CDU dhe CSU kanë shënuar rritje masive në sondazhe, qeverisë po i jepet besimi maksimal. Një shenjë, se në kohë krize demokracia në Gjermani funksionon mirë, komenton Jens Thurau.
Kur gjendja bëhet serioze, populli mblidhet rreth qeverisë së tij. Gati gjithmonë është kështu, si në demokraci ashtu edhe tek qeveritë autoritare. Parë nga kjo nuk është ndonjë mrekulli, që qeveria gjermane në sondazhin e ARD-së për trendet në Gjermani ka fituar mjaft pikë. Por përmasat e kësaj mbështetjeje janë të habitshme.
Vetëm pak javë më parë, kur pakkush e dinte, se ç’ishte ky virus Corona, gjendja në Gjermani mund të përshkruhej kështu: Qeveria e CDU/CSU-së me SPD-në dukej se kishte arritur limitin e fuqive të saj, pakënaqësia e njerëzve ishte e pamohueshme, në zgjedhjet në Hamburg, CDU-ja pësoi humbje të ndjeshme. Qendra liberal-konservatore sinjalizonte gjithnjë e më shumë mbështetje për Të Gjelbrit, krahu i djathtë për populistët e AfD-së. Po tani?
Gjermania funksionon mirë në krizë
Demoskopët masin në këto javë një mbështetje kaq të madhe në popullsi për qeverinë si për asnjë koalicion tjetër që prej 23 vitesh. Angela Merkel, që në fillim të vitit, gati nuk dukej gjëkundi publikisht, shënon tani mbështetjen më të lartë mes gjermanëve në këtë legjislaturë.
Si e thamë: Në krizë njerëzit, sidomos gjermanët, nuk i ndryshojnë drejtuesit. Por në rastin e qeverisë gjermane në fillim të prillit 2020 shtohen edhe dy faktorë të tjerë: Imazhi i përmbajtur i vetë qeveritarëve dhe një efekt habie, narrativa e së cilës mund të rrëfehet kështu: Ky vend, ku shumë njerëz tundin kokën me mosbesim, që nuk po ia del të ndërtojë një aeroport në Berlin, ku shkollat janë në një gjendje të papranueshme, ku rrugët kanë nevojë për rikonstruktim – ky vend funksionon në krizë shumë mirë, sidomos po ta krahasosh në shkallë ndërkombëtare. E kjo i shkon në favor qeverisë.
Ne përjetojmë një kancelare, e cila dëgjon ekspertët e Institutit Robert Koch dhe respekton rekomandimet e tyre. Një kancelare, për të cilën prej vitesh thuhej, se fjalimet publike nuk janë specialiteti i saj, pikërisht ajo u flet qytetarëve në një fjalim televiziv me fakte, ndjeshmëri, e afërsi. Sigurisht që herë pas here ka grindje me kryeministrat e landeve për detaje, por papritur edhe federalizmi i shumëkritikuar po shihet si bekim, sepse reagohet sipas rajoneve në mënyrë specifike ndaj pandemisë.
Vendi e kupton, se ka shumë kryetarë këshillash bashkiakë, punonjës të zyrave të shëndetësisë apo kryetarë bashkie që janë të përgjegjshëm. E ndoshta turpërohen, se vetëm para disa javësh këta kërcënoheshin fizikisht nga të çmendur e të irrituar që njohin vetëm britmën si gjuhë.
Expertë shembullorë
Po kaq e rëndësishme: Gjermaninë e qetëson një grup ekspertësh shembullorë, si virologët e Institutit Robert Koch, që nuk thonë, se i dinë të gjitha mbi këtë virus. Që dukshëm përpiqen për të ruajtur qetësinë dhe vështrimin e përgjithshëm. Që flasin një gjuhë të qartë.
Mjafton një vështrim nga Britania e Madhe apo SHBA për të kuptuar, se kjo nuk është e vetëkuptueshme. Mund të thuhet, se është vlerësim për vendin dhe gjendjen e përgjithshme, që në sondazhe shumë vetë janë të shqetësuar për ekonominë në Gjermani, por personalisht vetëm një e treta kanë frikë për të ardhmen e tyre. Kush jeton në një vend, që pas 14 vitesh stanjacion ende i jep këtë siguri, ai nuk i ka punët keq.
Në fillim të epidemisë
Sigurisht: Ka shumë gjëra që duhen përmirësuar në sistemin shëndetësor. Tani po duken efektet negative të kursimeve, që spitalet i kanë kthyer më shumë në sipërmarrje ekonomike. Dhe Gjermania, këtë e thonë aktorë të ndryshëm, ndodhet në fillim të një epidemisë. Por shanset janë të mira, që përgjegjësit në politikë dhe popullsia ta përballojnë një rritje të mundshme dramatike të infeksioneve. Se si do të jetë Gjermania pasi të marrë fund kjo ëndërr e keqe, këtë nuk mund ta thotë kush me saktësi. Por për momentin, njerëzit i mbështesin masat drakoniane të kufizimit, sepse iu shpjegua qartë, se pse janë të nevojshme.
Në Brazil qytetarët ngrenë alarmin përditë duke përplasur tiganët kundër presidentit të tyre të papërgjegjshëm. Në Gjermani njerëzit nderojnë me duartrokitje mjekët, infermierët, policët, punonjësit e supermarketeve. Të shpresojmë që vendi ta marrë këtë si shkas për t’u dhuruar më shumë respekt këtyre profesioneve. Dhe për t’i paguar më mirë. / Jens Thurau/ DW/