Mjerisht edhe mbi 20 vite pas çlirimit dhe rreth 13 sosh,nga shpallja e pavarësisë, shtetin e brishtë të Kosovës, ende vijojnë ta sundojnë individ dhe grupe të lidhura me krimin e organizuar. Ata duke qendruar për kohë të gjatë në krye të shtetit dhe politikës vendore,kanë përvetësuar pasuritë kryesore të qytetarëve të vendit, duke ua mbytur kështu,perspektivën për jetë dhe shpresën për ardhmëri, gjithë banorëve të Kosovës së lirë, e veçanërisht shqiptarëve të cilët kanë pësuar më së shumti dhe po largohen përditë e më tepër nga Kosova,të zhgënjyer tërësisht nga matrapazët në pushtet.
E vetmja shpresë për ndryshime, që lindi pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, jo vetëm se po zhduket ngadalë, por ajo duket se tanimë përfundimisht ka marrë teposhtëzën e pakthim, nga manovrat e paprecedent të politikës së vjetër në vend.
Kështu që pas shtyerjes së stërzgjatur të formimit të qeverisë së re, duket se me kalimin e tre deputetëve minoritar rom e ashkali në LDK, përfundimisht LVV-s, iu mor nga duart aduti i kryesimit të qeverisjes edhe në këtë legjislatur, ndaj Hashim Thaçi ka filluar të bëhet gjithnjë e më i zëshëm dhe nuk po kursen më ultimatumet kundrejt Albin Kurtit, herë me orë e her me ditë, për caktimin e emrit të mandatarit për kryeministër, i bindur tashmë se Kurti do të dështojë për lidhjen e koalicionit me LDK-n dhe formimin e qeverisë së re.
Kjo do të ishte fitorja më e madhe e mundshme për Hashim Thaçin, ngase privilegjet e krijuara për rreth 13 vite me radhë, për veti dhe vllezër e bashkëfamiljarë, presidenti nuk mund ti lëshojë kaq lehtë dhe vetëm me një goditje, nga dora.
Siç dihet tashmë,menjëherë pas katapultimit të presidentit “tarzan” Hashim Thaçit në postet më të larta politikbërëse të shtetit të brishtë të Kosovës, çuditërisht brenda natës, u rrit në mënyrë rrënëqerhëse jo vetëm dominimi i tij politike, por edhe fuqia ekonomike e biznesore e vëllezërve “supermen” të presidentit, madje atë në disa fusha, si; ajo minerare, energjetike, e ndërtimeve, naftës dhe sigurimeve.
Për aq më tepër, që nga viti 2007, kur Hashim Thaçi u emërua kryeministër i Kosovës, edhe vëllezërit e Hashim Thaçit u bënë shefa të pakonkurencë, dhe atë në sektorët kryesor të vendit, si p.sh, Gani Thaçi, që nga fillimi udhëhiqte me sigurimet, Blerim Thaçi me ndërtime, Idrizi Thaçi me energji, naftë dhe ato minerale…etj…
Pra fuqia politike dhe ekzekutive e Hashim Thaçit, bëri që vëllezërit e tij, pothuajse brenda natës, pas ardhjes së presidentit aktual në pushtet, nga zeroja, krijuan kompanitë e veta dhe u ngritën në magnatët kryesor të biznesit në gjithë Kosovën.
Po rikujtojmë me këtë rast për lexuesit, se vetëm pesë muaj, pasi që Hashim Thaçi ishte emëruar kryeministër i vendit,në maj të vitit 2008, Idriz Thaçi vëllai i mesëm i Hashimit, tanimë kishte hapur gurthyesin “Geo Mineral”, në Astrazub të Malishevës, i cili punoi pandërprerë, në rrethana të pasqaruara, nga atëherë e deri më tani.
Ndërsa ende pa mbushur vitin Hashim Thaçi në krye të qeverisë, i vëllai i vogël i tij, Blerim Thaçi u bë bos i ndërtimeve në gjithë Kosovën, ani pse deri në ato momente,nuk figuronte askund, që ai të ketë pasur më parë ndonjë firmë të fuqishme apo pasuri të madhe financiare, e cila do ti mundësonte atij, që brenda natës të ngritej kaq fuqishëm në biznes.
Në anën tjetër, kompania “famoze” e vëllait tjetër të presidentit,Idriz Thaçit, çuditërisht përveç “përzgjedhjes” si nënkontraktore e Bechtel-Enka-s, për ndërtimin e autostradës së Kosovës,projektit më të madh infrastrukturor që nga paslufta në Kosovë, ka qenë e privilegjuar edhe me tenderë publikë nga KEK-u, me vlera milionëshe të cilin edhe atë e udhëheqë, kush tjetër përpos kusheririt të Hashim Thaçit, me të kaluar penale, Njazi Thaçi.
Ndërsa vëllai i madh i Hashimit, Gani Thaçi, tek i cili në janar të vitit 2000, me rastin e bastisjes nga policia e UNMIK-ut, përveç një arme, policët kishin gjetur edhe 250 mijë dollarë dhe para tjera të dyshimta,përkundër të gjithave, gjatë gjithë periudhës së pasluftës, pikërisht ai, u bë pjesë e vendimmarrjes në industrinë e sigurimeve, madje një kohë ishte edhe Drejtor Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit, organizatë kjo që monitorohet drejtpërsëdrejti nga Banka Qendrore e Kosovës.
