Trigonat janë ndër ëmbëlsirat më të preferuara të familjeve shqiptare.

Kjo ëmbëlsirë është përgatitur për breza me rradhë dhe njësoj si bakllavaja  të kujton për mbledhjet e hareshme familjare.

Vite më parë, trigonat njësoj si bakllavaja përgatiteshin pothuajse njëherë në vit, në natën e ndërrimit të viteve, por në kohët e sotme, ëmbëlsia e tyre nuk të lë të presësh gjatë.

AgroWeb.org ju sjell një recetë të veçantë për përgatitjen e trigonave me bajame, kështu mund t’i surprizoni familjarët e të afërmit tuaj.

Përbërësit:

450 gramë bajame

1 filxhan çaji me sheqer ( 250 gr)

1 lugë gjelle me vanilje pluhur ( 15 gr)

Gjysmë luge çaji me kripë (2 gr)

Një majë luge çaji me kanellë pluhur

E bardha e një veze e rrahur lehtë

Një pako me peta të gatshme

Vaj për skuqje

 

Për sherbetin:

2 filxhanë çaji me sheqer (500 gr)

Çerek filxhan çaji me mjaltë (100 ml)

1 gotë me ujë (250 ml)

2 lugë gjelle me lëng portokalli (30 ml)

Përgatitja:

Zieni ujin në një tenxhere dhe hidhini bajamet. Lërini në ujë të valuar për vetëm një minutë dhe më pas shpëlajini me ujë të ftohtë në një kullorëse. Ngrohni furrën në temperaturën 250 gradë.

Vendosini bajamet në një tepsi në të cilën keni vendosur një letër pjekjeje apo e keni spërkatur me pak gjalpë dhe piqini për 8 minuta. Pasi bajamet të jenë pjekur futini në një mikser dhe shtoni sheqerin. Përziejini deri sa bajamet të bëhen pluhur dhe më pas shtoni vaniljen, kripën, kanellën, të bardhën e vezës dhe dy lugë gjelle me ujë.

Përziejini sërish në mikser deri sa të formohet një pastë e mirëfilltë, të cilën duhet ta hidhni në një enë dhe ta lini mënjanë.

Vendosni 2 petë në tavolinë dhe pritini  në 4 shiritë të gjatë. Mbushni një lugë nga pasta me bajame dhe hidheni në fillim të secilit shirit. Më pas palosni disa herë petët duke u dhënë formë trekëndore.

Vendosni një tenxhere në zjarr dhe mbusheni me mjaftueshëm vaj. Kur vaji të jetë nxehur, hidhini trigonat të skuqen dhe rrotullojini herë pas here që të marrin ngjyrën e kafenjtë në të artë në mënyrë të njëtrajtshme.

Pas skuqjes vendosini në një pjatë me letër kuzhine që të përthithet yndyra e tepërt.

Në një tenxhere tjetër hidhni sheqerin dhe një gotë me ujë dhe vendoseni në zjarr. Prisni sa sheqeri të shkrihet plotësisht dhe më pas hiqeni nga zjarri. Shtoni mjaltin, lëngun e portokallit dhe lëkurat e tij nëse kërkoni një shije më të plotë.

Trigonat vendosini në një tepsi të thellë dhe sipër tyre hidhni shërbetin. Prisni të paktën 10 minuta dhe më pas mund t’i servirni.