Gjermania tha të hënën se Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë për të pranuar deri në 1.500 fëmijë imigrantë të strehuar aktualisht në kampet greke. “Ne duam ta mbështesim Greqinë në situatën e vështirë humanitare,” njoftoi qeveria. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po takohet ndërkohë në Bruksel me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian për të diskutuar mbi fluksin e madh të migrantëve
në Turqi të cilët po përpiqen të kalojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Mijëra refugjatë kanë mbërritur përmes tokës dhe detit në kufirin lindor të Turqisë. Prej një jave ata kanë ngritur kampe përgjatë vijës kufitare me Greqinë me shpresën për të kaluar në atë vend dhe përfundimisht drejt vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.
Athina tha të hënën se gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar hyrjen në territorin e saj nga Turqia të më shumë se 1,500 migrantëve.
Në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, migrantët përdorën gomone për të kaluar nga Turqia në Greqi përmes lumit Evros. Një i ri nga Afganistani i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se kjo ishte përpjekja e tij e dytë për të kaluar lumin. Ai tha se ishte kapur dy ditë më parë nga rojet greke dhe ishte detyruar të kthehej mbrapsht me not në temperatura e ulta dimërore.
Në fillim të muajit, qeveria e Presidentit Recep Tayyip Erdogan njoftoi se nuk do t’i ndalonte më migrantët dhe refugjatët që të kalonin drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan reagoi me ashpërsi për situatën.
“A nuk janë gratë dhe fëmijët që po vuajnë më shumë mes refugjatëve të dyndur në kufinjtë detarë dhe tokësorë me shpresën për të shkuar në Evropë? Në fakt, a nuk janë gratë dhe fëmijët që po luftojnë drejtpërdrejt me vdekjen në ato gomone që po shtyhen nga ushtarët grekë dhe të lënë mes valëve të egra të Egjeut? Çfarë po bën Perëndimi për këtë dhe a po shpreh shqetësim? Ata nuk po ngrenë zërin për këtë problem.”
Ndërsa migrantët nga Siria vazhdojnë të futen në Turqi, zoti Erdogan ka thënë se Ankaraja nuk mund të zbatojë më tej ligjin e vitit 2016 që ndalon migrantët në Turqi që të udhëtojnë drejt Bashkimit Evropian.
Sipas marrëveshjes së vitit 2016, Bashkimi Evropian duhet t’i siguronte Turqisë rreth 6.8 miliard dollarë për të financuar strehimin dhe shkollimin për migrantët. Por Ankaraja thotë se nuk i ka marrë fondet në fjalë.
Nga ana tjetër, vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë shprehur se ato nuk do të shantazhohen nga Ankaraja.