Për herë të parë, shumica e 2.1 milion punonjësve federalë në Shtetet e Bashkuara do të kenë të drejtë të marrin dymbëdhjetë javë pushim familjar të paguar pas lindjes ose birësimit të një fëmije. Kjo masë e re hyn në fuqi më 1 tetor. Dhjetëra vende të tjera të botës ofrojnë leje të paguar familjare për punonjësit civilë. Tani, përkrahësit e këtij ligji po bëjnë presion që ai të shtrihet tek punëtorët në të gjithë sektorët.
Lindja ose birësimi i një fëmije është zakonisht një moment i bukur. Por gjithashtu mund të jetë një periudhë stresuese për prindërit që u duhet kohë për tu ambjentuar në shtëpi dhe para për të paguar faturat. Vicky Shabo, me institutin kërkimor New America në Uashington, thotë se pushimi i paguar është thelbësor për familjet.
“Ka shumë studime që tregojnë se pushimi i paguar për prindërit e rinj ndihmon në uljen e vdekshmërisë foshnjore dhe të nënave, ndihmon baballarët të jenë në gjendje të lidhen me foshnjet e tyre, çon në rezultate më të mira edukative në aspektin afatgjatë dhe padyshim më e rëndësishmja, bën që familja të mos rrezikojë qëndrueshmërinë ekonomike”, thotë Vicky Shabo.
Në dhjetor, Presidenti Donald Trump nënshkroi Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili përfshin përfitime të reja për lejen e paguar familjare që e kërkuan si demokratët ashtu edhe republikanët.
“Me më shumë gra që punojnë se kurrë më parë, tani kemi një mundësi historike për të zbatuar reforma të vonuara. Është koha për të miratuar pushimin e paguar familjar dhe për të zgjeruar qasjen e kujdesit cilësor“, tha presidenti Trump.
Kritikët thonë se ndonëse ligjvënësit amerikanë ranë dakord për një marrëveshje dypartiake, ajo u përshpejtua qëllimisht.
Rachel Greszler punon për fondacionin konservator Heritage.
“Unë mendoj se kjo u përfshi në akt në minutën e fundit. Së pari u fol nëse kjo masë do të sigurojë pushim familjar dhe mjekësor me pagesë, i cili do të kishte mbuluar edhe kujdesin për një të afërt apo aftësinë e kufizuar të vetë një punonjësi federal. Në fund ata thjesht arritën një kompromis vetëm për sigurimin e pushimit prindëror të paguar, por një mënyrë më efikase do të kishte qenë të shqyrtonin të gjithë sistemin, sistemin e pushimeve, si dhe llojet e tjera të kompensimit”, thotë Rachel Greszler.
Të tjerë thonë se ligji i ri është një arritje për tu festuar. Sherry Leiwant, është bashkëthemeluese e “A Better Balance”, një grup që mbron familjet që punojnë.
“Pothuajse çdo vend tjetër në botë ofron një formë të pushimit prindëror të paguar”.
Sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim ((OECD)), dyzet vende të tjera ofrojnë një formë të pushimit familjar të paguar nga qeveria.
Zonja Shabo thotë se tetë shtete amerikane dhe Uashington D.C kanë ose janë duke punuar për zbatimin e programeve të sigurimit të pushimeve familjare dhe të lejeve mjekësore për punonjësit e tyre.
“Këto financohen nga kontributet e vogla të pagave që janë të detyrueshme për punëdhënësit, punonjësit ose të dyja palët dhe në këmbim punonjësi merr një periudhë pushimi familjar dhe mjekësor të paguar kur ata kanë një foshnje të re ose kanë nevojë të kujdesen për një familjar të sëmurë rëndë apo kanë vetë probleme serioze shëndetësore”.
Mbështetësit e ligjit po bëjnë presion për ta bërë të detyruar pushimin prindëror familjar edhe për bizneset.
“Do të donim, dhe kemi punuar shumë për këtë, që të gjithë punonjësit në Shtetet e Bashkuara të kenë qasje ndaj lejes së paguar dhe asaj shëndetësore, përfshi lejen prindërore”, thotë Sherry Leiwant.
Por kundërshtarët thonë se kjo mund të jetë një sfidë veçanërisht për pronarët e bizneseve të vogla.
“Është më e vështirë kur ke një biznes të vogël që ndoshta ka tre ose katër punonjës dhe nuk është vetëm kostoja e pagesës së këtij punonjësi, por është kostoja për ta zëvendësuar atë kur është me leje”, thotë Rachel Greszler.
Ligji i ri hyn në fuqi më 1 tetor.