizuar deri në mikro detaje dhe kaq mbresëlënësë, e pamundur të mos shkojë mendja tek shumë fjalime që janë mbajtur në atë kohë, pikërisht në këtë datë ose edhe në ditë të shënuara si kjo me çlirimin e vendeve nga nazi – fashizmi.

Tek shoh shoh sesi e festojnë britanikët këtë ditë, mendja shtegëton tek vendi im, atje ku luftrat, kujtesa, protagonistët përbëjnë një amulli që venit fitoret dhe zvetënon të vërtetat që duhet të ndriçojnë kombet.

Edhe në Tiranë, në kryeqytetin tim plot histori, një njeri ka mbajtur një fjalim të cilin na e kanë ngulitur në shkollë si një moment patriotizmi. Edhe shqiptarët kanë patur të drejtë të shpërthejnë në festime pas fitores kundër nazi-fashizmit. Kanë patur arësye të ëndërronin për ditë më të mira… Por eh …dallimi është shumë i madh: Nazizmi në Shqipëri u zevendësua me një formë tjetër diktatoriale po aq të keqe për popullin shqiptar. Ndërsa këta këtu e sollën vendin e tyre në lartësitë më të mëdha që ndonjë komb e ndonjë popull ka arritur, Shqipëria ra në duart e një diktature të quajtur e Proletariatit.

Veteranët

I shoh me respekt veteranët britanikë të luftës. Të vjetër, të plakur, por të veshur bukur, të mbushur gjokset me dekorata. Dhe mendja ime prapë më shkon tek mijëra luftëtarë shqiptarë shumë prej të cilëve përfunduan nëpër burgje, kampe, internimi dhe ekzekutime të pashëmbullta. Heronjtë na dolën “tradhëtarë” dhe luftën e paskërkishin bërë armiqtë…

Mesha është përhërë një moment meditimi. Edhe unë sot meditova thellë.

Ndjeva keqardhje.

E dëgjova me endje por jo pa zili

Tokën e Shpresës dhe Lavdisë.

Dhe u luta për vendin tim:

”Kurrë mos pafsh fitimtarë luftërash që të vrasin më shumë se hasmi yt!

Amen!

 

Në Westminster Abbey, Londër, Victory Day, 9 Maj

 www.Malberisha.com

*Është nder dhe privilegj që Zoti Mal BERISHA u tregua menjëherë i gatshëm për të na dërguar këtë shkrim të tij që botohet për herë të parë në ARGUMENTUM.

Mal Berisha ka lindur më 26 Gusht 1952 në Tropojë. Është diplomuar  nga Instituti i Lartë i Arteve dhe përpara viteve 90 ka punuar në sektorët e  kulturës  në rrethin e Krujës e të Kurbinit. Në vitin 1993 – 1997 shërbeu si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll. Pas përfundimit të misionit në Turqi, më 1998,  iu bashkua Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane (LQSHA) e udhëhequr nga ish-kongresmeni, Hon. Joseph DioGuardi dhe Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës “VATRA”. Në vitin 2000, iu bashkua Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Prishtinë. Pas gati një dekade u kthye në Shqipëri, si Drejtor i Përgjithshëm i Çështjeve Rajonale dhe Iniciativave në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në periudhën  2012 – 2015 shërbeu si Ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar. Më 2018 iu bashkua Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.

Ai është  studjues, historian dhe publicist i njohur; ka botuar  pesë libra në shqip dhe dy të tjerë në anglisht ,dhe konkretisht:

“Shqiptarët, Lisa mbi truallin Ilir”;”Shqiptarët, Europianët më të lashtë dhe më të rinj”. (2008);”Amerikani Charles Telford Erickson, Një jetë kushtuar Shqipërisë” tre volume, (2012).”Herman Bernstein, Ambasadori U.S në Shqipëri, 1930-1933″ (dhjetor 2014),

“Realitetet Shqiptaro – Britanike” është libri më i fundit botuar në vitin 2015 në prag të mbylljes së misionit të tij në Mbretërinë e Bashkuar. Veë tjerash, ka përkthyer librin “ Shpëtim në Shqipëri” i Harvey Sarner, mbi “ Besa” shqiptare dhe mbrotjen e hebrejve në Shqiëri. Mal Berisha ka iniciuar dhe ngritjen e dy monumenteve të heroit kombëtar shqiptar Skënderbej në Londër dhe në M unxhufuni  në  Molise Regione, fshat i populluar nga shqiptarë (arbëresh)

© Argumentum.