Nga Izet DURAKU – Poet, shkrimtar, studiues

Havzi Nela u lind në Kollovoz të Lumës, (Kukës) më 20 shkurt 1934 dhe shkoi në amshim në moshën 54 vjeçare, i ekzekutuar publikisht si në Mesjetë me varje në litar në një shesh të qytetit të Kukësit, më 10 gusht 1988. Ndoshta është poeti i mbramë në botë, që e varën në litar.
Babai i vdiq, kur ishte ende fëmijë. Për shkak të varfërisë, kur ishte 9 vjeç del nga shtëpia prindërore për të nxjerrë bukën e gojës në Tiranë ku, falë dashamirësisë së mësuesve dhe zellit të tij për dije, filloi menjëherë shkollën, që e vazhdoi edhe pas Luftës. Nga viti 1947 deri në vitin 1949, jetoi me xhaxhain e tij në Prizren ku vazhdoi edhe arsimimin e tij në Shkollën Normale të atij qyteti.
U kthye në Shqipëri ku vazhdoi shkollimin e tij në Kukës dhe në Shkodër, në Shkollën Pedagogjike (1950- 1952). Më pas, ndërsa vijon arsimimin e tij të lartë pa shkëputje nga puna, shërbeu si mësues në Burrel, Krumë, Lojme, Shishtavec e Topojan.
Në vitin 1967 iu kundërvu dhunës së regjimit, i cili nën ndikimin e të ashtuquajturit Revolucion Kulturor në Kinë, i shpalli luftë besimit fetar, mbylli institucionet fetare: kisha, xhami, teqe dhe ndoqi e burgosi klerikët e çdo niveli. Njëkohësisht, në këtë frymë çnjerëzore, regjimi i shpalli luftë mënyrës tradicionale të jetës për të çrrënjosur rite, zakone, ceremoni dasmash e vdekjesh, përfshirë këtu dhe veshjet popullore, të trashëguara në shekuj.
Ky vit do të kurorëzohej me kolektivizimin e plotë të bujqësisë. Fshatari u zhvesh nga toka dhe bagëtitë e tij dhe për bukën e gojës do të varej nga shteti.
Në një takim publik me popullin, të organizuar nga pushtetarët lokal të rrethit të Kukësit në Topojan, mësuesi Havzi Nela e mbrojti me forcë kundërshtimin e tij:
-Tre inxheksione të menjëhershme: ndalimi i fesë, i veshjes popullore dhe kolektivizimi i bujqësisë nuk e shëndoshin, po e vdesin të sëmurin!
Për t’i shpëtuar burgosjes, ai kapërcen kufirin shtetëror bashkë me gruan e tij, Lavdien, më 26 prill 1967. Në kufi shkroi një copë letër: “Lamtumirë, atdhe i dashun, po të la, por zemërplasun…”
Fati tragjik nuk e deshi të qëndronte gjatë në Prizren, në qytetin, që e donte aq shumë. Në Prizren e mbajtën të burgosur në qeli, ku e lajkatuan, e keqtrajtuan, e kërcënuan, po nuk e thyen udbashët. Ndaj vendosën shpejt ta dëbojnë nga Jugosllavia.
Në kuadër të shkëmbimit me atdhetarë shqiptarë nga Kosova, që regjimi ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, Havziun e kthyen në Shqipëri pas disa ditësh, më 6 maj 1967, përmes pikës kufitare të Morinit.
U dënua me 15 vjet burg dhe, teksa vuante dënimin e rëndë, u ridënua sërish me 8 vjet të tjera shtesë burgimi në vitin 1975.

***
Ashtu si në natën e thellë ndriçimet yjore i paraprijnë ardhjes së mëngjesit, edhe në mesin e dimrit më të egër, lulet kryengritëse sfidojnë ngricën duke paralajmëruar pranverën. Birucat e burgjeve në diktatura nuk e zbutin dimrin, as terrin e natës.
