Kryeministri Edi Rama njoftoi sot tre vendimet e reja që ka marrë në kuadër të lehtësimit të masave për lëvizjen.
Duke filluar nga data 27 prill do të rritet orari i daljes në pazar që tani është 90 minuta dhe do të fillojë lëvizja ndërqytetase me taksi. Ndërkohë që pas dy javësh, nga e hëna 4 maj do të lehtësohen shumë lëvizjet brenda qyteteve me këmbë apo me makinë.
Pas rifillimit të aktivitetit ekonomik në mënyrë graduale po vijon edhe lehtësimi i masave të daljes nga shtëpia dhe lëvizjes ndërqytetase. Kryeministri Edi Rama njoftoi pasditen e sotme se nisur nga situata goxha pozitive që gjendet Shqipëria në luftën me koronavirusin, bazuar te shifrat, ka vendosur që të lehtësojnë sërish masat shtrënguese.
Kështu nga java e ardhshme në datë 27 prill, kreu i qeverisë tha se do të rritet orari i daljes në pazar, që tashmë është 90 minuta me autorizim te e-Albania. “Situata sot është goxha pozitive, por duhet të mbajmë mend ca gjëra të thjeshta. Javën e ardhshme ne do të rrisim orarin e daljes së në pazar”.