Komisioni Europian ka gati planin për lehtësimin gradual të masave të ashpra që aplikohen aktualisht për frenimin e përhapjes së koronavirusit. Mediat ndërkombëtare thonë se plani parashikon 3 faza kryesore, të cilat në disa vende anëtare kanë nisur prej kësaj jave më 14 Prill me hapjen e bibliotekave, dyqaneve të vogla e kioskave, ku vizitorët e klientët janë të detyruar të ruajnë distancën sociale prej 1.5 metrash.

Java e ardhshme vazhdon me hapjen e ndërmarrjeve bujqësore dhe industriale. Prej 4 Majit do të lehojet sërish lëvizja e njerëzve me masa mbrojtëse si me maska e doreza, pa harruar edhe distancën e caktuar. Parashikohet hapja e dyqaneve të mëdha të tekstileve, mobiljeve dhe veshjeve por jo qendrat tregtare.

11 Maji pritet të shënojë hapjen e gjykatave dhe zyrat profesionale. Baret, restorantet dhe aktivitetet e tjera të hotelerisë parashikohet të hapen më 18 Maj, por do t’i kushtohet vëmendje të madhe ruajtjes së distancës mes klientëve. Më 25 Maj mund të rifillojnë punën parukierë dhe berberë, por me maska dhe me një klient të vetëm të pranishëm në ambiente të mbyllura.

Kampionatet e futbollit dhe sportet e tjera parashikohet të nisin më 31 Maj pa tifozë.

Shkollat e mesme do të rinisin në Shtator ku do të aplikohet mësimi me turne dhe përmes internetit. Ende nuk është vendosur për çerdhet dhe shkollat fillore.

Dhjetori, sipas planit të BE-së, pritet të hapë kinematë dhe teatrot. Rihapja e diskove dhe stadiumeve të mëdha do të bëhet në Mars të 2021-shit kur është parashikuar edhe rihapja e kufijve dhe përfundimi i të gjitha kufizimeve të deritanishme. Ekspertët e BE-së thonë se plani në varësi të situatës, duke parë ecurinë e pandemisë së COVID-19.