Megjithatë i burgosuri Havzi Nela arrin të shquajë shenja se liria e lidhur me hekura e zinxhirë, do të lirohet nga robëria. Në vizionin e tij i jep zemër besimi naimjan se dielli do të lindte nga perëndon.
Ndaj i gëzohet Konferencës së Helsinkut, kur, më 1 gusht 1975, 33 kryeministra të shteteve europiane, përfshirë edhe ShBA dhe Kanadanë, nënshkruan aktin përfundimtar të Konferëncës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian (KSBE, sot OSBE), synimi i të cilit ishte që, përmes bashkëpunimit ekonomik, kulturor e shkencor, të arrihej stabiliteti dhe siguria në të gjithë Europën. Mbrojtja e lirive dhe të drejtave njerëzore, që buroi nga zotimi i shteteve nënshkruese, u shndërrua në flamurin e luftës për liri të shumë grupeve opozitare në ish-vendet socialiste.
Pa asnjë lloj kontakti me botën, vetëm me intuitë, Havzi Nela u rreshtua përkrah këtyre grupeve opozitare.
Prej frymës së Helsinkut, ai besonte se do të vinte drita e paqes, e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes njerëzve e popujve të botës. Kjo frymë do të shembte tiranin dhe regjimin e tij feudal në Shqipëri.

Kështjella feudale tundet e lëkundet
Si një varkë e thyeme mbi valë përkundet
Tirani mizor me detin sot po mundet
Thellë, gjithmonë ma thellë mes dallgëve po futet.

Fryma e Helsinkut u derdh porsi era
Na përkdheli zemrat, çeli si pranvera
Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë
Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do vdes.

Kryengritjen e tij poetike Havziu e nisi në birucat e Rrëshenit, siç shkruan vet, “kur unë isha në vuejtje dhe në një mërzi të randë, për shkak se, megjithëse kisha mbarue punë me hetuesin dhe kisha dalë edhe në gjyq (më 8 gusht 1975,) vazhdonin të më mbanin ashtu, në kondita të vështira jete”.
Kur krisin armët, muzat heshtin, thuhet, por Havziu do ta sfidonte fatin e vet. Edhe në kushte të papërfytyrueshme, në terr të plotë, pa laps e fletore, siç thekson në shënimet e tij të pakta, “ia nisa hartimit vetëm me mendje dhe ato që nxirrja, i përsëritsha vetëm me mend, me qëllim që t’i ngulja në kujtesë për të mos i harrue…Duke i përsëritë herë pas here, për rreth 8 vjet, munda që t’i ruej të pashlyeme nga kujtesa.”
Fillimisht, ashtu si rapsodët e lashtë, ai ngre epikën si përmendore qëndrese të shokëve të tij të burgosur në Spaç që ngritën flamurin kombëtar pa yllin komunist mbi ndërtesën e burgut. Ata u përleshën me forca të ushtrisë dhe forcave speciale të regjimit. Ai portretizon shqiponjat sypatrembura, që dhanë jetën për liri.
Në këtë frymë kryengritëse do të ftonte Lumën, vendlindjen e tij, që iu bë mburojë atdheut duke përballuar hordhitë serbe në vitet 1912-1913, Vlorën e Flamurit, Krujën e Skënderbeut, Mirditën, hem e zonja, hem bujare, Tropojën, vend i Bajramit, bajrak i gjallë, Pezën, trimen veshë me t’zeza, Dibrën, nandë malet e tua, si nandë vatra zjarri, Shkodrën, zonjë e kombit arbënor…
Më tej fton në kryengritjen e tij për liri të gjallë e të vdekur. Evokon beteja historike dhe legjendare, i dalin para syve kreshnikët Mujo dhe Halili. Në jonet e lahutës ruhet palca e kujtesës sonë kombëtare. Fton ata që e ndezin zemrën e kombit, Gjergj Fishtën, Mjedën e Vaso Pashën. Ngre në këmbë të vdekurit, që në fakt janë të pavdekshëm si Skënderbeu, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Selam Musai, Mujo Ulqinaku…
Pa krismën e grykëhollës nuk mund të kuptohet liria. Duke bërë apelin e krahinave, si për t’i shkundur nga apatia, përgjumja dhe konformizmi, Havziu u kujton atyre luftërat, heroizmin që i karakterizon, u kujton të rennet, i nxit të zgjohen, të hyjnë sërish në histori.

