Bashkimi Evropian do të ndajë 15 miliardë euro për të ndihmuar vendet e varfra në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se me këto para do të ndihmohen vendet me sisteme të dobëta shëndetësore, për të trajtuar krizën që ka shkaktuar koronavirusi.
“Ne do ta fitojmë këtë luftë vetëm me përgjigje të koordinuar globale”, tha von der Leyen, në një video të postuar në Twitter.
“Kjo është arsyeja përse Bashkimi Evropian do të sigurojë edhe mbi 15 miliardë euro, për t’i ndihmuar partnerët në gjithë botën, për të luftuar koronavirusin”, tha von der Leyen.
Ajo nuk dha detaje se nga ku do të sigurohen paratë ose kush do të përfitojë nga to.
Por, më herët, zyrtarët evropianë e kanë veçuar Afrikën si shqetësim, për shkak të lidhjeve të saj me Evropën, por edhe për shkak të sistemit të dobët shëndetësor në shumë shtete të këtij kontinenti.
Evropa ka qenë epiqendër e koronavirusit në javët e fundit, por, javën e kaluar, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka paralajmëruar se virusi “mund të dalë jashtë kontrollit shumë shpejt në Afrikë”.
Ministrat e BE-së do të takohen përmes një video-konference të mërkurën, për të diskutuar detajet e ndihmës financiare për vendet e cenueshme.