■ Ky vendim kaq i rëndësishëm i Atit të Shenjtë, mikut dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Heroit tonë Kombëtar, manifeston përkujdesjen e tij të veçantë për Arbërinë dhe për fatet e saj. Vendimi në fjalë u zyrtarizua me anën e një Bule Pontifikale, që u shpall në Siena nga Papa Piu II, më 19 mars të vitit 1459. Kuptohet se nuk ishte rastësi, por mund të thuhet se ishte “një shpërblim i merituar” për një personalitet të shquar arbër dhe me përmasa europiane, siç ishte kleriku katolik, kryediplomati, këshilltari dhe njeriu më i besuar i Heroit tonë Kombëtar, të cilit pas 17 janarit të vitit 1468 iu njohën atributet e “Regjentit” mbi fronin e Arbërisë së lirë, deri sa princi i vogël, Gjoni II Kastrioti, të arrinte moshën madhore për të qenë i aftë të qeveriste principatën atërore. Për fat të keq, Pal Ëngjëlli ndërroi jetë në vitin 1470, në moshën 54 vjeçare dhe në kohën kur princi trashëgimtar ishte vetëm 14 vjeç dhe prandaj ajo çfarë mbetej nga Principata e lavdishme e Kastriotëve vazhdoi të administrohet nga Republika Veneciane me një afat të papërcaktuar… Sikurse dihet, disa javë pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, bashkëshortja e tij, Donika, me të birin 12 vjeçar, Gjoni II Kastrioti, i ishin bashkuar eksodit të madh arbër me përmasa biblike dhe u hodhën në brigjet perëndimore të detit Adriatik, duke u vendosur në pronat e veta feudale në Monte Sant’Angelo dhe San Giovanni Rotondo (Puglia, Itali).

■ Pse “u shpërblye” fisniku drishtian Pal Ëngjëlli nga Papa Piu II, më 19 mars të vitit 1459?!…

● Ishte viti 1458 kur u përshkallëzua konflikti midis Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe princit Leka III Dukagjini, i cili kishte lidhur një marrëveshje me osmanët dhe në këtë periudhë, si Dukagjinasit, po ashtu edhe Heroi jonë Kombëtar ishin në konflikt të hapur me Republikën Veneciane. Konflikti i Kastriotit me Republikën Veneciane u shua më 18 gusht 1458, falë ndërhyrjes energjike të Abatit Gjergj Pelini dhe kjo marrëveshje paqeje konsistonte edhe në organizimin e aksioneve të përbashkëta kundër Lekës III Dukagjini. Duke qenë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu gëzonte mbështetjen e plotë të Selisë së Shenjtë për çdo lloj sipërmarrje të vetën, ai mobilizoi ushtrinë dhe sulmoi zotërimet e hershme të dukagjinëve në trevën e Zadrimës. Në fillim të vitit 1459, gjatë një aksioni të fuqishëm, ai e dëboi Lekën III Dukagjini nga kështjella e Sapës/Shatit (Nënshat, Zadrimë, Shkodër), të cilën e pushtoi sa hap e mbyll sytë dhe bashkë me të edhe disa vende të tjera. Arsyen e marrjes së kështjellës së Shatit (zotërimi më i vjetër feudal i Dukagjinëve), e cila ishte një manovër ushtarake në kuadrin e luftës antiosmane, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e justifikoi gjatë ratifikimit të marrëveshjes me ambasadorin venecian, Lorenzo Moro, në qytetin e Lezhës, më 4 qershor 1459. Atij iu shpreh se kështjellën “e kam rrëmbyer nga duart e armikut të Krishtit dhe të armikut tim”, dhe këtu i referohej princit Leka III Dukagjini, i cili kishte lidhur marrëveshje me osmanët në dëm të interesave të Shtetit të Lidhjes së Lezhës, Selisë së Shenjtë dhe Republikës Veneciane. Viti 1459 nisi me marrëveshjen e paqes, që u nënshkrua midis Republikës Veneciane dhe princit Leka III Dukagjini, më 19 shkurt 1459, në qytetin e Shkodrës, sipas së cilës, Leka do të dorëzonte rrethinat e Shatit dhe atij do t’i kthenin kështjellën e Shatit, e cila mbahej e pushtuar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, por me kusht që të mos rindërtonte muret. Sinjoria, nga ana e saj, pranoi t’u jepte Dukagjinëve, përveç fshatrave që mbanin përtej malit të Katit(Catti) edhe feude të tyre si dhe fshatrat: Paulatium (Pulati, është fjala për krahinë?!), Animelle (Mnela), Petra Rubea (Guri i Kuq), Scaramum (Skarramani, sot lagje e Nënshatit), S.Martinum (Shën Martini), Fontanellam (?), Chimerchichi (Qimekeqin), Jansi (?), Craglianum (Krajen), Fistam (Fishta), Chermichi (Kermizi), Caxonglini (Kazolini) dhe Stefanbergum (Shtjefni). Ndërsa fshati i Troshanit, që mesa duket ishte një feud i madh e i pasur, zotërim i Dukagjinëve, do t’i mbetej Republikës së Shën Markut.

● Kurse, pajtimi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu me Lekën III Dukagjini, do të ishte shumë i vështirë dhe prandaj u desh një letër e Papa Piut II, i cili i kërcënonte Dukagjinët me çkishërim dhe mallkim. Ishte pikërisht Ipeshkvi i Drishtit, Pal Engjëlli, i cili u caktua në këtë detyrë delikate nga Papa Piu II nëpërmjet Bulës Pontifikale të shpallur në Siena, më 10 shkurt 1459, ku Dukagjinët kërcënoheshim me çkishërim. Duke qenë se jo vetëm fisnikët dukagjinas, por edhe nënshtetasit e tyre, ishin katolikë të devotshëm, kjo i detyroi ata t’i shkëpusin të gjitha lidhjet me turqit-osmanë dhe të pajtoheshin përfundimisht me Gjergj Kastriotin-Skënderbeu brenda 15 ditëve.

P.S: Me pak fjalë, për t’i pajtuar arbërit e djeshëm, ashtu siç ndodh me shqiptarët e sotëm, është dashur vetëm një ndërhyrje nga të huajt. Përndryshe, ne e kemi pasur gjithmonë shumë të vështirë, në mos të pamundur, për të gjetur gjuhën e përbashkët me njëri-tjetrin edhe pse jemi një gjak dhe flasim të njëjtën gjuhë!…

Historia, gjithmonë përsëritet!

Foto ilustruese: Emblema/Stema e Familjes Ëngjëlli (Drisht, Shkodër).