***
Në fillim të viteve ’70 në Tiranë u ndie një erë e lehtë pranvere në jetën e njerëzve. Të rinje të reja u bënë më të bukur nga veshja e mënyra e sjelljes. Përmes radios e televizionit njerëzit filluan t’i mbajnë sytë nga bregu tjetër i detit, Italia fqinje prej nga vinin edhe impulset për të ndryshuar sadopak mënyrën e jetesës.
Kjo frymë lirie u pasqyrua në larminë koloristike të pikturës, u ndje në ritmet muzikore të këngëve, tekstet e të cilave u lehtësuan nga fryma e hapur militante, u shfaq në krijimet letrare në prozë e poezi, veçanërisht në poezi, ku tema e vogël intime, fati i individit u vu në qendër të krijimeve. Spikatën një grup i ri poetësh përmes botimeve në “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Nëntori”. Dolën edhe vëllimet e tyre të veçanta poetike. Poezia u bë më meditative, më e ndjeshme, më e figurshme. Ndonëse e ndrojtur, ndihej dhimbja njerëzore, trishtimi për humbjet.
Në këtë kohë në shtëpinë e vetme botuese të Shqipërisë erdhi porosia nga lart (Komiteti Qendror i PPSh) që secila redaksi e këtij institucioni të botonte nga një deri dy libra çdo vit me autorë shqiptarë nga Kosova. Deri aso kohe nuk ishte botuar asgjë nga botimet e Prishtinës. Në fakt u bë e pamundur të mbahej e fshehtë letërsia shqipe që shkruhej në Kosovë.
Në fillim të viteve ’60 u botua në Tiranë libri poetik i Agim Gjakovës “Dhe thonë se paqe ka në në botë”. Pak më vonë dolën edhe “Netë kosovare” i Adem Istrefit. U botua edhe romane nga Kapllan Resuli e Sulejman Krasniqi. Të gjithë këta autorë patën kapërcyer kufirin shtetëror të Jugosllavisë për të gjetur strehim politik në Shqipëri.
As redaktorët e shtëpisë botuese nuk kishin dijeni për ekzistencëne e letërsisë shqipe në Kosovë. Librat e botuar në Prishtinë, sipas një marrëveshje ndërshtetërore, vinin në Biliotëkën Kombëtare në Tiranë, por askush nuk mund t’i lexonte, as t’i shihte pa një autorizim të veçantë, të firmosur nga Shtëpia Botuese, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Ministria e Kulturës. Autorizimi duhej edhe për të lexuar botimet periodike letrare që dilnin në Prishtinë e Shkup si gazetën letrare “Fjala” dhe revistat letrare: “Jeta e re” dhe “Jehona”.
Librat mbylleshin në arkiv dhe ruheshin me kujdesin më të madh si të bëhëj fjalë për armë të rrezikshme kimike. Edhe me autorizim, librat nuk mund të dilnin nga salla e arkivit të Bibliotekës kombëtare. Redaktorët duhej të lexonin brenda asaj salle dhe t’i shkruanin me dorë çfarë përzgjidhnin për botim nga veprat në përputhje me vlerat, që quheshin të pranueshme për regjimin.
