Shoqata e Prodhuesve të bukës ka njoftuar se për shkak të kushteve ekstreme ku ndodhemi, buka nuk do të shërbehet më e prerë, pasi përbën rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

“Të nderuar kolegë dhe qytetarë nisur nga shqetësimi i përgjithshëm, por veçanërisht nga sugjerimet e specialistëve të fushës, të mbrojtjes të shëndetit, të mbrojtjes të konsumatorit, është e nevojshme të ndërpritet prerja e bukës. Kjo bëhet për të ruajtur në maksimum në kushtet e tanishme shëndetin e konsumatorëve, por në të njëjtën kohë edhe për të ruajtur shëndetin e punonjësve tanë”.

Veç faktit se vendi ynë, por edhe gjithë bota ndodhet në një situatë alarmante, ekspertët dhe më herët e kanë deklaruar që buka nuk duhet të pritet.

“Janë shumë nga furrat e bukës që po e aplikojnë mos prerjen e bukës dhe në këtë drejtim kemi dhe mirëkuptimin e mbështetjen e klientëve. Shoqata e prodhuesve të bukës kërkon edhe respektimin e masave higjienike. Ndërkohë që shumë furra buke kërkojnë respektimin e distancës dhe klientët të futen me radhë nëpër dyqane”, tha Avni Nela, prodhues buke.

Ndër të tjera Shoqata e Prodhuesve të bukës ka kërkuar që furrat të mos tregtojnë kafe. Të premten, por edhe të shtunën ka pasur shumë raste që qytetarët blejnë kafen në gota plastike në furrat e bukës dhe ulen e pinë në tavolinat e kafeve të mbyllura.