Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ofroi Kinës ndihmë në përpjekjet e saj për të kontrolluar shpërthimin e një koronavirusi, i cili shkaktoi vdekjen e së paku 81 personave.
“Kemi komunikime shumë të afërta me Kinën, në lidhje me virusin”, shkroi Trump në Twitter.
“Shumë pak raste janë raportuar në SHBA, por janë rreptësisht nën vëzhgim. I kemi ofruar Kinës dhe presidentit Xi (Jinping) çdo ndihmë që është e nevojshme. Ekspertët tanë janë të jashtëzakonshëm”, tha Trump.
Të hënën, autoritetet lokale raportuan për vdekjen e parë nga virusi në Pekin.
Viktima është një person 50 vjeç, i cili ka qenë në Vuhan, raportuan mediat lokale.
Sipas zyrtarëve, shumica e viktimave janë pacientë të moshës 50 vjeç ose më të vjetër.
Ekspertët shëndetësorë thonë se virusi përhapet nga kafshët te njerëzit, por nuk është përjashtuar as mundësia e transmetimit midis njerëzve.
Raste me këtë lloj virusi u shënuan edhe jashtë Kinës, përfshirë: Shtetet e Bashkuara, Singaporin, Nepalin, Tajlandën, Korenë e Jugut etj.
Ai mund të shkaktojë sëmundje nga ftohja e zakonshme deri te Sars-i.
Sars – sindromë e rëndë akute e frymëmarrjes – ka shkaktuar vdekjen e mbi 700 njerëzve në botë gjatë shpërthimit të tij më 2002-3.