Në këto kushte, fillimisht në vitin 1971 u përgatit si libër i parë përmbledhja poetike “Për ty” (112 faqe), një antologji me poezi kryesisht të poetit Esad Mekuli, prej të cilit u muar titulli i përmbledhjes. Një antologji e dytë poetike (me 250 faqe) me titull “E di një fjalë prej guri” u përgatita dhe u botua një vit më vonë.
U zgjodhën dhe u botuan më vonë përmbledhje me poezi të poetëve nga Prishtina e Shkupi sii: Enver Gjergjeku, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Farhedin Gunga, Rrahman Dedaj, Din Mehmeti, Qerim Ujkani, Jakup Ceraja, Sabri Hamiti, Abdulaziz Islami, Agim Vinca, etj.
U botuan edhe një përmbledhje me këngë popullore të mbledhura në vise të ndryshme të Kosovës. U botua edhe drama “Nita” e Josip Rrelës, ndërsa drama “Epoka para gjyqit e Ekrem Kryeziut edhe u vu në skenë nga Teatri Popullor në Tiranë.
Redaksia e romanit në shtëpinë botuese “Naim Frashëri ka botuar deri në vitet ‘90 romane nga autorët Hivzi Sulejmanit, Nazmi Rrahmani, Ramiz Kelmendi, Rexhai Surroi, Rexhep Qose, Zejnulla Rrahmani, Daut Demaku, Murat Isaku, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja etj . Nga proza e shkurtër u botuan dy përmbledhje me tregime dhe pak përmbledhje nga autorë të veçantë. Ndërsa redaksia e letërsisë për fëmijë ka botuar libra për fëmijë të autorëve të njohur si: Vehbi Kikaj, Rifat Kukaj, Qamil Batalli, Ibrahim Kadriu, Arif Demolli, Zejnulla Halili, Hasan Hasani, Ali Hurugulica etj.

***
Ndoshta kjo erë lirie që filloi të frynte në udhët e Tiranës në fillim të viteve ’70 mbërriti edhe në qelitë e burgut të Spaçit, ku shpërtheu edhe revolta e të burgosurve të regjimit, që megjithatë u përgjak egërsisht. Duket se Diktatori po përgjonte si shqarthi momentin, kur duhej të hidhej për ta shqyer kudo prenë e vet. U zgjodh Festivali i 11 i këngës në Radiotelevizion për të filluar gjuetinë masive të shtrigave.
Shkreptinë rrufetë zeusiane mbi këngë, këngëtarë e kompozitorë të këtij festivali, mbi prezantuesit dhe organizatorëte tij. Dora e përgjakshme e goditjes së pamëshirshme do të mbërrinte derin në kupolën e lartë shtetërore e partiake. Ishte paralajmërimi i kthimit të dimrit në Olimp, kur fshesa e hekurt do të merrte me vete drejtuesit më të lartë të ushtrisë, të ekonomisë, të policisë sekrete për të mbërritur deri te kreu i qeverisë, Mehmet Shehu që shërbeu si kryeministër i Shqipërisë për 27 vjet me radhë.
“Rikthimi” i dimrit që shtoi brutalitetin në burgje dhe në krejt jetën e vendit, megjithatë nuk i ndërpreu komunikimet kulturore me Kosovën. Ndonëse deri në fund të sistemit komunist në Shqipëri u dënuan me burgime të rënda njerëz që u akuzuan edhe pse kishin dëgjuar një këngë te Radio Prishtina, në kushtet e shtimit të kujdesit redaktorial, vazhduan të botoheshin libra me autorë nga viset shqiptare, kryesisht nga Kosova. Por kjo letërsi botohej me okelion “autor nga Kosova” si për t’i paralajmëruar lexuesit, se libra të tillë nuk i përkisnin letërsisë shqipe edhe pse qenë shkruar shqip, nga autorë shqiptarë.
