Spasovski: S’ka kompromis me shëndetin e qytetarëve

Për herë të parë në historinë e Maqedonisë vendoset orë policore në tërë territorin e vendit. Pas seancës së jashtëzakonshme të qeverisë, Kryeministri teknik, Oliver Spasovski njoftoi opinionin se kufizimi i lëvizjes hyn në fuqi të dielën nga ora 21:00 në mbrëmje, deri ora 06:00 të mëngjesit. Siç tha Kryeministri Spasovski, ky vendim i vështirë është marrë në bazë të mendimit të ekspertëve të Komisionit për Sëmundje Infektive.

“Nga nesër fillojmë kufizimin e lëvizjes për të gjithë qytetarët respektivisht orë policore. Nga nesër, E Diel 22 Mars, ndalohet lëvizja e popullatës nga ora 21.00 deri ora 06.00 për çdo ditë. Ska kompromis kur është në pyetje shëndeti i qytetarëve. Masat duhet të gjithë t’i zbatojmë dhe vetëm në këtë mënyrë do ta shpëtojmë popullin dhe shtetin”

Siç njoftoi Kryeministri Spasovski, nga këto masa radikale do të përjashtohen organet e rendit dhe sigurisë, shërbimet e zjarrfikësve ndërmarrjet komunale që punoj në dy turne dhe personat që kanë nevojë për ndihmë urgjente mjekësore të shoqëruar maksimalisht nga dy persona.

Arsyeshmëria e daljes nga shtëpia do të kontrollohet nga autoritetet. Këto masa radikale në Maqedoninë e Veriut vijnë pasi janë regjistruar 85 raste të të infektuarve me koronavirus.