Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte ka marrë vendimin drastik duke e shpallur të gjithë vendin karantinë.
Conte doli në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi duke njoftuar se nga dita e nesërme Italia do të konsiderohet e gjitha “zonë e kuqe”, duke nënkuptuar që qytetarët duhet të qëndrojnë në shtëpi për të frenuar përhapjen e numrit të të infektuarve.
“Tashmë përditshmëria jonë duhet të ndryshojë. Të gjithë duhet të heqim dorë nga diçka për të mirën e Italisë. Duhet ta bëjmë menjëherë dhe do të kemi sukses vetëm nëse punojmë të gjithë së bashku dhe të zbatojmë masat e rrepta. Do të nënshkruaj një masë të cilën mund ta përmbledh me shprehjen: Unë qëndroj në shtëpi”, u shpreh Kryeministri italian.
Conte bëri me dije gjithashtu se ka vënë në dijeni Presidentin e Italisë për vendimin që ka ndërmarrë.
Sipas të dhënave më të fundit, në Itali rezultojnë të infektuar me koronavirus 7985 pacientë. Ndërsa 463 persona kanë humbur jetën.