Nga Bernd Riegert

Duhen hapa të vegjël për daljen nga kriza e Coronës dhe të koordinuar, rekomandon Komisioni Europian. Plane konkrete ai nuk ka, por shumë ide të mira.

“Fqinjët e mirë flasin me njëri-tjetrin”, tha Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian në konferencën virtuale të shtypit në Bruksel. Ky është apeli ndaj 27 vendeve anëtare, që ta koordinojnë shfuqizimin e ngadalshëm të kufizimeve të Coronës. “Më e pakta është që shtetet të informojnë vendet anëtare dhe Komisionin Europian për mënyrën se si do të hiqen masat”, thuhet në një dokument strategjik të Komisionit Europian, të prezantuar nga von der Leyen dhe presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel, në Bruksel.

“Nuk ka kuptim që në një anë të kufirit të hapen dyqanet ndërkohë që në anën tjetër, në një vend tjetër të jenë të mbyllura. Kjo do të bënte që njerëzit në kufi të kalonin përtej kufirit për të blerë duke shkaktuar lëvizje të reja njerëzish”, shprehet von der Leyen për vështirësitë në hapjen e kufijve të brendshëm të BE. “E është në interesin origjinë të vendeve anëtare që të kemi shpejt një treg të brendshëm funksionues pa kufij dhe të investojmë për këtë”, thekson von der Leyen.

Polen Swiecko Grenze zu Deutschland | Coronavirus | Kontrollen (DW/A. Horbacz)

Kontrolle në kufirin polako-gjerman, Sviecko

Rekomandime, jo udhëzime detyruese

Komisioni Europian nuk mund të bëjë udhëzime të detyrueshme për politikat shëndetësore, sepse ato janë kompetencë e vendeve anëtare që vendosin vetë. Brukseli bën kështu rekomandime, pa afate kohore, që lirimet nga masat kufizuese do të varen nga pikëpamje epidemiologjike,- rënia e numrit të infeksioneve dhe stabilizimi i saj. Nëse sistemet shëndetësore të vendeve përkatëse janë të afta të përballojnë numrin e të infektuarve, dhe mundësia e ndjekjes së gjurmës të zinxhirëve infektues dhe ndërprerja e tyre. Lirimi i masave duhet bërë hap pas hapi, dhe duhet të ketë si qëllim izolimin e grupeve më të dobta, si të moshuarit e të sëmurët, ndërkohë që pjesa tjetër e popullsisë do të kthehet me kujdes në jetën normale. KE rekomandon shtimin e testeve dhe mundësisht një aplikacion të përbashkët për virusin e gjurmimin e tij- të njëjtë për të gjitha vendet anëtare, jo 27 të ndryshme.

Kufiri gjermano-francez – kontrolle për shkak të krizës Corona

Hapja e kufijve të brendshëm

Ursula von der Leyen mbron idenë që të hiqen edhe kufizimet e udhëtimit në kufijtë e brendshëm të BE një pas një dhe të mundësohet lëvizja në tregun e brendshëm europian. Kjo do të kërkojë disa muaj. KE kërkon një veprim të koordinuar, me qëllim që edhe kufijtë e jashtëm të BE të hapen sërish për udhëtime në BE dhe transport mallrash me Ballkanin, Amerikën, Azinë dhe Afrikën.

Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel premtoi, se krerët e vendeve dhe qeverive të BE javën e ardhshme në samitin e BE do të përpilojnë një plan për rimëkëmbjen ekonomike. “Se sa para në fund do të nevojiten, këtë nuk e thotë dot askush”, tha Michel. Von der Leyen bëri të ditur se vendet anëtare dhe BE kanë mobilizuar 3000 miliardë euro për të ruajtur vendet e punës dhe ekonominë. Kjo financohet në moment përmes borxheve të reja.

Dallime mes vendeve anëtare

Vendet anëtare të BE veprojnë në mënyra të ndryshme me masat kufizuese. Danimarka për shembull i ka hapur shkollat për klasat e ulta. Në Austri janë hapur sërish dyqanet. Në Francë mbetet gjithçka e mbyllur deri më 11 maj. Në Suedi baret e restorantet nuk janë mbyllur ndonjëherë. Në Gjermani të mërkurën vendoset për hapat e tjerë. KE nuk ka një përgjigje të qartë, nëse maskat duhen mbajtur me detyrim si në Austri në ambientet publike. “Ajo që është e qartë, është se fillimisht punonjësit në sistemin shëndetësor duhet të kenë maska”, tha Ursula von der Leyen. Në sektorë të tjerë, maskat luajnë rol, nëse mund të sigurohen, thuhet. Por edhe kjo është kompetencë e vendeve anëtare. /D.W./