BUZEQESHJA E RRUDHAVE
Ditës së sotme i dolën rrudhat
Duke shetitur në dhomë i përgjumur
Rrezet pjekin lëkurën n’oxhakun e diellit
Si bukën e argatëve nën saçin e skuqur
Fytyrë ime e bezdisur, e mrrolur
Si lëvore druri , vjetëruar në kohë
Buzët tkurren e zgjaten instiktivisht
Si llastik i fëmijëve kur gjuanin
Zogjtë e pafajshëm pranverave…
Eeeee!
Kur ngujimi të bëhet mik i zorit,
Vragët e dhunës nuk fshifen
Buzëqesh,vetëm i buzëqesh
Mjekrës sime të rritur tepër
Edhe vdekja e ka kuptimin e vet
Në e pastë tash kohën
Jeta si duq, i varur krahëqafe
Mbushur me ironi hamletiane…
NUK E KISHA LEHTË
Nuk e kisha lehtë të kaloj natën sonte
Vërshuan mendimet e tërbuara rrugëve
Ngatrresave të kohës u dolën pritave
Fjalë të nxehta ndrroheshin mes rreshtave
Askund filli,askund fundi,sytë gacë….
E nuk e kisha lehtë të vij te pajtimi
Kryengritje bënë mendimet e ndezura
Pajtime kërkonin fjalët e ëmbla
Germat shkonin trupit tim si thneglat
Drunjëve të kalbur maleve të larta…
Më kafshonin idhshëm
Ahishta pikon shi e lot,pishat kreheshin në diell
Nuk e kisha të lehtë jo
Më humbiste vetja udhëkryqeve
Shpesh thirrja në ndihmë Kamy-n,Markezin
Ishte larg qielli me tokën
Vetëm durimi më solli dritën
Drita pajtimin me vetveten e lodhur
Sa i rreptë është lumi im i fjetur…
GUNGAÇI*
Tërë ditën kalonte rrugëve të qytetit
Ku e zinte nata, takohej te nesërmen me dritën
I dehur truponte rrugët pa kontroll
Fliste e shante veten, shante edhe të tjerët
Nxirrte dhëmbët e sertshëm, i sillte gishtërinjve
Nga lodhje e rrugëve të nxira lirie
Sulmonte politikanët e kohës hoteleve
-Unë ua nxjerr sytë me shpatën e Demokleut
U thoshte ,pastaj shkonte….
Ky ishte refreni i Gungaçit
Pijaneci i dashur i qytetit tim të mirë
Rrugëve u vinte era alkool, si parfum sot
Gungaçi shkoi i paparë në amshim
Varrimin e kërkonte vertikalisht
Për kursim toke ,thoshte poet
Vogëlsi madhore varur në statujë kohe
Shëtit (sot)rrugëve të kujtesës nëpër brezni
Një obelisk në histori…
PS
*Gungaçi ,poeti i ndjerë gjakovar, Ali Musaj,(1933-1995), autor i këtyre veprave me poezi: “Vetëm jehona”,”Shkalzimet e frikës””Katarzë” , “Zëri i vetmisë”dhe “Dridhjet e jetës”. Ishte njëri ndër poetët më të spikatur të Kosovës e jo vetëm ,një bohem i rrallë,i cili kaloi jetën eseninçe rrugëve të Gjakovës. Ishte nip i Bajram Currit,heroit tonë kombëtarë. Përherë i ndrydhur nga pushteti, kurrë i harruar nga lexuesi e bashkëqytetaret e tij…