Shkëmbimet kulturore me Kosovën i duheshin regjimit për të zbutur sadopak izolimin e thellë ndërkombëtar, veçanërisht pas ndërprerjes së mardhënieve me Kinën komuniste që vështirësoi edhe më shumë gjendjen ekonomike në vend. Emri i Kosovës, i përjashtuar për një kohë të gjatë nga ligjërimi publik, filloi të shqiptohej më shpesh veçanërisht pas 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u kremtua me madhështi në Tiranë.
Në inventarin e librave që pas arrestimit dhe burgosjes së Havzi Nelës në vitin 1967 u sekuestruan nga organet policore nuk gjendet asnjë libër me autorë nga Kosova. Nisur nga fakti se në bibliotekën e shkollës 8 vjeçare në Shalqin, kur isha nxënës aso kohe pata lexuar “Këngët e Drinit të Bardhë” dhe ndonjë tjetër, besoj se edhe te shkolla ku ishte mësues Havziu, duhej të ishte furnizuar me libra të autorëve kosovarë, që, për arsye politike, qenë larguar nga Kosova.
Duhet përmendur fakti që në letësinë shqipe të krijuar në Shqipëri deri në vitin 1990 nuk ka asnjë vepër madhore me temë dhe problematikë nga Kosova. Mund të përmendet si rast përjashtues novela e Ismail Kadaresë “Krushqit janë të ngrirë” në fokusin e së cilës u vu shtypja e përgjakshme e demonstratave në pranverën e vitit 1981. I njëjti autor ka botuar edhe një cikël poetik rreth këtyre ngjarjeve. Mund të ketë edhe ndonjë autor tjetër, po rastet përjashtuese ishin krejt të rralla.
Autorë të tjerë, ndonëse nuk u mungonte dëshira, formimi, talenti dhe dashuria për Kosovën, janë detyruar të heshtin. Temës së Kosovës as që duhej t’i afroheshin.
Në tekstet shkollore qe përfshirë poema “Prishtina” e Llazar Siliqit, por ajo kishte si subjekt të saj tragjedinë e 104 të burgosurve antifashistë, që u pushkatuan në kampin nazist të Prishtinës.
Tragjedinë e Tivarit dhe të Drenicës, që u përgjak nga falangat komuniste serbe në vitin 1945, opinioni publik në Shqipëri e mësoi vetëm kur Enver Hoxha botoi librin “Titistët” në fund të vitit 1982.
Përveç shkaqeve të tjera të mundshme, gjithë mungesa e frikshme e Kosovës, jo vetëm në veprat letrare, por në tekstet shkollore të të gjitha niveleve të arsimimit, ndoshta lidhej me frikën se mos bota sllave, do të zhurmonte akuzën se “shqiptaromëdhenjtë” po përpiqeshin për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”.
Sipas një pjese historianësh, Marërveshja e Mukjes midis komunistëve e ballistëve, e arritur në gusht të vitit 1943 u prish në mënyrë të njëanshme si rezultat i ndikimit të Miladin Popoviqit, të dërguarit special të Partisë Komuniste Jugosllave, te kreu i Partisë Komuniste Shqiptare. Shkaku i prishjes ishte pikërisht Kosova, e cila në marrëveshjen në fjalë, përcaktohej se do të përfshihej brenda kufijve të Shqipërisë Etnike.
Edhe në vitet ’60, kur regjimi komunist në Shqipëri u nda nga Bashkimi Sovjetik dhe nga krejt perandoria sovjetike, Kosova sërish mbeti e largët, e pa arritshme si të ishte në fundin e botës.
Regjimi u kujdes të fetishizonte paprekshmërinë e ruajtjes së kufijve shtetëror. Sipërfaqja e Shqipërsië prej 28 mijë kilometrash katrorë u përsërit qindra e mijra herë në qindra tekste shkollore si një formulë magjike. Kësaj formule iu shtua edhe numri magjik i 28 mijë dëshmorëve, të cilët ishin flijuar për këto kilometra. Një dëshmor për çdo kilometër.
