Duke nisur nga java e ardhshme do të hapen një sërë biznesesh që lidhen me tregtinë. Ashtu siç paralajmëroi kryeministri Edi Rama një ditë më parë, në faqen e-albania është publikuar lista e të gjitha aktiviteteve që mund të hapen sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Përveç dyqaneve ushqimore që qëndrojnë hapur që prej fillimit të pandemisë, tashmë do të kenë mundësinë që të hapen edhe ato aktivitete që merren me tregtinë me shumicë të tekstileve, veshjeve dhe këpucëve, tregtinë e pajisjeve elektroshtëpiake, ata të parfumerisë dhe kozmetikës etj.

Hapja e bizneseve duhet të shoqërohet me disa masa. Në portalin e-albania është publikuar edhe protokolli që duhet të ndjekin të gjitha bizneset e hapura.

“Punëdhënësi është përgjegjës për sigurimin e vazhdueshëm të mjeteve të mbrojtjes personale si maska dhe doreza (maskat mund të jenë dhe prej cope dhe të ndërrohen çdo ditë.) Punëdhënësit duhet të sigurojnë përdorimin e maskave dhe dorezave si barrierë fizike për minimizimin e transmetimit të infeksionit COVID-19. Punëdhënësit duhet të hartojnë politika të brendshme të subjektit siç janë mundësim të punës nga shtëpia ose orë fleksible të cilat lejojnë të rritet distanca fizike nga një punonjës në tjetrin ose / dhe krijojnë mundësinë e këtyre punonjësve të jenë në distancë 2 metra nga njëri- tjetri.

Punonjësve t’u kërkohet të aplikojnë larjen e duarve ose përdorimin e dezinfektantëve kur ato janë të ndotura ose pas heqjes së maskës dhe dorezave. Punëdhënësit nuk duhet të lejojnë punonjësit e tyre të përdorin mjetet e njëri- tjetrit dhe postet e ndërsjellta të punës. Punëdhënësit duhet të nxisin punonjësit e tyre për respektimin e praktikave të etikës respiratore, kollitjes e teshtitjes duke përdorur vënien e gropëzës së brrylit përpara gojës dhe hundës.

Punonjësit duhet të respektojnë masat e distancimit social të cilat do të kryhen sipas një plani të vetë bizneseve dhe të theksohet nëse kapaciteti i punëtorëve kalon për sipërfaqe në m2, duke respektuar distancën 2 m, bizneset të punojnë në dy turne sipas orarit të lejuar”, janë disa nga masat.

Për më tepër protokolli i sigurisë ka parashikuar që nëse një punonjës ka shenja klinike të sëmundjes duhet dërguar në shtëpi nga administratori i subjektit. Gjithashtu subjekteve u kërkohet që të minimizohet kontakti mes klientëve dhe punonjësve duke i zëvendësuar takimet fizike me komunikimet online.

Klikoni këtu për listën e plotë të aktiviteteve të hapura.

Klikoni këtu për masat dhe protokollet që duhet të zbatojnë bizneset.