Arratisja nga salla e gjyqit e 28-vjeçarit Mikel Kasaj ka risjellë në vëmendje dhe parametrat e sigurisë në gjykatën e Vlorës. Kryetari i kësaj gjykate, njëkohësisht dhe gjyqtari i çështjes së Kasajt, ku u dha vendimi, Skënder Haluci thotë se i ka kërkuar vazhdimisht KLD-së të merren masa.
“E kam kërkuar vazhdimisht dhe e kërkoj me forcë, dje ka qenë hera e fundit që kam marrë në telefon KLD, gjykata jonë është jashtë çdo lloj parametri sigurie, delegohen gjyqtarë në Sarandë, nuk ka asnjë mjet transporti. Dje u kam deklaruar KLD dhe zyrës së administrimit të buxhetit gjyqësor. Nuk mund të shkojnë gjyqtarët me furgonat e linjave pa asnjë lloj sigurie duke pasur në gjykim çështje të rënda penale”, – tha Haluci.
Siguria dhe mbrojtja e jetës së gjyqtarëve ka qenë kërkesa tjetër e vazhdueshme e Halucit, prej katër vitesh në këtë detyre. “Kërkojmë autoriteteve shqiptare të marrin masa për mbrojtjen e jetës së gjyqtarëve”, tha ai.