Për aq më tepër në rastet kur vëllait të madh të presidentit, i ngriteshin nervat dhe prishej terezia, Gani Thaçi,dinte të grushtonte e rrahte pa mëshirë edhe nga dy zyrtar të sigurimeve, përnjëherë.
E pikërisht ky atak, ndodhi jo më largë se në fundtetorin e vitit 2018, me arsyetimin se vëllait të presidentit u tentua ti shuhej pozita si “Koordinator i Përgjithshëm për Planifikime Strategjike” brenda BSK-s.
Me këtë rast “supermeni” Gani Thaçi ,rrahu brenda për brenda zyrës së punës-njëkohësisht dy veta; drejtorin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Blerim Pushkollin dhe drejtorin e kompanisë së sigurimeve “Illyria Insurance”, shtetasin slloven Gianni Sokolic, duke mbetur të lënduar që të dy viktimat, për çka, asokohe në media u tha, se pati reagime edhe nga ambasada Sllovene në Prishtinë.
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, të gjitha pagesat për polisat e automjeteve të mërgimtarëve që udhëtojnë nga vendet perëndimore për pushime në Kosovë, shkojnë direkt në të ashtuquajturën “Shoqata e Sigurimeve të Kosovës”, që realisht kontrollohej nga vëllai i madh i Hashimit,i famshmi Gani Thaçi.
Përkundër veprimit me leje të dyshimta,vetëm të hënën që lam pas,me 6 janar 2020, përmes një vendimi të Kuvendit Komunal,u tha se të paktën, aktivitetet e kompanisë “Geo Mineral”, gurëthyesit që prej majit të vitit 2008, ndodhet në pronësi të Idriz Thaçit, vëllait të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, janë pezulluar nga Komuna e Malishevës.
Për herë të parë, pas kaq vitesh,Kuvendi i Komunës së Malishevës në mbledhjen e mbajtur, përfundimisht guxoi të marr një vendim të tillë, për pezullimin e lejeve të pa sqaruara për operimin e kompanive të gurthyesve, kështu që përveç firmës “Geo Mineral”, aktvendimi në fjalë, ka prekur edhe kompanit e tjera gurëthyese që operonin pothuajse në mënyrë klandestine në territorin e komunës së Malishevës.
Madje pas këtij vendimi, tanimë pritet edhe të qartësohet deri në detaje se, a është bërë e gjitha kjo me ndikimin e Hashim Thacit dhe pse e si, është lejuar deri me tani operimi i kësaj kompanie, nga vëllezërit e tij, të cilët e kane shfrytëzuar hapur pushtetin si familjar të presidentit aktual, për t’i trashur milionat e tyre, në dëm të qytetarëve të varfër të Kosovës.
E duke pasur parasysh faktin se kjo është vetëm goditja fillestare për Hashim Thaçin e vëllezërit e tij, dhe kompania në fjalë e të tjerat si ajo, përveç ndalimit,mund edhe te hetohen penalisht, për shkatërrimin e natyrës, si dhe të sillen para drejtësisë edhe personat përgjegjës që i kanë lëshuar lejet e dyshimta për te operuar ato, pothuajse në mënyrë klandestine ne Malisheve dhe gjithandej Kosovës,Hashim Thaçi tanmë ka nisë të punojë në të gjitha drejtimet.
Kështu që nga frika se pas formimit të qeverisë së re, do të shpeshtohen goditjet e kësaj natyre dhe mund të vije edhe deri te ngritja e aktakuzave ndaj tij dhe jo vetëm, duket se Hashim Thaçi në koordinim të ngushtë me vartësin e tij Isa Mustafën dhe strukturat e vjetra të LDK-s, me të cilat ka përvojë dhe ka mundur të manovrojë sukseseshëm edhe në të kaluarën,ka arritur një ujdi dhe po bënë çdo gjë, që të dështoi koalicioni i ndryshimit dhe krijimi i qeverisë së re.
Ndaj pas nje takimi maratonik të parapakditëve,me deputetët që përfaqësojnë pakicat në Kuvendin e Kosovës,duket se ai i bindi, përfundimisht tre deputet minoritar që te kalojnë në LDK.
Përveç se kthyeu LDK-n, në grupin më të madh parlamentar, Thaçi arriti që me një të rënë të shkaktojë dy goditje të mëdha dhe përkundër fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhje,ta bëjë partinë e Isa Mustafës të parën, kështu që me ofrimin e mandatit Isa Mustafës për formimin e qeverisë së re, të sigurojë edhe për vete, rizgjedhjen si president edhe për një mandat.
Në këtë mënyrë Thaçi jo vetëm se e ktheu gjendjen plotësisht në favor personal, por edhe nëse nuk arrin ti vendos sërish në pushtet dy-tri apo edhe më shumë parti të ish koalicionit PAN,me katapultimin e LDK-s,në vend të parë, koalicioni për ndryshime do të dështojë, ndërsa me rizgjidhen e tij edhe për një mandat për president të vendit, ai do të mund të vazhdoj sundimin dhe kapjen e shtetit, e thellojë edhe më tepër korrupsionin, nepotizmin dhe krimin e organizuar me mafiooligarkët dhe nentoken kriminale që nga paslufta,kanë kontrolluar dhe dirigjojnë edhe sot gjithçka në shtetin e brishtë të Kosovës.