Këto ditë, Isa Mustafa po përsërit vazhdimisht se është i gatshëm të bashkëpunojë me te gjitha subjektet politike për “të mirën” e Kosovës, me përjashtim të PDK-së, duke theksuar se për LDK-në kjo është “vija e kuqe”, që kurrsesi nuk duhet shkelur.
Për t`u bindur se sa i sinqertë është ai, le të shohim jo deklaratat, por qëndrimet e tij të fundit:
-mbështeti hapur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë;
-akuzoi Albin Kurtin si antiamerikan dhe si prishës të marrëdhënieve të Kosovës me aleatin e saj strategjik;
-inicioi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë në kulmin e krizës së rëndë të shkaktuar nga Covid-19;
-po kërkon me ngulm shmangien e zgjedhjeve të reja, duke u orvatur të krijojë një qeveri të re.
Po të analizohen një e nga një qëndrimet e Isa Mustafës, rezulton se janë identike me ato të Presidentit tё Kosovёs. Po kush është Hashim Thaҫi? Ai është themeluesi dhe udhëheqësi historik i PDK-së. Nuk do shumë mend për të kuptuar se qëndrimet e tyre janë të përpunuara dhe të bashkërenduara në prapaskenë, por edhe hapur. Nga të gjitha takimet e zhvilluara me partitë politike, Presidenti e vlerësoi si “të shkëlqyer”, vetëm atë me Isa Mustafën.
Në këtë kuptim, bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe bashkërendimi i punëve me Hashim Thaҫin, në thelb, do të thotë koalicion me PDK-në. Atёherё ku mbeti “vija e kuqe” e Isa Mustafёs? Për mirë ose për keq, partitë politike në Kosovë identifikohen me udhëheqësit e tyre. Vetëm se në këtë koalicion, Thaҫi është padroni, ndërsa Mustafa shërbëtori. Këtë qasje “krijuese”, Isa Mustafa përpiqet ta shesë si vizion rugovian. Gjithҫka mund të jetë një qëndrim i tillë, por jo vizion, as frymë rugoviane. Janë të tjerë ata që sot mishërojnë rugovizmin në LDK, në radhë të parë, Vjosa Osmani.
Zgjidhja e vetme për të shpëtuar Kosovën nga sherritë e pafund të tandemit Thaҫi-Mustafa janë zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat, edhe PLAN-it do t`ia tregojnë vendin, ashtu siҫ ia treguan PAN-it ato të 6 tetorit 2019. Ndaj, në këto kushte, vota e sovranit është e domosdoshme dhe e pashmangshme.