Poezia e Skënder Buçpapajt në këto vite shenjohet me vëllimin “Zogu i bjeshkës”,i cili tërhoqi vëmendjen e botës letrare të asaj kohe.Ky vëllim përbën një ngjitje kulmore për këtë letrar ,me motive krejtësisht të tij dhe nga Malësia e Gjakovës.Nga vetë titulli dhe nga përmbajtja e librit mësojmë se kemi të bëjmë me një poet që e shtrin vargun e lirë në dimensione të kohës dhe të trevës.
Si një poet me një formim të mirë dhe si njohës i thellësisë së mendimit, ai vargun e vet e gatuan në frymëzimet që burojnë nga treva ku lindi.Kjo poezi edhe sot mund të lexohet pikërisht për këtë.Poeti e ngre unin e tij në vështrim transedental kur thotë:

Unë,zambaku i posaçelur në këtë pranverë e në këtë tokë,
Dua t`i thërras djemtë dhe vajzat dhe punëtorët e ndershëm
Të vijnë e t`i mbledhin petalet e mia të freskëta dhe të shëndetshme

Dhe më poshtë vijon:

Eni djem e vajza
Ju punëtorë të ndershëm
Merrni petale
Çela për ju të gjithë.

Kjo është kredo e poezisë së tij,që kërkon ta bëjë të të gjithëve;por si mund ta bëjë të tillë?Poeti e ka gjetur sekretin duke e shtjelluar poezinë në diapazonin e saj njerëzor,duke u munduar të prekë e të rrokë ato tema që janë bindëse dhe krijojnë afrimitet.Dhe nuk mund të krijojë më tepër afrimitet sesa kur kujton fëmijërinë që prek zemrën e çdo njeriu.
Fëmijëria ime
Lëndinë jasemini,
Gjumi….
Apo t`u drejtohet djemve të minierës së re me vargjet:

Jemi malësorë
Dhe malësorët janë të heshtur..
Ingjajnë një mëngjesi të hekurt bjeshkësh.(Poezia: Djemtë e minierës së re,fq.12-13)

Poeti sjell në poezi një vështrim dhe një psikologji krejt tjetër,botën e malësorit të ditur dhe të kultivuar,ku paralajmëron heshtjen si tregues i të diturit të gjërave dhe i nevojës për t`u thelluar pikërisht në çështje dhe dilema të jetës së njeriut.Kjo ndihet në gjithë frymën e vëllimit , nga fillimi në fund,këtë na e sjell edhe vargu i gjatë dhe i shtrirë me një tendencë dhe formim të caktuar ku autori i shpërfaq reflekset meditative me një hov të përmbajtur dhe plot elokuencë dhe kulturë.
Poeti Skënder Buçpapaj sjell në poezinë e viteve shtatëdhjetë zërin e tij të veçantë,origjinal dhe të njomë, epikën dhe lirikën e bjeshkës, natyrën, dhe ,përmes detajeve, vizaton gjithë atë spikamë të eposit të saj.Zogu i Bjeshkës nuk është tjetër veçse zëri në gjoksin e poetit ,është shqetësimi i tij i përhershëm për të dhënë diçka nga vendlindja,po njëherit këtë duke e transmetuar jo me vargje rapsodike,po me një varg të përpunuar dhe modern.

Cicëriu zog i bjeshkës
E më fali lulet e malit
e më fali larat e borës,(Zogui bjeshkës,fq 18)

I njëjtësuar me natyrën e bjeshkëve të Tropojës, ai ndjen ngazëllim për këtë,ndjen se shqetësimi poetik nuk mund të krijohet artificialisht por në konkordancë me afeksionin për natyrën, duke marrë me vete natyrshëm lëngun e truallit ku ai ka lindur.Kjo poezi,është krejtësisht e përkundërt në poezinë e atëhershme, me mënyrën sesi i këndohej vendlindjes apo temave të ditës.
Ajo vjen si një mënyrë e re e të kënduarit në ato vite, duke përcjellë zërin origjinal të poetit po edhe të vendlindjes së tij.
Duhet thënë se këtë mënyrë të kënduari ,këtë prosede të shtjellimit të vargut dhe të koncepsionit nuk kishin mundur ta ndiqnin as poetët që jetonin në qendrat urbane,ndërsa e ndiqte një poet që jetonte në skaj , që kurrë nuk i kishte munguar interesi për të ndjekur poezinë bashkëkohore.
Poeti shkrihet me natyrën,siç duket, natyra në ato anë është e falur me tepri nga zoti për pasurinë e saj, ndaj poeti shprehet:

Tetë ditë qëndrova pranë e pranë me ujërat e Valbonës
Tetë ditë u rroka me ujërat dhe zhurmërimën e kaltër të ujërave..(Poezia Tetë ditët e Valbonës,fq 19)
Heroi lirik i poezisë së Skënder Buçpapës është i dashuruar me natyrën,vizaton lehtësisht njerëzit që jetojnë dhe gjallojnë në këtë natyrë të bukur,mahnitet nga forca e saj jetëdhënese,krijon raporte të mirëfillta estetike me të,dhe është në gjendjen dhe madhështinë e forcës së saj.Kështu, ky hero poetik dhe lirik, e zgjeron frymëmarrjen e vet, duke jetuar në një kohë të caktuar,pra,ai është intelektuali dhe punëtori,po edhe heroi i punës që bën sakrifica të mëdha.
Skënder Buçpapaj ka meritën që e zgjeron dhe e përpunon konceptin mbi të, brenda një kohe të caktuar,që është koha e socializmit,po poeti nuk merret shumë me të ,aq sa merret me ndershmërinë dhe përkushtimin e njerëzve në një kohëtë caktuar, edhe pse ajo qëllon të jetë e tillë.Ai vjen nga një trevë me motive legjenda me histori të lashtë,i patjetër nuk e harron këtë; është ushqyer që i vogël nga burimet epike që kanë rrjedhur nga goja e malësorëve dhe që kanë bërë shtrat në një trashëgimi kohore dhjetëra e qindra vjeçare.Kjo ndihet dhe trajtohet në mjaft poezitë tij(Pranë varrit të një malazezi) etj.Në poezinë e tij Korbat, poeti shprehet:

Krrok,krrok,krrok
Thika të zinj që nuk i ngulen bjeshkës
Gurë të zuinj që nuk i tret koha (Poezia Korbat,fq.57).

Poezia e Skënder Buçpapaj operon me përshkrimin dhe simbolin;simbolika e saj është e hollë.Përtej shenjimit të këtyre fjalëve në trajtë të përgjithësuar mund të kuptohen gjithë armiqtë dhe çfarë mbetet përtej atyre si ankth i shkatërrimit që sollën ata;dhe me këtë rast duhet nënkuptuar malësia e Veriut tonë që, historikisht, ka qenë e ekspozuar përballë këtyre armiqve të egër.Dhe më poetikisht nuk ka sesi thuhet.
Atij nuk i kanë shpëtuar as motivet për Gjakovën.
Gjakova gjak
Çkaherë toka e kuqe dhe qyteti i kuq
Dolën nga gjaku
Gjakova
Belbëzim vigan gjaku
I dheut…(Poezia Gjakova,fq 65)
Duke luajtur me emrin e saj poeti ngre në përkime tingëllore gjithë fatin historik të këtij qyteti që nuk ëhtë larg vendlindjes së tij.Edhe pse ta kujton një vjershë të Ismail Kadaresë që niset nga përkimet tingëllore të rastësishme për t`u hedhur në histori(Shirat bien pareshtur mbi fytyrën e saj dhe siç duket nuk ia lajnë dot gjakun),poeti në këtë vjershë është mjaft origjinal dhe i përkorë.
Poetët e Tropojës në këto vite(Skënder Buçpapaj,Hamit Aliaj) dolën me një zë të veçantë, duke emancipuar poezinë shqipe, jo vetëm në tematikë, po edhe duke zgjeruar peizazhin e gjeografisë së saj;me këta poetë, poezia shqipe e viteve shtatëdhjetë fitoi kredenciale të reja dhe mbështeti më fuqishëm të drejtën e saj për të ndryshuar,edhe pse koha ideologjike i sillte pengesa të shumëllojshme.
Duhet thënë se vëllimi i Skënder Buçpapajt erdhi si freski e re,si mënyrë e veçantë e të menduarit poetik,larg skemave dhe klisheve ,larg asaj poezie që vërtitej në një tematikë të konsumuar dhe të stërpërdoprur e që nuk sillte më ndonjë gjë të re nga poetët.Ai ia zgjeroi frymëmarrjen tematike ,jo vetëm se vinte nga një trevë e pasur me folklor,por edhe sepse mjetet shprehëse i organizoi në mënyrë të tillë që ato të sillnin diçka të re;e në to dallon vargu i shpenguar dhe simbolika e hollë,njëkohësisht metafora e begatë…