“Kemi derdhur gjak me okë, ndaj lulëzon këjo tokë”, thuhej në një këngë që emërtohej si popullore.
Rituali shoqërohej me betimin se kjo Shqipëri prej 28 mijë kilomtrash katrorë nuk do të lejohej t’i hiqej asnjë milimetër më pak, po as t’i shtohej edhe një milimetër më shumë.
Nga teksetet arsimore e politike, kufiri ndarës shtetëror u fut në krijimtarinë folklorike dhe artistike. U shkruan poema nga shkrimtarët më të njohur, u botuan reportazhe pa fund, skica e tregime të shumta. Kufiri thuhej se ndante dy botë, diametralisht të kundërta. Në njërën anë ishte drita e parajsës socialiste, ndërsa në anën tjetër terri i xhehnemit revizionisto- kapitalist.
Askund nuk u lejua të shfaqej dhimbja për tragjedinë kombëtare të copëtimit të trojeve shqiptare.

***
Havzi Nela në bindjet e veta nuk ishte ballist, sepse kjo organizatë as në kohën e Luftës nuk arriti të njohë shtrirje në zonat veriore të Shqipërisë. Kosovën ai e kishte në zemër si të gjithë banorët e Lumës, e cila si pjesë e Vilajetit të Kosovës, pra, edhe historikisht, fatet e saj i kishin lidhur me të. Prizrenin e donte si qytetin ku Luma merrte bukën e prodhimet bujqësore dhe nxirrrte në treg prodhimet saj, kryesisht blegtorale. Në Prizren ishte dija, drita, qytetërimi.
Me ndarjen e dhunshme të qytetit prej rrethinave të tij në vitin 1913 lumjanët nuk do të pajtoheshin kurrë. “Granica” hyri si thikë midis shqiptarësh.
Burgu e çliroi Havziun nga çdo lloj detyrimi partiak e shtetëror. Si për një paradoks të fatit, brenda qelive mesjetare të regjimit ai rifitoi lirinë edhe për t’iu përkushtuar fatit të Kosovës, lirinë e së cilës e shihte si lirinë e vet. Atë që pak nga krijuesit guxuan ta realizonin, Havziu arriti ta nxirrte në dritë.
Ky kontribut prej mijra vargjesh, në të cilat rrezëllin Kosova me qëndresën dhe përpjekjet e saj të pa epura për liri, mbetet dëshmia më kokëfortë e autorit si një kundërshtar i regjimit. Atdhetaria e tij manifeston dëshirat e heshtura shqiptare për çlirim e bashkim kombëtar.
Në fletoren e tij të pestë shkruan :
“Poema e parë Mirësevjen Kosovë o motër u kushtohet grupeve folklorike artistike që vinin me dhanë shfaqje në Atdheun mamë, pra këtu në Shqipninë e vjetër, siç i thonin ata. Të gjitha këto shkrime kanë nevojë të rishikohen, sidomos poema e gjatë që u kushtohet demonstrative në Kosovë…”
Në fletoren e tij të gjashtë, si për të përmbushur synimin e tij, ai u përpoq t’i rishikonte edhe njëherë krijimet e tij. Duhen kuptuar rrethanat e pa imagjinueshme të burgjeve komuniste shqiptare, ku lapsi dhe letra nuk ishin të lejuara dhe ku edhe letrat familjare i nënshtroheshin çensurës. Megjithatë ai, duke u mbështetur në kujtësën e tij, arriti të bënte disa shtesa vargjesh e ndryshime të tjera të vogla.
Botimi i këtyre poezive është një nderim për autorin Havzi Nela dhe për të gjithë martirët e tjerë që për shkak të dashurisë për Kosovën dhe përpjekjeve të tyre për lirinë e saj u pushkatuan ose u burgosën më dënime të rënda në Shqipëri dhe në Kosovë. Ky libër nderon të gjithë dëshmorët që me armë në dorë u flijuan për lirinë e Kosovës në 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj.