–8o VJET–
1940 – 2020
AT GJERGJ FISHTA O.F.M.
ASHT MENDJA, ZEMRA E
SHPIRTI I
POPULLIT SHQIPTAR !
PLLAKAT NGA FRITZ RADOVANI (2019)
Vllazen e Motra Shqiptarë!
Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit.
Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni…
Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!
Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue:
“VITIN 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTES”
Melbourne, 20 Nandor 2019. Me respekt, Fritz RADOVANI
Kujtoj…Sot, mbas disa vjetësh…
Një nder letrat e At Gjergj Fishtës:
NORBERT JOKLI
(1877 – 1942)
Shkelqësisë së Tij Françesko Jakomoni, Luogotenente:
Shkoder, 23 shtator 1939
Shkelqësi,
Mendoj se ma i miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Europë, asht Profesor Norbert Jokli, me kombsi çfute, qi, para Anshlusit, ishte bibliotekar i Universitetit të Vjenës e profesor gjuhsije në të njajtin universitet. Tashti, më shkruen prej Vjenet, se autoritetet lokale i kanë thanë këtij albanologu të shquem që të largohet, mbrenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut.
Ai, tashma, asht i ndryem, beqar, me nji fat mjaft modest, Atij, natyrisht i duhet të rropatet me gjetë ndonji vend, kudo të jetë, sa me jetue. Duket se don me shkue n’ Amerikë.
Shkelqësi, pa dyshim, do t’ ishte nji fatkeqsi e madhe per gjuhën kombtare shqipe, në kjoftë se ky shkenctar, me famë europjane, qi unë e njof e qi, me autoritetin e tij të pa diskutueshëm, ka majtë gjatë interesin e filologve ma të permendun per gjuhen shqipe, të jetë i shternguem me braktisë Europen.
Kombi shqiptar, i tani, do t’ ju dij per nderë shumë, në se Shkelqësia e Juej të mundet me gjetë mundsinë e t’ a bajnë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty nji vend, edhe pse jo aq fitim prues, megjithate të pershtatshëm per famen e tij si shkenctar e gjuhëtar i shquem.
Jam i sigurt se do t’a merrni në konsideratë dashamirse këte propozim t’emin, qi unë e paraqes n’ emen të t’ gjithë intelektualve shqiptarë.
Perfitoj prej rastit, per t’ Ju lutë, të pranoni ndjenjat e respektit ma të madh dhe me mirnjoftje të thellë.
Shkelqësisë s’Uej,
i dëvoçëm e mirnjoftës
At Gjergj Fishta O.F.M.
Shenim nga F.Radovani:
Nuk besoj se ka nevojë per koment ky dokument origjinal!
Melbourne, 16 Prill 2020.